Papa: ëndërroj një komunikim që t’i mbajë ndezur reflektorët mbi të fundmit
R.SH. – Vatikan
Thirrja është një detyrë "e madhe dhe entuziazmuese", njëkohësisht, "vokacion dhe mision": kështu u shpreh sot paradite Papa Françesku, në audiencë me rreth 300 pjesëmarrësit në asamblenë e përgjithshme të Dikasterit vatikanas të Komunikimit, kryesuar nga prefekti Paolo Ruffini. Kujtojmë se në këtë Dikaster bën pjesë edhe Radio Vatikani, pra, edhe ne të programit shqip. Në sallën Klementine të Pallatit Apostolik, Papa përshkroi "identikitin e komunikatorit të mirë", atij, që mbahet pas së vërtetës dhe drejtësisë, gjithnjë gati për të përhapur Ungjillin:
“Jeni të thirrur për një detyrë të madhe dhe entuziazmuese: atë të ndërtimit të urave, kur shumë ndërtojnë mure, mure ideologjish; atë të promovimit të bashkimit, kur shumë nxisin ndarjen; atë të përfshirjes në dramat e kohës sonë, kur shumë preferojnë indiferencën. Dhe kjo kulturë e indiferencës, kjo kulturë e “larjes së duarve”: ‘Kjo s’ka të bëjë me mua. Të bëjnë ç’të duan’… Kjo dhemb shumë!”
Zhvilloni krijimtarinë e kujdes koston
Krijimtaria, teknologjia e përdorur me “inteligjencë”, por sidomos zemra, janë mjete themelore për punonjësit e mediave të Vatikanit, vijoi Françesku, që dashuria për Zotin të kumbojë në çdo shprehje të jetës komunitare, larg skemave politike apo korporative. E Papa nuk harron edhe “vështirësitë ekonomike e nevojën për të ulur shpenzimet”, që ndikojnë në profesionin e gazetarit:
“Dua t'ju them një gjë, duhet të jemi ende pak më tepër të disiplinuar me paratë. Duhet të gjeni mënyra për të kursyer më shumë dhe të kërkoni fonde të tjera, sepse Selia e Shenjtë nuk mund të vazhdojë t'ju ndihmojë si tani. E di që është lajm i keq, por është lajm i mirë, sepse nxit krijimtarinë e të gjithëve”.
Në bazë të gjithçkaje, nënvizon Papa, është ëndrra për një komunikim, që lidh “njerëzit dhe kulturën”, që tregon dhe vlerëson “çdo cep të botës”.
“Për këtë arsye, jam i kënaqur kur mora vesh se jeni impenjuar për ta shtuar ofertën e mbi pesëdhjetë gjuhëve, me të cilat komunikojnë mediat e Vatikanit, duke shtuar gjuhën lingale, mongole dhe kanade”.
Kujdes të fundmit e kërkoni dialogun, përtej parrullave
Ftesa e Papës për gjithë komunikatorët e krishterë është të dalin, të guxojnë, të rrezikojnë më shumë, duke hequr pak dorë nga vetja për t'i lënë vend tjetrit dhe për ta treguar realitetin "me ndershmëri e pasion", me kompetencë e kureshtje:
“Ëndërroj komunikimin nga zemra në zemër, duke u përfshirë në ç’është njerëzore, duke u prekur nga tragjeditë e përjetuara nga kaq shumë vëllezër e motra… Ëndërroj një komunikim, që di të shkojë përtej parrullave dhe të mbajë në qendër të vëmendjes të varfërit, të fundmit, migrantët, viktimat e luftës. Një komunikim, që promovon përfshirjen, dialogun, kërkimin e paqes”.
Bukuria e takimit të vërtetë nuk duhet të zëvendësohet nga ajo virtuale
Sfida, kujtoi Papa, është edhe ajo e gjuhëve dhe shtigjeve të reja, që banojnë në botën dixhitale: komunikatorët nuk duhet të kenë frikë nga ndryshimi, vërejti Françesku, për sa kohë që kjo nuk do të thotë banalizim, ose "zëvendësim" me takimin online, të “bukurisë” së marrëdhënieve njerëzore "të vërteta, konkrete, nga njeriu tek njeriu", ato të mbrujtura me stil ungjillor.
“Më ndihmoni, ju lutem, t'ia bëj të njohur botës Zemrën e Jezusit, përmes dhembshurisë për këtë tokë të plagosur… Më ndihmoni me një komunikim, që është mjet për bashkim”.
Shpresa në historitë e vogla dhe të mëdha të së mirës
Së fundi, shpresa ishte kujtesa e fundit - por jo më pak e rëndësishme – në fjalët e Papës Françesku:
“Edhe pse bota është tronditur nga dhuna e tmerrshme, ne të krishterët dimë t'i shikojmë flakëzat e shumta të shpresës, historitë e shumta të së mirës, të vogla e të mëdha”.
Prandaj, shpresa dhe feja janë virtytet që komunikatorët e krishterë duhet të dëshmojnë në botë, veçanërisht në prag të Jubileut të afërt.
Një përshëndetje e veçantë
Para se të përfundonte audiencën, Françesku i drejtoi një përshëndetje të veçantë Gloria Fontana-s, përgjegjëse e Zyrës Rei të Dikasterit, që del në pension:
“Sot është dita jote e fundit në punë: Shpresoj të të bëjnë një festë! [Duartrokitje] Epo, pas 48 vitesh shërbimi: ke hyrë në ditën e Kungimit të Parë, besoj... [duartrokitje dhe të qeshura]. Bëre një shërbim të madh pa u dukur, duke iu përkushtuar transkriptimit të fjalimeve të Papës”.