Thirrja e Papës: të lutemi për paqen, të luftojmë për paqen
R. SH. - Vatikan
Lutuni për paqe, luftoni për paqen. Edhe një herë Papa Françesku u bën thirrje besimtarëve e jo vetëm atyre të lutën për paqe në një botë të shkatërruar nga dhuna. Në fund të audiencës së përgjithshme mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, këtë të mërkurë, më 16 tetor, Papa gjatë përshëndetjeve në italisht - duke u larguar nga teksti i shkruar - i kujtoi zonat e prekura nga konfliktet.
"Të mos harrojmë vendet në luftë. Të mos harrojmë Ukrainën e munduar, Palestinën, Izraelin, Mianmarin"
Lufta është një disfatë
Papa ripohon se "lufta është gjithmonë, gjithmonë, një disfatë". “Të mos e harrojmë – shton – dhe të lutemi për paqe”. “Të luftojmë për paqen”
Kujtimi i të Lumit Popiełuszko
Në përshëndetjet drejtuar shtegtarëve polakë, Françesku kujton dëshminë e meshtarit të Lum Jerzy Popiełuszko me rastin e një konference të mbajtur në Romë për 40-vjetorin e martirizimit të tij, që ndodhi në tetor 1984 gjatë regjimit komunist në Poloni.
Ky i Lum, që mësoi ta mposhtni të keqen me të mirën, ju mbështettë në ndërtimin e unitetit në frymën e së vërtetës dhe respektimin e dinjitetit të personit njerëzor
Përshëndetjet Radio Marisë
Gjithnjë në fund të audiencës së sotme të përgjithshme, Papa Françesku përshëndeti pjesëmarrësit e konferencës botërore të Radio Marisë, të ardhur nga vende të ndryshme, e edhe nga Shqipëria e Kosova, dhe i nxiti të "përhapin vlerat e vëllazërisë dhe solidaritetit, duke i bërë jehonë jetës së Kishës". Më pas kujton se nesër, më 17 tetor, bie përkujtimi liturgjik i Shën Injacit të Antiokisë, “bariut të zjarrtë nga dashuria për Krishtin”.
Shembulli i tij i ndihmoftë të gjithë të rizbulojnë gëzimin e të qenit të krishterë