Dhjetë vjet më parë, lumnimi i Palit VI, shërbëtor i së vërtetës
R.SH. / Vatikan
Dhjetë vjet më parë, më 19 tetor 2014, u kremtua Lumnimi i Giovanni Battista Montinit-Palit VI, i cili u pasua, më 14 tetor 2018, nga kanonizimi: rruga drejt shenjtërisë së njeriut, priftit, edukatorit, ipeshkvit dhe Papës u njoh nga Kisha. Më në fund, pas dekada leximesh, në qendër u vendos përshpirtëria e protagonistit, e pasur dhe magjepsëse, që gërsheton dëshirën dhe soditjen e misterit të Zotit, me shqetësimin për njerëzimin dhe dialogun e fesë me kohët tona.
Në një shënim të Palit VI për shenjtërinë lexojmë se ajo "nuk duhet të matet me madhështinë heroike, dramatike të figurave të famshme"; përkundrazi është "akt i vazhdueshëm i dyfishtë përvujtërie dhe besimi për të shpëtuar shpirtin e për të kryer, sikur t’i kishte marrë dhuratë, akte të tjera besimi, shprese, dashurie dhe ato të veprimit të jashtëm, të mirë dhe të fortë".
Koncepti i shenjtërisë i Montinit është në vazhdën e Koncilit, sepse ai u propozohet të gjithëve dhe karakterizohet nga thjeshtësia: harmoni ndërmjet qetësisë dhe paqes shpirtërore, lutjes dhe shqetësimit për të tjerët. Është formë misioni, në të cilin Montini përfshin para së gjithash të rinjtë, të cilëve u kushton dokumentin e parë zyrtar të Kishës për gëzimin e krishterë, nxitjen apostolike Gaudete in Domine, e cila u pasua nga Evangelii gaudium i Papës Françesku.
Pali VI praktikon një fe "të plotë, të lirë, të sigurt, të fortë, të gëzueshme, punëtore, të përvuajtur" ashtu siç e dëshiron për të gjithë besimtarët në lutje. Në fund të Vitit të Fesë 1967-1968 dhe strukturon linjat kryesore të tij në Besojmën e popullit të Zotit; e, ndërsa jeton edhe lodhjen e shpeshtë të udhëheqjes, në përvojën e tij të jashtëzakonshme, shumë përtej asaj që ai e konsideron të përshtatshme për forcën e tij shpirtërore dhe morale, jeton edhe çaste sprove dhe dëshpërimi. Provon vetminë, ndonjëherë heroike, të vendimeve më të vështira; por gjithmonë ka parasysh udhëtimet, shqetësuese a ngushëlluese të besimtarëve, të cilët i fton për një fe të thjeshtë, të plotë dhe të fortë, domethënëse, të gjallë.
E i lë trashëgim njerëzimit, porositë:
"Duajeni njëri-tjetrin siç ju kam dashur unë" - thotë në Milano. Është "ekuacion i jashtëzakonshëm" e duhen përmendur shumë gjeste, duke filluar nga fëmijëria, të kryera në fshehtësi të madhe, të njohura nga dëshmitë e të tjerëve. Pastaj është aspekti i bamirësisë në të Vërtetën, një shërbim ndaj njerëzve që Montini e jeton me pasion, si shërbëtor i së Vërtetës.
Prandaj, ajo e Montinit është jetë e brendshme, që ushqen sjellje të rezervuar dhe të kompozuar dhe që është fryt i një ndjenje të vazhdueshme të pranisë qetësuese të Zotit; ai e shpreh vazhdimisht në lutjen personale e liturgjike dhe prej saj merr forcën për të folur e për të vepruar pa frikë, edhe në çastet më dramatike, të konsideruara si providenciale, për të mirën e Kishës dhe të njeriut.
E prandaj edhe pasardhësi i tij Françesku, gjatë predikimit të Lumnimit theksoi:
“Për këtë Papë të madh, këtë të krishterë të guximshëm, këtë apostull të palodhur, sot para Zotit mund të themi vetëm një fjalë sa të thjeshtë aq edhe të sinqertë e të rëndësishme: faleminderit! Faleminderit i dashuri Papa Pali VI! Faleminderit për dëshminë tuaj të përulur dhe profetike të dashurisë për Krishtin dhe Kishën e Tij!