Papa, kirurgëve: jini artizanë të shëndetit, kujdestarë të jetës së atyre që vuajnë
R.SH. / Vatikan
“Shiko me dashuri, ndjej dhembshuri, kujdesu gjithmonë, sepse ‘edhe kur njeriu nuk mund të shërohet, gjithmonë mund e duhet të mjekohet’. Kështu bëhemi ‘artizanë të shëndetit’ dhe “rojtarë të jetës së atyre, që vuajnë’”.
Ky, misioni që Papa ua besoi kirurgëve të Italisë, të cilët nga data 13 tetor deri të mërkurën, më 16, po marrin pjesë në Kongresin e 126-të Kombëtar të Shoqatës Italiane të Kirurgjisë, në Romë. Papa i priti në mëngjes pranë Sallës Pali VI, përpara audiencës së përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit. “E ardhmja e kirurgut – kirurgu i së ardhmes” është tema e takimit. “Temë e bukur!” - vërejti Papa duke marrë fjalën - Kushdo që flet për të ardhmen, flet për shpresën, për projektin, për angazhimin”. E, në vijim, nënvizoi se ajo e kirurgëve është punë posaçërisht “e çmuar” për njeriun, krijesë “e bukur”, por “e brishtë” dhe “shumë e pambrojtur”.
Njeriu, parë në tërësinë e tij
Për këtë arsye Papa u kujtoi mjekëve se “stili i tyre duhet të jetë gjithmonë njerëzor dhe profesional, plot kujdes për vuajtjet, që para së gjithash duhet t’i kenë për zemër, duke ndërthurur kompetencën dhe etikën në të gjitha ndërhyrjet, sipas kulturës së shëndetit, që është shërbim ndaj njeriut në tërësinë e tij.
Mendoni për të ardhmen e kirurgut duke u nisur nga kultura e përkushtimit ndaj vëllait të tij, veçanërisht nëse ai është i varfër dhe i braktisur. Është gjithmonë njeriu, ai që jeton dhe vdes, që vuan dhe shëron, e jo vetëm organet apo indet e tij – nënvizoi Papa.
Rreziku i humbjes së thirrjes
Papa Françesku paralajmëron, “ekziston rreziku, edhe për mjekët, të humbasin profesionin e tyre, duke dalë jashtë asaj aleance terapeutike, e cila i vë në qendër të sëmurët apo të lënduarit”. Mjekësia moderne tenton të përqendrohet shumë në përmasën fizike të njeriut, në vend që ta konsiderojë atë në tërësinë e tij. “Kështu, megjithatë, trupi bëhet objekt i zhveshur i hetimit shkencor dhe manipulimit teknik, në dëm të pacientit, i cili kalon në plan të dytë. Në vend të kësaj, shkenca është për njeriun, jo njeriu për shkencën! Një shkencë njerëzore”, theksoi Papa.
“Dora” e kirurgut, para teknologjive
Kush vijon të shikojë ngjarjet aktuale, pra kryesisht teknologjitë e reja, kryesisht Inteligjencën Artificiale, të cilën e përdor kirurgjia, na kujton: "nuk duhet harruar kurrë se asgjë nuk mund të injorojë "dorën e kirurgut": "Kirurgji do të thotë ‘operacion’ i bërë me dorë’, ‘operim i dorës". Dhe është pikërisht kështu: për të kuruar, kirurgët duhet të plagosin, të presin, të presin. Prandaj, kur keni trupin e njeriut në duart tuaja, të krijuar sipas shëmbëlltyrës së Zotit, veproni si 'artizanë të shëndetit', duke i trajtuar të tjerët me të njëjtin kujdes, me të cilin do të dëshironit të trajtoheshit."
Formim njerëzor, shkencor, psikologjik
“Reflektoni - ky është inkurajimi i Papës për specialistët - mbi gjestet, që si profesionistë, mund t’i vini në praktikë së bashku, si ekip me bashkëpunëtorët tuaj, dhe mos kini frikë të promovoni, veçanërisht tek të rinjtë, njeriun shkencor, teknologjik dhe psikologjik: prej këndej do të vijnë karakteristikat më të mira të kirurgëve të ardhshëm":
“Prandaj ju ftoj të jeni rojtarë të jetës së atyre që vuajnë, kujdestarë të jetës së atyre që vuajnë. Edhe kur ndokush nuk mund të shërohet, duhet të mjekohet gjithmonë, në mënyrë që askush të mos shikohet ose të ndihet si i humbur”.
Ikona e Samaritanit të Mirë
Në këtë drejtim, Papa u jep si dhuratë pjesëmarrësve të konferencës SIC "një ikonë që - u kujtoi - mund të frymëzojë të ardhmen e profesionit tuaj": ikonën e Jezusit, mjekut të shpirtrave dhe të trupave, siç përshkruhet në shëmbëlltyrën e Samaritanit të Mirë. “Në të - shpjegoi Françesku – ai që kujdeset, sheh dhe ndalon pa nxitim: ka dhembshuri për ata që takon, u afrohet atyre dhe ua lidh plagët. E shihni, ai ka dhembshuri, afrohet dhe lidh plagët e tyre”. Me këto qëndrime “çdo mjek i mirë bëhet i afërm i pacientit”.
Dhuratat e mjekëve
Me rastin e seancës, presidenti i Shoqatës Italiane të Kirurgjisë, Massimo Carlini, i dhuroi Papës një pllakë përkujtimore, së bashku me tunikën e mjekut, pantallonat dhe fesin në sallën e operacionit, me logon e SIC dhe shkrimin Papa Françesku: simbole të kushtimit dhe të angazhimit, që karakterizojnë çdo ditë misionin e kirurgëve.
“Gjest - lexojmë në një shënim - që përfaqëson bashkimin e shkencës me njerëzimin, duke bashkuar kështu edhe botën e mjekimit me atë të përshpirtërisë”.