Françesku: Shpirti Shenjt garanton universalitetin dhe unitetin e Kishës

Në audiencën e përgjithshme Papa rifilloi ciklin mbi Shpirtin Shenjt, i cili siguron "universalitetin" dhe "unitetin" e Kishës, duke vepruar në mënyrë sinodale: këto janë ndërmarrje të vështira, që mund të realizohen "jo duke pritur që të tjerët të na arrijnë atje ku jemi, por duke lëvizur së bashku drejt Krishtit"

R.SH. – Vatikan

         Duke vazhduar ciklin e katekezës mbi Shpirtin Shenjt dhe Kishën, Papa Françesku u ndal këtë të mërkurë, 9 tetor, gjatë audiencës së përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, në historinë e Veprave të Apostujve, libër i Besëlidhjes së Re shkruar nga Shën Luka, që tregon ngjarjet e bashkësive të para të krishtera dhe dikimin e Shpirtit Shenjtë mbi ta, pavarësisht nga pengesat njerëzore. Shpirti Shenjt garanton universalitetin, pa cënuar unitetin e Kishës, shpjegoi Ipeshkvi i Romës.

         “Të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt” (Vap 2,4) shkruan Shën Luka. “Duke bërë kështu, - shpjegoi Ati i Shenjtë - Luka donte të nënvizonte misionin universal të Kishës, shenjë e një uniteti të ri ndërmjet të gjithë popujve. Shpirti punon për unitetin në dy mënyra: “Nga njëra anë, ai e shtyn Kishën jashtë vetvetes, në mënyrë që të mirëpresë gjithnjë e më shumë njerëz dhe popuj; nga ana tjetër, ai e bashkon atë në brendësi për të konsoliduar unitetin e arritur”.

Misioni universal i Kishës

"Universalitetin", vazhdon Françesku, "e shohim në punë në kapitullin 10 të Veprave të Apostujve, në episodin e kthimit të Kornelit në fe. Në ditën e Rrëshajëve, apostujt shkuan t’u kumtonin Krishtin gjithë judenjve dhe gjithë atyre, që respektonin ligjin e Moisiut, pavarësisht nga populli të cilit i përkisnin. U desh një ‘Rrëshajë’ tjetër, shumë e ngjashme me të parën, ajo e shtëpisë së centurionit Kornel, që apostujt ta zgjeronin horizontin dhe të rrëzonin barrierën e fundit, atë ndërmjet judenjve dhe paganëve (shih Vap 10-11 )”.

“Këtij zgjerimi etnik i shtohet një zgjerim gjeografik”, sepse shën Pali apostull fillimisht donte të shpallte Ungjillin në një rajon të ri të Azisë së Vogël, por, siç tregohet në Veprat, “Shpirti Shenjt nuk e la”, pasi “natën e mëpasme, Apostulli mori në ëndërr urdhrin të kalonte në Maqedoni”. “Kështu Ungjilli la Azinë ku lindi për të hyrë në Evropë”, nënvizoi Papa.

Shpirti Shenjt është lidhje uniteti

Lëvizja e dytë e Shpirti Shenjt, ajo që krijon unitetin, shihet në veprim në kapitullin 15 të Veprave të Apostujve, nënvizoi Françesku, në atë që e quajmë Koncili i Jerusalemit, i cili do të pranonte paganët, që i bashkohen fesë së krishterë, pavarësisht nga rrethprerja dhe respektimi i Ligjit të Moisiut.

"Shpirti Shenjt nuk e sjell gjithmonë unitetin papritur, nëpërmjet ndërhyrjeve të mrekullueshme dhe vendimtare, si në Rrëshajë", por "e bën gjithashtu - dhe në shumicën e rasteve - përmes punës së matur, duke respektuar kohën dhe ndryshimet njerëzore, përmes njerëzve dhe institucioneve, përmes lutjes dhe ballafaqimit”. Një proces “sinodal” ky, nënvizoi Papa, duke iu referuar sesionit të dytë të Sinodit të Ipeshkvijve “për një Kishë më sinodale”, që po mbahet këtë muaj në Vatikan.

Për të kuptuar unitetin, që sjell Shpirti Shenjt, Ipeshkvi i Romës kujtoi edhe imazhin e propozuar nga Shën Agustini: “Çka është shpirti për trupin e njeriut, është Shpirti Shenjt për korpin e Krishtit, që është Kisha”. Shpirti Shenjt nuk na thotë vetëm të jemi të bashkuar, por është Ai vetë "lidhja e unitetit".

Të vendosim Zotin në qendër

Françesku e mbylli katekezën e tij, duke shprehur dëshirën që uniteti i Kishës të shihet në jetën e çdo njeriu. “Ne të gjithë duam unitet, ne të gjithë e dëshirojmë atë nga thellësia e zemrave tona; megjithatë është kaq e vështirë të arrihet saqë, edhe brenda martesës e familjes, uniteti dhe harmonia janë ndër gjërat më të vështira për t'u arritur dhe akoma më të vështira për t'u ruajtur”, shpjegoi ai. “Uniteti i Rrëshajëve, sipas Shpirtit Shenjt, arrihet kur njeriu përpiqet të vendosë në qendër Zotin dhe jo veten. Uniteti i krishterë ndërtohet edhe në këtë mënyrë: jo duke pritur që të tjerët të bashkohen me ne aty ku jemi, por duke ecur së bashku drejt Krishtit”.

09 tetor 2024, 11:47

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >