Françesku: armëpushim në të gjitha frontet, të respektohet sovraniteti i vendeve

Thirrje e re e Papës në Engjëllin e Tënzot të kësaj së diele, 6 tetor, në prag të përvjetorit të parë të sulmit të Hamasit kundër Izraelit: "Që nga ajo ditë, Lindja e Mesme është zhytur në vuajtje gjithnjë e më të mëdha, me veprime ushtarake shkatërrimtare, që vazhdojnë ta godasin popullsinë palestineze”. Papa foli për Libanin, duke kërkuar t'i jepet fund "spirales" së hakmarrjes e të shmangen sulme si ai i Iranit. Së fundi, ftesa për t'u bashkuar me të në lutje, në bazilikën e Zojës së Madhe

R.SH. – Vatikan

         “Armëpushim i menjëhershëm në të gjitha frontet”, lirimi i pengjeve izraelite në Gaza, ndihma për popullsinë palestineze, ndalimi i “spirales së hakmarrjes” dhe i sulmeve si ai i Iranit, respektimi i sovranitetit të çdo vendi. Pak orë para fillimit të 'dy ditëve' të lutjes, me Rruzaren në bazilkën e Zojës së Madhe dhe me ditën e lutjes dhe të agjërimit, nesër, më 7 tetor, Papa Françesku bën sërish thirrje për paqen, në Engjëllin e Tënzot, duke treguar edhe rrugët e mundshme për t'i dhënë fund barbarive, që vijojnë prej më se një viti në Lindjen e Mesme.

Të ndalet dhuna

Papa e bën këtë thirrje në prag të përvjetorit të parë të sulmit terrorist të Hamasit kundër Izraelit e pas sulmeve të Iranit kundër Izraelit e shkallëzimit në Liban, ku as njëzet e katër orë më parë, gjatë bastisjeve në qytetet dhe fshatrat e pjesës jugore të vendit, u vranë 23 vetë dhe u plagosën 93 të tjerë. Një skenar plot ankth e shqetësim. Papa ngre zërin për të thënë “mjaft” nga dritarja e Pallatit Apostolik.

“Nesër bëhet një vit nga sulmi terrorist kundër popullsisë së Izraelit, me të cilin përsëris afërsinë time. Të mos harrojmë se ka ende shumë pengje në Gazë, për të cilët kërkoj lirimin e menjëhershëm. Që nga ajo ditë, Lindja e Mesme është zhytur në vuajtje gjithnjë e më të mëdha, me veprime shkatërrimtare ushtarake, që vazhdojnë të godasin popullsinë palestineze. Kjo popullsi po vuan shumë në Gazë, janë civilë të pafajshëm, njerëz që duhet të marrin ndihmën e nevojshme humanitare. Bëj thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në të gjitha frontet, përfshirë Libanin”.

Një mendim për Libanin

Papa i larton lutjen Hyjit për të gjithë libanezët, "veçanërisht për banorët e Jugut të detyruar të largohen nga fshatrat e tyre". Më pas, i drejtohet bashkësisë së kombeve, duke kërkuar frenimin e përhapjes së konfliktit: "I bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare që t'i japë fund spirales së hakmarrjes dhe të parandalojë përsëritjen e sulmeve si ai i Iranit".

“Të gjitha kombet kanë të drejtë të ekzistojnë në paqe dhe siguri dhe territoret e tyre nuk duhet të sulmohen apo pushtohen. Sovraniteti duhet të respektohet dhe të garantohet me paqe”.

Lutja në bazilikën e Zojës së Madhe

“Në këtë situatë, lutja është e nevojshme më shumë se kurrë”. Papa i ftoi të gjithë besimtarët e botës, të pranishmit në shesh, por edhe ata të lidhur nëpërmjet ekranit, të bashkohen me të në Rruzaren për paqe, pasditen e sotme, në orën 17.00, në Bazilikën e Zojës së Madhe, në Romë. Nismë e shpallur të mërkurën e kaluar, në meshën e hapjes së Sinodit për sinodalitetin, ku do të marrin pjesë të gjithë anëtarët e Sinodit.

Lutja e sotme do të vazhdojë idealisht deri nesër, ditën në të cilën të gjithë besimtarët në botë thirren nga Papa për t'u lutur dhe për të agjëruar për dhuratën e paqes.

“Të bashkohemi me forcën e së mirës kundër komploteve djallëzore të luftës”.

06 tetor 2024, 14:17