Qu Dongyu, drejtori i përgjithshëm i FAO-s dhe Papa Françesku, 2023 Qu Dongyu, drejtori i përgjithshëm i FAO-s dhe Papa Françesku, 2023

Në Ditën Botërore të Ushqimit, Papa kërkon të mos harrohen nevojat e të uriturve

Ati i Shenjtë i dërgon një mesazh Drejtorit të Përgjithshëm të FAO-s, Qu Dongyu, me rastin e Ditës Botërore të Ushqimit 2024, që kremtohet sot, 16 tetor: “Vetëm nëse e marrim idealin e drejtësisë si udhërrëfyes për veprimet tona, mund t’i plotësojmë nevojat e njerëzve”

R.SH. – Vatikan

“Vendimmarrësit politikë dhe ekonomikë në shkallë ndërkombëtare duhet të dëgjojnë kërkesat e atyre, që janë në fund të zinxhirit ushqimor, si fermerët e vegjël dhe formacionet e ndërmjetme shoqërore, si familja, të cilat janë të përfshira drejtpërdrejt në ushqimin e njerëzve". Kjo është një nga kërkesat e Papës Françesku në mesazhin e tij për drejtorin e përgjithshëm të FAO-s, Qu Dongyu, në kuadër të Ditës Botërore të Ushqimit 2024, e cila kremtohet këtë të mërkurë, 16 tetor.

E drejta për ushqim

Papa pohon se "e drejta për ushqim, për një jetë dhe një të ardhme më të mirë" është parësore, "pasi ajo plotëson një nga nevojat themelore të qenies njerëzore, të ushqehet për të jetuar në përputhje me standardet e duhura cilësore dhe sasiore, që garantojnë ekzistencën dinjitoze të njeriut”. Megjithatë, vëren ai, kjo e drejtë shpesh cënohet "dhe nuk zbatohet si duhet, me pasoja tejet të dëmshme".

Parimet e subsidiaritetit dhe të solidaritetit

Po kështu, Papa thekson nevojën për të marrë parasysh parimet e subsidiaritetit dhe të solidaritetit, për t’i vënë në bazën e programeve dhe projekteve të zhvillimit, "në mënyrë që të mos shtyhet kurrë dëgjimi i vërtetë i nevojave që vijnë nga poshtë, i punëtorëve dhe i fermerëve, i të varfërve dhe i të uriturve, si edhe i atyre, që jetojnë me vështirësi, në zona të izoluara rurale”.

Paradigma e ekologjisë së gjithanshme

Ati i Shenjtë thekson se njerëzimi, i lënduar nga kaq shumë padrejtësi, ka nevojë urgjente të vihen në jetë masa të frytshme për përmirësimin e jetesës e ai vetë, pikërisht këtë kishte ndërmend kur propozoi "paradigmën e ekologjisë së gjithanshme". Me të, merren parasysh “nevojat e çdo njeriu dhe të të gjithë njerëzve, në mënyrë që dinjiteti i tyre të mbrohet në marrëdhënie me të tjerët dhe në lidhje të ngushtë me kujdesin për Krijimin e Zotit”.

“Vetëm nëse e marrim idealin e drejtësisë si udhërrëfyes për veprimet tona, mund të plotësohen nevojat e njerëzve”, vëren Papa Françesku.

Aleanca ndërmjet brezave

Ipeshkvi i Romës kërkon të prekemi nga gjendja e të tjerëve dhe të merren vendime, duke u bazuar në solidaritetin me ta. Në këtë mënyrë, thekson Papa, mbrojtja e brezave të ardhshëm do të shkojë paralelisht me dëgjimin dhe veprimin në favor të kërkesave të brezave të sotëm. Si? “Përmes një aleance brenda dhe ndërmjet brezave, që na bën thirrje të gjithëve për vëllazërim dhe i jep një kuptim të ri, më autentik, bashkëpunimit ndërkombëtar, bashkëpunim që duhet ta inkurajojë këtë Organizatë (FAO-n) dhe gjithë sistemin shumëpalësh”, shkruan Pasardhësi i Pjetrit.

Inkurajimi i Selisë së Shenjtë dhe i Kishës Katolike

Papa parashikon që në këtë rrugë të mbushur me pengesa dhe vështirësi, njëkohësisht edhe “emocionuese e plot sfida”, “bashkësia ndërkombëtare do të ketë inkurajimin e Selisë së Shenjtë dhe të Kishës Katolike”. Të dyja "nuk reshtin së ofruari kontributin e tyre këmbëngulës që të gjithë të kenë ushqim në sasinë dhe në cilësinë e duhur për veten dhe familjet e tyre, në mënyrë që çdo njeri të bëjë një jetë dinjitoze dhe plaga e dhimbshme e mjerimit dhe e urisë të zhduket përfundimisht në botë”.

16 tetor 2024, 14:28