Dilexit nos, përvoja e një zemre që do dhe frymëzimi nga vëllai ynë Diego Fares
R. SH. - Vatikan
"Një pjesë e mirë e reflektimeve në këtë kapitull të parë u frymëzuan nga shkrimet e pabotuara të Atë Diego Fares, S.I. Zoti e pastë në lavdinë e tij të shenjtë".
Ne mësuam me kalimin e kohës, duke shqyrtuar dokumentet mjeshtërore të Papës Françesku, se sa të rëndësishme janë ndonjëherë fusnotat. Ky është sigurisht rasti i Enciklikës Dilexit nos, botuar sot, në shënimin 1 të së cilës Papa rrëfen se frymëzimi i hyrjes - që i jep drejtim të gjithë dokumentit – i erdhi nga miku dhe studenti i tij jezuit Diego Fares, i cili ndërroi jetë 66 vjeç, në vitin 2022. Autori pati fatin ta njihte Atë Diegon gjatë viteve kur ishte shkrimtar i La Civiltà Cattolica dhe ta intervistonte shumë herë mbi përshpirtërinë, rrënjët, vizionin. Duke i marrë ato reflektime sot, referencat e vazhdueshme që Fares i bën fjalës "zemër" dalin qartë kur flitet për drejtorin e tij shpirtëror, i cili u bë kryeipeshkëv i Buenos Aires dhe së fundi ipeshkëv i Romës. Reflektime që ndihmojnë për të kuptuar se Enciklika IV e Françeskut nuk lind nga studimi teorik, por nga përvoja e jetuar.
"Ai na donte", Enciklika e Papës për Zemrën e Krishtit
"Dilexit nos", Enciklika e katërt e Françeskut, përshkon traditën e mendimit aktual "mbi dashurinë njerëzore dhe hyjnore të Zemrës së Jezu Krishtit", duke na ftuar të përtërijmë tonën... “Nëse Papa Françesku arrin të reformojë Kurien dhe Kishën - nënvizon Fares - duke u ndalur në vlerën e Ushtrimeve Shpirtërore gjatë përvojës së jetuar në Colegio Maximo të Jezuitëve – do të bëjë një reformë, mendoj unë, e cila fillon nga brenda, nga zemra, nuk do të jetë reformë ndryshimesh thjesht të jashtme". Edhe Sinodi i Sinodalitetit, i cili ka arritur në fazat e tij përfundimtare, kishte si premisë tërheqjen, një ushtrim para së gjithash të zemrës në dëgjimin e Shpirtit Shenjt. Për Fares, zemra është gjithashtu në qendër të mendimeve të Papës për arsimin, koncept shumë më i gjerë dhe më i thellë se edukimi. “Është e vërtetë - vëren - që ai është edukator i madh, trajner, themi ne. Kështu mund të quhet kush e përjeton edukimin në tërësi, si edukim të zemrës”. E, në vijim, shton se "edukimi i zemrës" - për Bergoglion - "mund të bëhet vetëm nga një atë a një nënë. Zemra e ka gjithmonë fjalën e fundit”. Më pas vë në dukje se si "pas kritereve pedagogjike të Amoris laetitia ka një 'po' dhe një 'jo' radikale. 'Po' është po e fortë për gëzimin e dashurisë. Gëzimi zgjeron zemrën e familjes”.
Veçanërisht sugjeruese është çka tregon jezuiti argjentinas për karakteristikat që, për Papën, janë themelore në një ipeshkëv. Për Françeskun, modeli shembullor i një bariu është Shën Jozefi, i cili e "mbrojti" Foshnjën dhe Nënën. "Mbikëqyrja - thotë Fares - i referohet më shumë kujdesit për doktrinën dhe zakonet, ndërsa vigjilenca më tepër synon për të siguruar që të ketë kripë dhe dritë ndër zemra". Thotë kështu, e shton se “mbikëqyrja dhe kujdesi na flasin për njëfarë kontrolli të nevojshëm. Përkundrazi, vigjilenca na flet për shpresën, shpresën e Atit të mëshirshëm që vëzhgon procesin e zemrave të bijve të tij.
"Mëshira dhe Shpresa, temat kryesore të dy Jubileve të Papnisë së Françeskut: atij të veçantit të 2016-tës dhe tani këtij të afërmit, të 2025-sës. Mëshira dhe Shpresa të cilat - siç na kujton edhe Dilexit nos tani - nuk janë përmasa të dallueshme në zemrën e Jezusit, por shprehje e pandarë e një dashurie të pafundme, që rrokë mbarë njerëzimin.