Karrigia me rrota Mekong, e dhuruar Papa Françeskut nga At Figaredo (foto e kreditit Vivian Richards, SJ) Karrigia me rrota Mekong, e dhuruar Papa Françeskut nga At Figaredo (foto e kreditit Vivian Richards, SJ) 

Një karrige me rrota: dhuratë Papës, nga të mbijetuarit e luftës

Ati sinodal Enrique Figaredo, jezuit dhe prefekt apostolik i Battambang, i dhuroi Françeskut një lloj të veçantë të "silla de rueda" prodhuar nga një laborator në Phnom Penh, ku gjejnë punë, shpengim, dinjitet njerëz të gjymtuar nga bombat grupore dhe minat kundër personelit ose të paaftë nga mungesa e vaksinave. "Një sakrament jete, sepse ndryshon jetën e njerëzve, veçanërisht atyre, që flaken në skutat e jetës. Shpresojmë se do t’i japë forcë dhe energji pozitive Papës, për të ecur përpara"

R. SH. - Vatikan

Personat me aftësi të kufizuara, të gjymtuar, për shembull, nga mungesa e vaksinave kundër poliomielitit, dhe të mbijetuarit e minave kundër personelit ose bombave thërrmuese në Kamboxhia, flasin për të si  "për një vepër arti". Për njerëzit e varfër ose të gjymtuar nga lufta që shpengohen në mjeshtëri a në punë krahu, nuk mund të jetë ndryshe.

Dhurata e veçantë për Papën ka mbërritur në Vatikan, nga zemra e Kamboxhias: Quhet “Karroca me rrota Mekong”. E punuar tërësisht me dorë, u krijua nga ndërmarrja sociale dhe bamirëse Motivation International si pjesë e projektit Banteay Prieb, laborator jashtë Phnom Penh, i krijuar nga jezuitët që në vitin 1994, i cili merret me edukimin teknik të njerëzve me aftësi të kufizuara. Aktualisht atje studiojnë më shumë se 200 studentë të mbështetur nga shoqatat Manos Unidas, Misereor, Obos.

Dhuratë, nga Atë Figaredo

Silla de rueda iu dorëzua këtë mëngjes, 23 tetor, Papës Françesku jashtë Sallës Pali VI, para fillimit të punës së sinodit, nga Atë Enrique Figaredo SJ, jezuit me origjinë nga Asturias, Prefekt Apostolik i Battambangm dhe president që nga viti 2000 i Caritas-it lokal si dhe anëtar i asamblesë. Kujdeset edhe për nevojtarët për gati 35 vjet, që kur filloi të punojë në kampet e refugjatëve në kufirin ndërmjet Tajlandës dhe Kamboxhias, në 1985. “Simbol solidariteti” e cilëson dhuratën e bërë Papës, duke folur për mediat e Vatikanit. E edhe simbol i qëndrueshmërisë dhe dhembshurisë, si dhe i shpresës që u rikthen lëvizjet, dinjitetin dhe pavarësinë një mori njerëzve.

Karrigia me rrota nga Kamboxhia, dhuruar sot Papës
Karrigia me rrota nga Kamboxhia, dhuruar sot Papës

Dinjitet për të sëmurin e të braktisurit

E bërë prej druri, me tri rrota, karroca është projektuar për t'u përshtatur me aftësitë e kufizuara lokale, me situatën kulturore dhe sociale të vendit, por mbi të gjitha, me rrugët e tij të këqija. Një mjet unik për fshatrat e largëta, ku jetojnë njerëz që kanë pësuar aksidente ose kanë humbur të gjitha mundësitë për të siguruar mjetet e jetesës. Janë të mbijetuar të luftës, njerëz të varfër ose të gjymtuar gjatë konfliktit të përgjakshëm civil në Kamboxhia. Aty ku, ndër të tjera, njerëzit me aftësi të kufizuara izolohen apo mbahen në skutat e jetës shoqërore. Edhe këta janë si fëmijët, të cilët nuk mund të shkojnë në shkollë apo të bëjnë një jetë normale pa karrocë. Një karrige, pra, e shndërron jetën e tyre, sepse i bën  përsëri aktivë në bashkësi. Jo vetëm kaq, por fitojnë edhe mundësi për punë, sepse shumë të mbijetuar bëhen ndihmës dhe shoqërues për personat e tjerë me aftësi të kufizuara.

Një dhuratë sot Papës, para se të nisin punimet e Sinodit
Një dhuratë sot Papës, para se të nisin punimet e Sinodit

Pushteti i solidaritetit

Papa Françesku që, i detyruar vitet e fundit të udhëtonte në distanca të gjata me karrocë, për shkak të problemeve në gju, "ka qenë gjithmonë kampion i të përjashtuarve, tani e ndan me ta këtë mision dhembshurie" - nënvizon Atë Figaredo, i njohur në turmën e etërve sinodik për Kramën e tij, shallin me kuadrate tipike për veshjet kamboxhiane. “Udhëtimi i kësaj karrigeje na kujton të gjithëve fuqinë e dashurisë, të shërimit, të solidaritetit”. Njerëzit e punësuar në projekt, ku u krijua karroca e famshme “Mekong” - thotë jezuiti, aktiv edhe në Fushatën Ndërkombëtare për Ndalimin e Minave Tokësore (ICBL) - "prodhojnë rreth njëqind karrige me rrota në muaj" duke shpërndarë më shumë se 1400 kopje të kësaj karrige në të gjithë vendin. T’ia dhurosh një Pape është shenjë e madhe për ata që punojnë për paqen dhe pajtimin në botë. Viktimat e luftës i ofrojnë një karrige me rrota “që nga kjo karrigë Papa të flasë për paqen”.

At Enrique Figaredo me karrigen Makong dhuruar Papës
At Enrique Figaredo me karrigen Makong dhuruar Papës

"Sakramenti" i jetës

Françesku e priti me kënaqësi karrigen e cila në anën e pasme mban stemën e papës dhe anash vizatimet e dy pëllumbave. "Ai ishte i kënaqur dhe gjithashtu i mahnitur sepse ishte një karrige me rrota ndryshe." Ajo e silla-s është "teknologji e mirë sepse grupe si Handicap International, që na mbështetën fillimisht, dhe më pas Motiva International, e cila na ndihmoi ta dizajnojmë atë, të krijojmë produkte cilësore me thjeshtësi dhe përballueshmëri". “Janë karrige praktike për fshat. Kur ia shpjegova Atit të Shenjtë, u gëzua shumë. E tha: mirë, sot do ta përdor. Më pas u ul, por ndoshta ajo ishte pak e gjatë”- buzëqesh Figaredo. Megjithatë, ai thotë se është i lumtur që e ka parë Papën "të lumtur dhe krenar për faktin se nga Kamboxhia marrim atë që për mua është një sakrament i jetës, sepse është një shenjë e dukshme që ndryshon jetën e njerëzve, veçanërisht atyre të skutave ". Shpresa është që në një farë mënyre "do të ndryshojë edhe jetën e Papës, duke i dhënë atij forcë dhe energji pozitive për të ecur përpara.

23 tetor 2024, 15:58