Papa: Kishë sinodale, jo statike, por në këmbë, për të dëgjuar britmën e atyre që vuajnë
R.SH. / Vatikan
"Ne nuk kemi nevojë për një Kishë të ulur, që ka hequr dorë", por për një Kishë që, si Bartimeu i verbër, ia beson Zotit verbërinë e ngrihet në këmbë, "ecën së bashku pas Tij dhe me Të" , “dëgjon britmën e botës dhe ndot duart për t’i shërbyer Zotit”, duke çuar “gëzimin e Ungjillit në rrugët e botës”. Kjo, pamja e Kishës sinodale, për të cilën Papa Françesku foli në predikimin e Meshës, në përfundim të seancës së dytë të Asamblesë së Përgjithshme të XVI të Sinodit mbi sinodalitetin, kryesuar sot paradite në Bazilikën e Vatikanit. E Sinodi "na nxit të jemi Kisha si Bartimeu: bashkësi dishepujsh që, duke e dëgjuar Zotin që kalon, zgjohen nga fuqia e Ungjillit dhe fillojnë të qajnë drejt Tij".
Papa e nisi homelinë duke shfletuar së pari faqen ungjillore, e cila na paraqet Bartimeun, një të verbër që detyrohet të lypë në anë të rrugës, një të dëbuar pashpresë që, megjithatë, kur dëgjon Jezusin duke kaluar, fillon të bërtasë në drejtim të Tij. Gjithçka i ka mbetur është ta bërtasë në kupë të qiellit dhimbjen, që Jezusi ta dëgjojë dëshirën e tij për të rifituar dritën e syve! Dhe ndërsa të gjithë e qortojnë sepse janë të shqetësuar nga zëri i tij, Jezusi ndalon. Sepse Zoti e dëgjon gjithmonë britmën e të varfërve dhe asnjë britmë dhimbjeje nuk kalon e padëgjuar përpara Tij.
Kjo, skena e parë e homelisë së Papës Françesku, mbajtur gjatë Meshës kremtuar në përfundim të Asamblesë së Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve. Me zemrën plot mirënjohje për çka mundëm të ndajmë - kujtoi - le të përqendrohemi në atë që i ndodh këtij njeriu: në fillim, "ai u ul buzë rrugës duke lypur" (Mk 10,46) , ndërsa në fund, pasi e thirri Jezusi dhe rifitoi shikimin, "e ndoqi Zotin gjatë rrugës" (v. 52).
Të jetosh, do të thotë të lëvizësh, gjithnjë!
Gjëja e parë që na thotë Ungjilli për Bartimeun është: ai ulet duke lypur. Pozicioni i tij është tipik për një person tashmë të mbyllur në dhimbjen e tij, të ulur në anë të rrugës, sikur të mos kishte asgjë tjetër për të bërë, përveçse për të marrë diçka nga shtegtarët e shumtë që kalojnë nëpër qytetin e Jerikos me rastin e Pashkëve:
“Por, siç e dimë, për të jetuar me të vërtetë nuk mund të ulesh: të jetosh është gjithmonë lëvizje, nisje, ëndërrim, planifikim, hapje drejt së ardhmes. Bartimeu i verbër, pra, përfaqëson edhe atë verbëri të brendshme që na bllokon, na bën të ulemi të qetë, na bën të palëvizshëm në buzë të jetës, pa kurrfarë shprese”.
Kisha nuk mund të rrijë ulur
Kjo – vijoi të kujtojë Papa në vijim të homelisë - mund të na bëjë të mendojmë jo vetëm për jetën tonë personale, por edhe të na kujtojë se jemi Kisha e Zotit. Shumë gjëra, gjatë rrugës, mund të na bëjnë të verbër, të paaftë për të njohur praninë e Zotit, të papërgatitur për të përballuar sfidat e realitetit, ndonjëherë të paaftë për të ditur se si t'u përgjigjemi pyetjeve të shumta që na drejtohen, siç bën Bartimeu me Jezusin. Megjithatë, para pyetjeve të grave dhe burrave të sotëm, para sfidave të kohës sonë, para urgjencës së ungjillëzimit dhe plagëve të shumta që mundojnë njerëzimin, ne nuk mund të qëndrojmë të ulur:
“Një Kishë e ulur, e cila pothuajse pa e kuptuar se tërhiqet nga jeta dhe e kufizon vetveten në kufijtë e realitetit, është Kishë që rrezikon të mbetet e verbër dhe të mësohet me shqetësimin e saj. Dhe nëse ulemi në verbërinë tonë, do të vazhdojmë të mos shohim urgjencat tona baritore dhe problemet e shumta të botës në të cilën jetojmë”.
Ne kemi nevojë për një Kishë, që dëgjon britmën e botës
Ta kujtojmë këtë, ndërkaq - theksoi në vijim Papa: Zoti kalon, Zoti gjithmonë kalon dhe ndalon që të kujdeset për verbërinë tonë. Dhe është bukur nëse Sinodi na shtyn të jemi Kishë, si Bartimeu: komunitet i dishepujve të cilët, duke e ndier Zotin që kalon, ndjejnë edhe rrënqethjen e shëlbimit. E zgjohen nga fuqia e Ungjillit dhe fillojnë të bërtasin kah Ai. E Ai e bën këtë duke mbledhur britmën e të gjitha grave dhe burrave të tokës: britmat e atyre që dëshirojnë të zbulojnë gëzimin e Ungjillit, britmën e heshtur të atyre që janë indiferentë; britmën e atyre që vuajnë, të varfërve dhe të përjashtuarve; zërin e ngjirrur të atyre që nuk kanë më forcë ta thërrasin Zotit, sepse nuk kanë zë ose sepse kanë hequr dorë nga jeta.
“Ne nuk kemi nevojë për një Kishë të ulur dhe disfatiste, por një Kishë që dëgjon britmën e botës dhe i ndot duart për t'i shërbyer asaj”.
I verbri bëhet dishepull i Krishtit
Dhe kështu vijmë te aspekti i dytë: nëse në fillim Bartimeu ishte ulur, shohim se në fund, përkundrazi, ai e ndjek Jezusin përgjatë gjithë rrugës. Kjo është një shprehje tipike e Ungjillit, që do të thotë: ai u bë dishepull i tij e filloi ta ndiqte:
“Jezusi u ndal dhe e thirri. Bartimeu, nga i ulur që ishte, hovi në këmbë dhe menjëherë pas, i erdhën sytë e pa. Tani mund ta shihte Zotin, mund ta njihte veprën e Zotit në jetën e tij dhe më në fund, mund të ecte pas Tij”.
Ta dëgjojmë thirrjen e Zotit, ndërsa na kalon pranë
Kështu, edhe ne – kujtoi në vijim Papa - kur jemi ulur dhe rehat, kur edhe si Kishë nuk gjejmë forcën dhe guximin e nevojshëm për t'u ngritur dhe për të rifilluar udhëtimin, le të kujtojmë të kthehemi gjithmonë te Zoti dhe Ungjilli i tij. Gjithmonë dhe përsëri, ndërsa Ai kalon pranë, ne duhet ta dëgjojmë thirrjen e tij, e cila na ngre përsëri në këmbë dhe na nxjerr nga verbëria. Dhe pastaj filloni ta ndiqni përsëri, duke ecur me të gjatë rrugës.
Zoti na thërret, të ecim pas Tij
Dua ta përsëris - theksoi Papa - Ungjilli thotë se Bartimeun "e ndoqi Krishtin rrugës". Ky është një imazh i kishës sinodale: Zoti na thërret, na ngre lart kur jemi të ulur ose të rënë, na ndihmon të rifitojmë shikimin, në mënyrë që në dritën e Ungjillit të shohim ankthet dhe vuajtjet e botës; dhe kështu, të ngritur përsëri në këmbë nga Zoti, ne jetojmë gëzimin e ndjekjes së tij gjatë rrugës. Le ta kujtojmë gjithmonë këtë: të mos ecim vetëm ose sipas kritereve të botës, por të ecim së bashku pas Tij dhe me Të:
“Vëllezër dhe motra: jo një kishë e ulur, por një kishë në këmbë. Jo një kishë e heshtur, por një kishë që dëgjon britmën e njerëzimit. Jo një kishë e verbër, por një Kishë e ndriçuar nga Krishti që u sjell dritën e Ungjillit të tjerëve. Jo një kishë statike, por një Kishë misionare, e cila ecën me Zotin nëpër rrugët e botës”.
Dy fjalë për reliken e restauruar të Katedrës së Shën Pjetrit
Sot, ndërsa falënderojmë Zotin për udhëtimin që bëmë së bashku – kujtoi Papa - do të jemi në gjendje të shohim dhe të nderojmë reliken e Katedrës së lashtë të Shën Pjetrit, të restauruar me kujdes. Duke e soditur me habinë e fesë, të kujtojmë se është katedra e dashurisë, e unitetit dhe e mëshirës, sipas atij urdhri që Jezusi i dha Apostullit Pjetër që të mos sundojë mbi të tjerët, por t'u shërbejë me dashuri.
E, duke admiruar tendën madhështore të Berninit, më të ndritshme se kurrë, ne rizbulojmë se ajo është pika e vërtetë qendrore e të gjithë Bazilikës, domethënë lavdia e Shpirtit Shenjt. Kjo është Kisha Sinodale: bashkësi, përparësia e së cilës është dhantia e Shpirtit, e cila na bën të gjithë vëllezër në Krishtin dhe na larton drejt Tij. Të vazhdojmë atëhere me besim udhën tonë së bashku. Edhe ne sot Fjala e Zotit na përsërit, si Bartimeut:
"Guxim, çohu, po të thërret! Ta lëmë mënjanë petkun e dorëheqjes, t'ia besojmë verbërinë tonë Zotit, të ngrihemi në këmbë dhe ta çojmë gëzimin e Ungjillit në rrugët e botës”.