Kërko

Zemra e Krishtit Zemra e Krishtit

"Ai na deshi", Enciklika e Papës kushtuar Zemrës së Shenjtë të Krishtit

"Dilexit nos", Enciklika e katërt e Françeskut përshkon traditën dhe aktualitetin e mendimit "mbi dashurinë njerëzore dhe hyjnore të Zemrës së Jezu Krishtit", duke na ftuar ta ripërtërijmë devocionin tonë dhe të mos e harrojmë njomësinë e fesë, gëzimin që buron nga vënia plot entuziazëm në shërbim të misionit: sepse Zemra e Krishtit na shtyn të duam dhe na dërgon te vëllezërit tanë.

R.SH. / Vatikan

"Ai na ka dashur", thotë Shën Pali duke kujtuar Krishtin (Rm 8,37), për të na bërë të zbulojmë se nga kjo dashuri "nuk mund të na ndajë asgjë, asnjëherë " (Rm 8,39)". Kështu fillon Enciklika e katërt e Papës Françesku,  titulluar që në  fillim "Dilexit nos", kushtuar dashurisë njerëzore dhe hyjnore të Zemrës së Jezu Krishtit: "Zemra e tij e hapur na paraprin dhe na pret pa kushte, pa asnjë kërkesë paraprake, që të mund të na dojë dhe të na dhurojë miqësinë e tij: Ai na deshi i pari (shih 1 Gjn 4,10). Falë Jezusit "e njohëm dhe e besuam dashurinë që ka Zoti për ne" (1 Gjn 4,16).

Zemra e Krishtit, simbol i dashurisë së Tij

Në një shoqëri, e cila sheh shumëfishimin e "formave të ndryshme të fesë, pa cekur marrëdhënie personale me Zotin e dashurisë", ndërsa krishterimi shpesh harron "butësinë e besimit, gëzimin e përkushtimit ndaj shërbimit, entuziazmin e misionit nga njeriu tek njeriu", Papa Françesku propozon një studim të ri kushtuar dashurisë së Krishtit, përmes Zemrës së tij të Shenjtë dhe na fton të ripërtërijmë devocionin tonë të mirëfilltë duke kujtuar se në Zemrën e Krishtit "mund të gjejmë gjithë Ungjillin”: sepse pikërisht në Zemrën e tij “më në fund mund ta njohim veten dhe mësojmë të duam”.

Bota duket se e ka humbur zemrën

Françesku shpjegon se duke u takuar me dashurinë e Krishtit, "bëhemi të aftë të thurim lidhje vëllazërore, të njohim dinjitetin e çdo qenieje njerëzore dhe të kujdesemi njëheresh për shtëpinë tonë të përbashkët". E, përpara Zemrës së Krishtit, i kërkon Zotit "të ketë edhe një herë dhembshuri për këtë tokë të plagosur", duke derdhur mbi të "thesaret e dritës së tij dhe të dashurinë e tij", në mënyrë që bota, “pasi mbijetoi ndërmjet luftërave, çekuilibrimeve socio-ekonomike, konsumizmit dhe përdorimit çnjerëzor të teknologjisë, të mund ta përtërijë atë, që është më e rëndësishme dhe më e nevojshme: zemrën". Një dokument i publikuar  ndërsa vijojnë kremtimet e 350-vjetorit të dukjes së parë të Zemrës së Krishti Shën Margheritës Maria Alacoque, në vitin 1673, i cili do të përfundojë më 27 qershor 2025.

Rëndësia e kthimit tek zemra

E ndarë në pesë kapituj, Enciklika mbi kultin e Zemrës së Krishtit mbledh, siç u njoftua më 5 qershorin e kaluar, "reflektimet e çmuara të teksteve të mëparshme magjistrale dhe të një historie të gjatë që daton nga Shkrimet e Shenjta, për të propozuar sërish sot, për gjithë Kishën, këtë kult plot bukuri shpirtërore”.

Kapitulli i parë, "Rëndësia e zemrës", shpjegon pse është e nevojshme të "rikthehemi në zemër", në një botë në të cilën tundohemi të "bëhemi konsumatorë të pangopur". Papa nënvizon se zhvlerësimi aktual i zemrës lind “në racionalizmin grek dhe parakristian, në idealizmin dhe materializmin post-kristian”, të cilët parapëlqenin koncepte si ato të “arsyes, vullnetit apo lirisë”. E, meqenëse nuk kishte më vend për zemrën, nuk u zhvillua gjerësisht "as ideja e një qendre personale" që mund të bashkojë gjithçka, domethënë, dashurinë.

Gjeste dhe fjalë dashurie të Jezusit

Kapitulli II i kushtohet gjesteve dhe fjalëve të dashurisë së Krishtit, gjeste me të cilat na trajton si miq dhe tregon se Zoti "është afërsi, dhembshuri, butësi". Vështrimi i tij është si i dikujt që "ia kushton gjithë vëmendjen njerëzve" dhe vuajtjes së tyre. Fjala e tij më elokuente e dashurisë është "gozhdimi në kryq", pasi kishte qarë për mikun e tij Lazrin dhe kishte vuajtur në Kopshtin e Ullinjve, i vetëdijshëm për vdekjen e tij të dhunshme "nga duart e atyre, të cilët Ai i donte aq shumë".

Kthim te sinteza e mishëruar e Ungjillit

Në kapitullin që pason, i treti, "Kjo është zemra, që deshi aq shumë", Papa sqaron se Zemra e Krishtit përmban "dashuri të trefishtë": atë të ndjeshmen e zemrës së tij fizike "dhe dashurinë e tij shpirtërore të dyfishtë, njerëzore dhe hyjnore”, në të cilën gjejmë “të pafundmen në të fundmen”. Papa Françesku na fton ta përtërijmë përkushtimin ndaj Zemrës së Krishtit e edhe për t'iu kundërvënë "manifestimeve të reja të një 'përshpitërie pa korp”, të pranishme në shoqëri. Është e nevojshme të rikthehemi në "sintezën e mishëruar të Ungjillit" përballë "komuniteteve dhe barinjve, të përqendruar vetëm në veprimtari të jashtme, reforma strukturore pa Ungjill, organizata obsesive, projekte të botës, reflektime të shekullarizuara", me propozime. "që ndonjëherë pretendojnë t'i imponohen të gjithëve".

Shenjtorë, të mbushur me një dashuri që "të jep të pish"

Në kapitullin e katërt, "Dashuria që të jep të pish", Françesku citon disa Etër të Kishës të cilët folën për "plagën në brinjën e Jezusit si origjinë e ujit të Shpirtit" që na shuan etjen për dashurinë e Perëndisë. 'Augustini hapi rrugën për përkushtimin ndaj Zemrës së Shenjtë si vend takimi personal me Zotin'. Gradualisht, kjo anë e plagosur - kujton Papa - "mori formën e zemrës" dhe numëron disa gra të shenjta që "rrëfyen përvoja të takimit të tyre me Krishtin, karakterizuar nga prehja në Zemrën e Zotit".  

Dukjet e Shën Margherita Maria Alacoque

Nën ndikimin e kësaj përshpirtërie, Shën Margaret Mary Alacoque tregon dukjet e Jezusit në Paray-le-Monial, ndërmjet fundit të dhjetorit 1673 dhe qershorit 1675. Thelbi i mesazhit që na transmetohet mund të përmblidhet në ato fjalë që i dëgjoi Shën Margarita: "Ja ajo Zemër që i donte aq shumë njerëzit", "aq sa ta rraskapiste vetveten dhe të shkrihej për t'u dëshmuar atyre dashurinë e saj"! Për Shën Terezën e Lisieux, dokumenti kujton se  Jezusi quhej "Ai, zemra e të cilit rrihte njëherësh me timen". Përvojat e Shën Faustina Kowalskas, nënvizon Françesku, e ripropozojnë me një theks të fortë përkushtimin "mbi mëshirën hyjnore" dhe, i motivuar nga këto, Shën Gjon Pali II gjithashtu "e lidh ngushtë reflektimin e tij mbi mëshirën, me përkushtimin ndaj Zemrës së Krishtit". Duke folur për "përkushtimin e ngushëllimit", Enciklika shpjegon se përballë shenjave të Mundimit të ruajtura nga zemra e të Ngjallurit, është e pashmangshme "që edhe besimtari dëshiron t'i përgjigjet" "dhimbjes që pranoi Krishti për gjithë atë dashuri". E kërkon "që askush të mos tallet me shprehjet e entuziazmit besimtar të popullit të shenjtë, besnik të Perëndisë, i cili në devotshmërinë e tij popullore kërkon të ngushëllojë Krishtin". Sepse atëherë "duke dashur ta ngushëllojmë, dalim të ngushëlluar", e edhe "ne gjithashtu mund t'i ngushëllojmë ata, që gjenden në çdo lloj vuajtjeje"  

Devocioni i Zemrës së Krishtit na çon tek vëllezërit

Kapitulli i pestë dhe i fundit "Dashuria për dashuri" thellohet në përmasën komunitare, sociale dhe misionare të çdo përkushtimi të mirëfilltë ndaj Zemrës së Krishtit, i cili, në çastin kur "na çon tek Ati, na çon te vëllezërit tanë". Sepse "dashuria për vëllezërit" është "gjesti më i madh që mund t'u ofrojmë atyre, për t'iu përgjigjur dashurisë me dashuri". Duke parë historinë e përshpirtërisë, Papa kujton se angazhimi misionar i Shën Charles de Foucauld-it e bëri atë "vëlla universal": "duke e lejuar veten të formohej nga Zemra e Krishtit, ai deshi ta presë gjithë njerëzimin e vuajtur në zemrën e tij vëllazërore".

Më pas Françesku flet për "shpërblimin", siç shpjegoi Shën Gjon Pali II: "duke ofruar veten së bashku në Zemrën e Krishtit, ‘mbi rrënojat e grumbulluara nga urrejtja dhe dhuna, mund të ndërtohet qytetërimi i dashurisë të shumë dëshiruar, mbretëria e zemrës së Krishtit".

Misioni, për ta bërë të dashurohet botën

Enciklika kujton përsëri, me Shën Gjon Palin II, se kushtimi Zemrës së Krishtit "duhet të krahasohet me veprimin misionar të vetë Kishës". Si rrjedhim, nëpërmjet të krishterëve, "dashuria do të derdhet në zemrat e njerëzve, në mënyrë që korpi i Krishtit, që është Kisha, të ndërtohet e, me të, të ndërtohet edhe një shoqëri drejtësie, paqeje dhe vëllazërie".

Për të shmangur rrezikun e madh, nënvizuar nga Shën Pali VI, se në mision "shumë gjëra thuhen dhe bëhen, por nuk është e mundur të arrihet një takim i lumtur me dashurinë e Krishtit", ne kemi nevojë për "misionarë në dashuri, të cilët e lënë rishtas veten të pushtohen nga Krishti”.

Lutja e Françeskut

Teksti përfundon me këtë lutje nga Françesku:

"I lutem Zotit Jezus që nga zemra e tij e shenjtë të rrjedhin lumenj uji të gjallë për të gjithë ne, për të shëruar plagët që i shkaktojmë vetes, për të forcuar aftësinë tonë për të dashur dhe për të shërbyer, për të na shtyrë të mësojmë të ecim së bashku kah një botë e drejtë, solidare dhe vëllazërore. E kjo, derisa të festojmë së bashku me gëzim gostinë e Mbretërisë qiellore. Aty do të jetë Krishti i ngjallur, i cili do të harmonizojë të gjitha dallimet tona me dritën që rrjedh pandërprerë nga Zemra e tij e hapur. Qoftë lëvduar përgjithmonë e jetës!”.

 

24 tetor 2024, 13:08