Kërko

Une ambulance de l'hôpital Kamal Adwan à Beit Lahia dans le nord de la bande de Gaza, visée par un bombardement israélien.   (AFP or licensors) Une ambulance de l'hôpital Kamal Adwan à Beit Lahia dans le nord de la bande de Gaza, visée par un bombardement israélien. (AFP or licensors)

Françesku: të respektohet ligji humanitar, shumë fëmijë janë viktima të luftës

Pas lutjes mariane të Engjëllit të Zotit, Papa kujtoi 75-vjetorin e Konventave të Gjenevës dhe përsëriti lutjen për paqen, duke shpresuar një zgjim të ri të ndërgjegjes: gjatë konflikteve jeta dhe dinjiteti i individëve dhe i popujve duhet të respektohet, së bashku me strukturat, civilët dhe vendet e kultit. Një mendim për Marcelo Perez, priftin e vrarë në Meksikë

R.SH. / Vatikan

Papa këmbëngul në angazhimin ndërkombëtar që të ndërmerren hapa konkrete për paqen atje, ku, mbi të gjitha, pasojat e luftës prekin të miturit, civilët dhe vendet e kultit. Jeta është e shenjtë, përsërit pa u lodhur Pasardhësi i Pjetrit.

Respektimi i së drejtës ndërkombëtare humanitare

Pas lutjes mariane, Papa kujtoi se nesër, 28 tetor, do të hapet në Gjenevë Konferenca Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe e Gjysmëhënës së Kuqe, të cilën ai e cilëson si “të rëndësishme”, 75 vjet pas Konventave të Gjenevës. Shpreh edhe besimin, në dritën e konflikteve në botë, ku mijëra njerëz, shumica fëmijë, humbasin jetën çdo ditë:

“Uroj që kjo ngjarje të zgjojë ndërgjegjet, në mënyrë që gjatë konflikteve të armatosura të respektohet jeta dhe dinjiteti i individëve dhe i popujve, si dhe integriteti i strukturave civile dhe i objekteve të kultit, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare. Është e trishtueshme të shohësh se si në luftë, në disa vende, shkatërrohen spitalet dhe shkollat”.

Shumë viktima të pafajshme!

Duke vijuar bisedën me turmën nga dritarja e Pallatit Apostolik, Papa nuk harroi t’i ftojë të gjithë të luten për paqe. Këtë të diel mendimet e tij të pikëlluara shkuan te viktimat e vogla, fëmijët. Kujtoi konfliktet në Ukrainë, Palestinë, Izrael, Liban, duke kërkuar "t'i jepet fund shkallëzimit dhe respektimi i jetës njerëzore, që është e shenjtë, të jetë në vendin e parë!":

“Viktimat e para atje janë në mesin e popullatës civile: e shohim çdo ditë. Shumë viktima të pafajshme! Çdo ditë shohim figura fëmijësh të masakruar! Shumë fëmijë! Të lutemi për paqe!”.

Kujtimi i priftit Perez,  vrarë në Meksikë: qoftë farë paqeje!

Papa Bergoglio kujtoi edhe atë, që e quan "Kisha e dashur e San Cristóbal de las Casas, në shtetin meksikan të Chiapas”, e cila mban zi për priftin Marcelo Pérez, vrarë të dielën e kaluar". Kujton priftin vendas, me një ngushëllim të përzemërt dhe të hidhur:

“Ishte shërbëtor i zellshëm i Ungjillit dhe i popullit besnik të Zotit. Flijimi i tij, si i priftërinjve të tjerë të vrarë për besnikëri ndaj shërbimit, qoftë farë e paqes dhe e jetës së së krishterë”.

Autori i dyshuar i vrasjes u arrestua, njoftoi më 22 tetor guvernatori i shtetit Rutilio Escandón. Pérez punonte për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe e kishte denoncuar vazhdimisht krimin. Presidentja e re meksikane Claudia Sheinbaum saktësoi se hetimi i është besuar Prokurorit të Përgjithshëm.

Pérez, 51 vjeç, u vra pas kremtimit të meshës në qytetin e San Cristóbal de Las Casas. Përfitoi nga masat parandaluese të mbrojtjes të Komisionit Ndër-Amerikan për të Drejtat e Njeriut. Anëtar i grupit etnik Mayan Tzotzil, qe kërcënuar disa herë, me sa duket për raportet e tij mbi trafikun e drogës dhe krimin.

Mendim për Filipinet e goditura nga stuhia Trami

Françesku shprehu afërsinë e tij edhe "me popullsitë e Filipineve, të goditura nga një ciklon shumë i fortë". Është stuhia tropikale Trami, ndër më vdekjeprurëset dhe më shkatrrimtaret në arkipelagun e Azisë Juglindore deri tani. Këtë vit ka shkaktuar pothuajse 130 viktima, ndërsa shumë zona mbeten të izoluara dhe njerëzit kanë nevojë për shpëtim. Numri i të vdekurve pritet të rritet.

Zoti e mbrojtë atë popull plot me fe!

27 tetor 2024, 16:48