Françesku, dioqezës së Romës: vlerësojeni më shumë mendimin shoqëror të Kishës

Papa takohet me besimtarët e kryeqytetit italian në bazilikën e Shën Gjonit në Lateran për asamblenë "Ta mbyllim çarjen, përtej pabarazive". Bën thirrje për krijimin e një rrjeti të ri solidariteti në qytetin, ku nuk mungon varfëria edukative, shëndetësore, e punës dhe e strehimit. “Varfëria duhet të ndihet si emergjencë kishtare, impenjim dhe përgjegjësi e të gjithëve”. Ftesa e Ipeshkvit të Romës për të pasur më shumë aleanca me institucionet, duke vënë në qendër dinjitetin e njeriut

R.SH. – Vatikan

         Në prani të autoriteteve civile dhe kishtare të dioqezës së Romës, Papa Françesku ia kthen në formën e një ftese bashkësisë, gjithçka dëgjoi nga dëshmia e gazetarit Marco Damilano, nga një jurist laik dhe nga një studente e re për dy periferi të kryeqytetit italian. T’u çohet të varfërve Lajmi i Mirë, të mbyllen çarjet e indit shoqëror, të mbillet shpresa: këto shtyllat e punës baritore të dioqezës, sipas Ipeshkvit të Romës, i cili mori pjesë sot pasdite në asamblenë, që mbylli projektin “Pabarazitë”, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran.

Të varfërit nuk janë thjesht numër, ata janë korpi i Krishtit

Duke pasur parasysh plagët e shumta të qytetit të Romës, Papa u bëri të gjithëve një pyetje:

“Duke e ditur se ka njerëz që jetojnë në rrugë, të rinj që nuk gjejnë punë apo shtëpi, të sëmurë dhe të moshuar, që nuk mund të kurohen, të rinj që varen nga droga dhe nga shumë varësi të tjera "moderne", njerëz të dënuar me vuajtje mendore, që jetojnë në braktisje a dëshpërim e s’mund të jenë thjesht statistikë; janë fytyra dhe histori vëllezërish, që na prekin dhe na pyesin: çfarë mund të bëjmë? A e shohim fytyrën e Krishtit të vuajtur në historinë e këtyre njerëzve? A e vërejmë problemin dhe a marrim përgjegjësinë për të? Çfarë mund të bëjmë së bashku?”

Ta ndiejmë varfërinë si emergjencë kishtare

Të varfërit, vijon Papa, “janë korpi i Krishtit” e vetë Biri i Hyjit nuk na ka dhënë ndonjë zgjidhje magjike për ta. Na kërkohet thjesht t’u shpallim Ungjillin. “Të varfërit – theksoi Papa – nuk mund të jenë numër, problem apo edhe më keq, hedhurinë”.

“Duhet ta ndiejmë çështjen e varfërisë si emergjencë kishtare, e cila bëhet impenjim dhe përgjegjësi e të gjithëve, gjithmonë… Të jemi të pranishëm për të varfrit dhe të bëhemi për ta shenjë e butësisë së Zotit!”

Të kapërcehet indiferenca dhe paragjykimet

Mos rrini pa lëvizur para kontradiktave të realitetit romak, u tha Papa besimtarëve, duke i ftuar të jenë aktivë, të fillojnë një dialog të përhershëm me institucionet dhe shoqatat, të guxojnë në bamirësi, duke kapërcyer “virusin e indiferencës”, me “durimin e dialogut pa paragjykime”.

“Do të ishte mirë nëse takimi i sotëm do të dilte me një impenjim konkret dhe të verifikueshëm në vijën e përpjekjeve të përbashkëta, që synojnë kapërcimin e pabarazive. Por, ndërkohë, dua t'ju kërkoj këtë: vlerësojeni më shumë mendimin shoqëror të Kishës, në baritorinë e zakonshme e në katekizëm. Është e rëndësishme, në fakt, të formohen ndërgjegjet sipas doktrinës shoqërore të Kishës, në mënyrë që Ungjilli të interpretohet në situata të ndryshme të sotme dhe të na bëjë dëshmitarë të drejtësisë, paqes dhe vëllazërimit”.

Vepra konkrete shprese

Në prag të Jubileut, Pasardhësi i Pjetrit i fton të pranishmit të mos dorëzohen. Edhe një shqiptari do t’i shkonte mendja tek ata që, si don Luigi Di Liegro – drejtori i dikurshëm i Karitasit të Romës, që mund të thuhet se e solli atë në Shqipëri – hodhën hapat e parë të veprimtarisë vullnetare në qytetin e Romës, si edhe tek laikët e shumtë, që ndoqën gjurmët e tij. Papa citoj poetin Peguy, i cili pati shkruar për shpresën si për një "vajzë të vogël, që përshkon botën".

“Ju drejtoj ju të gjithëve një thirrje të fuqishme që të kryeni vepra konkrete shprese. Shumëllojshmëria e problemeve sociale të shqyrtuara dhe të paraqitura edhe sonte mund të jetë shkurajuese deri në atë pikë sa të thuhet se “nuk mund të bëjmë asgjë””.

25 tetor 2024, 19:04