Kërko

Il Papa in San Pietro per veglia penitenziale pre-Sinodo Il Papa in San Pietro per veglia penitenziale pre-Sinodo

Lutja Pendestare sinodale me Papën Françesku në Vatikan

Françesku kryeson vigjiljen e liturgjisë pendestar në Bazilikën e Shën Pjetrit që përfundon tërheqjen shpirtërore parapërgatitore për Sinodin. Shtatë kardinaj lexuan kërkesat për falje për mëkatet e abuzimit seksual dhe pushtetit, indiferencës ndaj migrantëve, kundër paqes, grave, popullsive indigjene, për doktrinën që përdoret si gurë për të goditur, për mungesën e dëgjimit. Në Bazilikë dëshmitë rrëqethëse të tre të mbijetuarve: dhuna nga një prift, nga një zbarkim, nga lufta në Siri

R.SH. – Vatikan

Papa Françesku kryesoi sot, së bashku me anëtarët e Asamblesë Sinodale, që fillon nesër në Vatikan, Lutjen Pendestare, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, në orën 18, me të cilën iu kërkua Zotit falje për të gjitha mëkatet. Madje, siç nënvizoi Ati i Shenjtë: “Kërkojmë falje, duke pasur turp, edhe atyre që janë lënduar nga mëkatet tona”.

Shtatë kardinaj - Gracias, Czerny, O'Malley, Farrell, López Romero, Fernández, Schönborn - bëhen zëri i Kishës për të kërkuar faljen e Zotit për plagët që "nuk ndalojnë gjakderdhjen" midis njerëzve, besimi i të cilëve është thyer. Një nga një kardinajt i lexuan këto ndjete lutjeje e ndjese në Bazilikën e Vatikanit gjatë vigjiljes pendestare që mbyll tërheqjen shpirtërore parapërgatitore për Asamblenë e Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve, e cila do të hapet nesër në mëngjes, më 2 tetor, me një Meshë solemne në Sheshin e Shën Pjetrit.

Vetë Papa i ka shkruar personalisht disa nga kërkesat për falje, që u lexuan nga kardinajtë, sepse, siç pohoi Françesku, “Kisha është gjithmonë Kishë e të varfërve në shpirt dhe e mëkatarëve, që kërkojnë falje, e jo vetëm e të drejtëve dhe e shenjtorëve, madje, është e të drejtëve dhe e shenjtorëve, që e pranojnë se janë të varfër e mëkatarë”. “Si mund të jemi të besueshëm në mision  - pyeti Ati i Shenjtë - nëse nuk i njohim gabimet tona dhe nuk përkulemi për të shëruar plagët, që kemi shkaktuar me mëkatet tona?”

Papa komentoi shëmbëlltyrën ungjillore të lexuar gjatë kremtimit, marrë nga kreu 18 i Shën Lukës, ku flitet për fariseun e tagrambledhësin, që shkuan të luteshin në sinagogë. I pari, veç për t’u dukur, vërejti Bergoglio. “Sa herë në Kishë sillemi në këtë mënyrë? Sa herë e kemi zënë edhe ne gjithë hapësirën, me fjalët, me gjykimet, me titujt tanë, me bindjen se kemi vetëm merita?” Sot, vërejti Ati i Shenjtë, të gjithë jemi si tagrambledhësi, i kemi sytë ulur dhe na vjen turp për mëkatet tona. Ashtu si ai, rrimë prapa, duke e liruar hapësirën e zënë nga mendjemadhësia, hipokrizia dhe krenaria.

Falja duhet kërkuar, por edhe duhet dhënë, për të rivendosur bashkimin me Krishtin. Si mund të jemi Kishë sinodale pa pajtim, pyeti Papa, duke nënvizuar se u duhet kërkuar falje jo vetëm vëllezërve e motrave, por edhe Tokës e të gjitha krijesave. “Përballë së keqes dhe vuajtjes së pafajshme pyesim: ku je o Zot? Por ne duhet t'ia drejtojmë vetes pyetjen dhe t’i shqyrtojmë përgjegjësitë që kemi kur nuk arrijmë ta ndalojmë të keqen me të mirë. Nuk mund të pretendojmë t’i zgjidhim konfliktet duke nxitur dhunën, që bëhet gjithnjë e më brutale, të na falin nëse shkaktojmë dhimbje, të shpëtojmë vetveten përmes vdekjes së të tjerëve. Si mund të jemi të lumtur, kur kjo lumturi paguhet me çmimin e fatkeqësive të vëllezërve dhe motrave tona?”

Papa vuri në dukje vlerën e rrëfimit, në fillim të kësaj Asambleje sinodale, që nesër, do të nisë me lutjen “Adsumus” drejtuar Shpirtit Shenjt që t’i ndihmojë ipeshkvijtë e mbledhur në Vatikan në shoshitjen e çështjeve të Kishës. E duke iu drejtuar brezave të rinj, Françesku nënvizoi: “Ne e kemi bërë pjesën tonë, edhe atë të gabimeve. Të vazhdojmë në mision me aq sa kemi mundësi, por tani ju drejtohemi ju të rinjve, që prisni t’ju kalojmë dëshminë, duke kërkuar falje edhe nga ju, nëse nuk kemi qenë dëshmitarë të besueshëm”.

 Së fundi, Ati i Shenjtë kërkoi për Sinodin ndërmjetësimin e  Shën Terezës së Krishtit Fëmijë, pajtores së misioneve, festa liturgjike e së cilës kremtohet sot, 1 tetor.

01 tetor 2024, 18:28