Papa, 7 tetori ditë lutjeje dhe agjërimi për paqe

'Të dielën në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, në Romë, urata e rruzares shenjte dhe lutja drejtuar Virgjrën Mari për të kërkuar dhuratën e paqes në botë'

R.SH. / Vatikan

Para rritjes së tensioneve në Lindje të Mesme, bombave dhe raketave që vazhdojnë të bien në Ukrainë e “torturuar”, mes shumë konflikteve tjera të vogla dhe të mëdha që i dërmojnë dhe i vrasin popujt afrikanë edhe nga uria, ndërsa me pak fjalë “erërat e luftës dhe zjarret e dhunës vazhdojnë të shqetësojnë popuj dhe kombe të tëra”, Papa larton "lutjen" e Kishës, përmes agjërimit dhe përgjërimit të miliona besimtarëve në botë, për t'i kërkuar Zotit dhuratën e paqes në një botë në buzë greminës.

Më 7 tetor ditë lutjeje e agjërimi për paqe

Kështu sot në përfundim të Meshës solemne kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, me rastin e hapjes së sesionit të dytë të Asamblesë së Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve,  Papa Françesku shpalli Ditën e lutjes dhe agjërimit për paqen botërore më 7 tetor të ardhshëm, në përvjetorin e parë të sulmit terrorist të kryer nga Hamasi në Izrael, i cili shpërtheu me brutalitetin që është shfaqur në Tokën e Shenjtë prej një viti:
I kërkoj të gjithëve të jetojnë një ditë lutjeje dhe agjërimi për paqen në botë.

Më 6 tetor lutja drejtuar Zojës Mari në Santa Maria Maggiore

Gjithnjë në fund të predikimit të Meshës së sotme, Papa njoftoi gjithashtu edhe një vizitë të re papnore në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, në Romë, të dielën e ardhshme më 6 tetor, për t'i drejtuar një lutje të përgjëruar për paqe Zojës së Bekuar. Një takim shpirtëror në të cilin Ati i Shenjtë Bergoglio kërkoi pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të Sinodit që janë mbledhur në Romë:
Për të kërkuar dhuratën e paqes nga ndërmjetësimi i Shën Mërisë, të dielën e ardhshme do të shkoj në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe ku do të recitoj Rruzaren e Shenjtë dhe do t'i drejtoj një lutje të përgjëruar Virgjrës Mari. 

"Vëllezër dhe motra, ta rifillojmë këtë rrugëtim kishtar me një vështrim drejt botës, sepse komuniteti i krishterë është gjithmonë në shërbim të njerëzimit, për t’u shpallur gëzimin e Ungjillit të gjithëve. Ka nevojë për të, sidomos në këtë orë dramatike të historisë sonë, ndërsa erërat e luftës dhe zjarret e dhunës vazhdojnë të përçajnë popuj dhe kombe të tëra”, tha ai Papa.

02 tetor 2024, 11:20