Kërko

Il 24 ottobre la pubblicazione della quarta enciclica di Papa Francesco "Dilexit nos" Il 24 ottobre la pubblicazione della quarta enciclica di Papa Francesco "Dilexit nos"

Dilexit nos, enciklika e katërt e Françeskut, për "një botë që duket se e ka humbur zemrën"

Të enjten e ardhshme, më 24 tetor, do të publikohet Dokumenti i Papës kushtuar devocionit ndaj Zemrës së Krishtit. Në një nga audiencat e përgjithshme qershorin e kaluar, Papa e pati njoftuar këtë tekst, që do të mbledhë reflektimet e teksteve të mëparshme magjistrale. Botimi bëhet në vitin e kremtimeve për 350 vjetorin e shfaqjes së parë të Zemrës së Shenjtë të Jezusit, më 1673

R.SH. / Vatikan

Është enciklika e katërt e papnisë së Jorge Mario Bergoglios. Papa e boton në një nga çastet më dramatike për racën njerëzore. Luftëra shkatrrimtare, pabarazi shoqërore dhe ekonomike, konsumizëm i shfrenuar, teknologji të reja që rrezikojnë të çorodisin vetë thelbin e njeriut, janë tipike për epokën moderne. Ndaj Papa kërkon, përmes dokumentit të titulluar Dilexit nos (Ai na deshi), të ndryshojë shikimin, këndvështrimin, objektivat dhe të shërojë atë, që është më e rëndësishme dhe më e nevojshme: zemrën.

Njoftimi i Papës

“Letra enciklike kushtuar dashurisë njerëzore dhe hyjnore të Zemrës së Jezu Krishtit” - ky është nëntitulli i dokumentit, datën e publikimit të  të cilit, kushtuar tërësisht kultit të Zemrës së Shenjtë të Jezusit, e shpalli sot Salla e Shtypit e Vatikanit: 24 tetor. Ishte vetë Françesku ai që njoftoi publikimin e saj në vjeshtë, në audiencën e përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, më 5 qershor (muaji i kushtuar tradicionalisht Zemrës së Shenjtë të Jezusit), duke shprehur dëshirën që teksti t'i bëjë njerëzit të meditojnë "për dashurinë e Zotit, që mund të ndriçojë rrugën e përtëritjes kishtare; por edhe të thonë diçka domethënëse për një botë, që duket se e ka humbur zemrën”. Papa shpjegon edhe se dokumenti do të mbledhë "reflektimet e çmuara të teksteve të mëparshme magjistrale dhe të një historie të gjatë, që daton nga Shkrimet e Shenjta, për t'i propozuar sërish sot, gjithë Kishës, këtë kult plot bukuri shpirtërore".

Dukjet më 1673

 Enciklika botohet ndërsa janë në vijim - nga 27 dhjetori 2023 deri më 27 qershor 2025 - festimet për 350-vjetorin e dukjes së parë të Zemrës së Shenjtë të Jezusit Shën Margheritës Maria Alacoque, më 1673.

Tre shekuj e gjysmë më parë, më 27 dhjetor, Jezusi iu duk murgeshës së re franceze vizitandine, vetëm 26 vjeçare, që t'ia besonte asaj misionin vendimtar të përhapjes së dashurisë së Jezusit për njerëzit, veçanërisht për mëkatarët, në mbarë botën. Dukjet në Manastirin e Paray-le-Monial, në Borgonjë, vazhduan për 17 vjet me Zemrën e Krishtit që dukej në fron flakësh, i rrethuar nga një kurorë ferrash, simbol i plagëve të shkaktuara nga mëkatet e njerëzve. Krishti i kërkoi motrës Margherita që e premtja pas Corpus Domini - pra tetë ditë më vonë - t'i kushtohej festës së Zemrës së Krishtit, mision jo i lehtë për murgeshën, e cila u keqkuptua nga motrat dhe eprorët e saj dhe u quajt vizionare. Po ajo nuk u çkurajua kurrë dhe e kaloi gjithë jetën në shërbim të Krishtit, që bota ta njihte dashurinë e tij. 

Përhapja e kultit

Festa e Zemrës së Krishtit lindi në portat e Iluminizmit. Siç shkroi Atë Enrico Cattaneo, profesor nderi i Patristikës, në La Civiltà Cattolica, "përshpirtëria e Zemrës së Krishtit ishte pengesë kundër mendësisë së përhapur racionaliste, e cila nxiste kulturën ateiste dhe antiklerikale". Një debat i nxehtë, edhe brenda vetë Kishës, u ndez rreth këtij kushtimi derisa, në vitin 1856, Piu IX vendosi që festa e Zemrës së Krishtit të shtrihej në të gjithë Kishën. Prej këndej, në shekullin e 19-të, kulti u përhap si flakë me kushtime, me lindjen e kongregacioneve mashkullore dhe femrore, të institucioneve universitare, oratoreve dhe kapelave.

Haurietis acquas e Pius XII

Është e vitit 1956, pastaj, Haurietis acquas e Piut XII, e shkruar në një kohë kur kushtimi ndaj Zemrës së Jezusit po kalonte çaste krize. Enciklika e Papës Pacelli donte të ringjallte adhurimin dhe ta ftonte Kishën t’i kuptonte dhe t’i zbatonte më mirë format e ndryshme të përkushtimit, të "dobisë maksimale" për nevojat e Kishës, por edhe "flamurin e shpëtimit" për botën moderne.

Benedikti XVI, në një letër për 50-vjetorin e Haurietis aquas, nënvizonte: "Ky mister i dashurisë së Zotit për ne nuk përbën vetëm përmbajtjen e kultit dhe përkushtimit ndaj Zemrës së Jezusit: është, njëkohësisht, përmbajtje e gjithë përshpirtërisë dhe devocionit të vërtetë të krishterë. Prandaj ka rëndësi të nënvizojmë se themeli i këtij përkushtimi është po aq i vjetër, sa vetë krishterimi”.

Devocioni i Françeskut

Papa Françesku ka shpehur gjithmonë një lidhje të thellë me Zemrën e Krishtit, duke e lidhur me vetë misionin meshtarak. Në vitin 2016 mbyllja e Jubileut të Meshtarëve u bë pikërisht në solemnitetin e Zemrës së Krishtit dhe, në predikimin e Meshës, Papa u kërkoi meshtarëve të botës, që erdhën në Romë, t'i drejtonin zemrat e tyre, si Bariu i Mirë, drejt deles së humbur, domethënë, drejtë më të largëtve, duke e lëvizur epiqendrën e zemrës jashtë vetes. Gjithashtu, gjithnjë në atmosferën e Jubileut, në Meditimin e parë mbi mëshirën, Papa këshilloi që ipeshkvijtë dhe priftërinjtë të rilexonin Haurietis acquas, sepse “zemra e Krishtit është qendra e mëshirës. Është tipikisht e mëshirës, ​​që ndot duart, prek, vihet në lojë, dëshiron të përfshihet me tjetrin...merret me njeriun, me plagët e tij”. 

Enciklika e katërt e papnisë

Dilexit nos, siç u tha më sipër, është enciklika IV e Françeskut, pas Lumen fidei (29 qershor 2013), e shkruar "me katër duar" me Benediktin XVI, Laudato si' (24 maj 2015) mbi krizën mjedisore dhe nevojën për t'u kujdesur për Krijimin dhe Fratelli tutti (3 tetor 2020), përmbledhje e thirrjeve e mesazheve nga Papa argjentinas kushtuar urgjencës së vëllazërisë dhe miqësisë sociale në një botë të tronditur asokohe nga pandemia Covid-19, sot nga luftërat dhe konfliktet vëllavrasëse, të kryera gjithashtu në emër të Zotit .

Dilexit nos do të paraqitet në Sallën e Shtypit të Vatikanit më 24 tetor, nga Imzot Bruno Forte, teolog, kryeipeshkëv i Chieti-Vasto dhe nga motra Antonella Fraccaro, përgjegjëse e përgjithshme e Dishepujve të Ungjillit. Konferenca e shtypit do të transmetohet drejtpërdrejt në gjuhën origjinale në kanalin e Vatican News, në YouTube, duke u lidhur me faqen e internetit https://www.youtube.com/c/VaticanNews

21 tetor 2024, 15:45