Papa dhe Zelensky, 35 minuta bisedë: dhuratë, një pikturë mbi masakrën e Buçës
R.SH. – Vatikan
Tmerri i Buçës i parë përmes syve të Mariçkës, një vajzë e vogël imagjinare para së cilës ushtarët rusë torturuan dhe vranë babanë, nënën dhe gjyshen. Në audiencën e mëngjesit të sotëm (11 tetor) të Papës Françesku me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, pritur në Vatikan, doli në pah masakra e mbi 630 civilëve, dy vjet më parë, në qytetin pak kilometra në veri të Kievit – ajo, që autoritetet ukrainase e përkufizojnë si "gjenocid" e për të cilën kanë kërkuar hetime të thelluara nga Gjykata Penale Ndërkombëtare. Pas bisedës private në dhomën e bibliotekës, që zgjati rreth 35 minuta, presidenti ukrainas i dha Papës një pikturë në vaj të një vajze të vogël, Mariçkës, e cila me sytë e shuar, shallin dhe pallton kafe, përfaqëson të gjithë banorët e Buçës, që pësuan rrëmbime, tortura, grabitje, përdhunime, madje edhe të miturish. Një broshurë, bashkangjitur me veprën, paraqet hollësisht faktet. Zelensky deshi t’ia jepte këtë dhuratë Papës për të tërhequr edhe një herë vëmendjen e botës mbi mizoritë e përjetuara nga populli i tij. Popull, i cili, që prej dy vjetësh e gjysmë, shpreson në paqen, "një lule e brishtë", siç thuhet në mbishkrimin e pllakës prej bronzi, që i dha Papa, nga ana e tij, liderit ukrainas.
Dialog i rezervuar
Volodymyr Zelensky mbërriti në Vatikan me një vonesë të vogël, i shoqëruar nga një kordon shumë i gjatë makinash, në një Romë jashtëzakonisht të blinduar.
Makina e presidentit ukrainas, pa shenja si stema apo flamuj, mbërriti në orën 9.40 në Oborrin e Shën Damasit. Papa Françesku e priti në Sallën e Bibliotekës së Pallatit Apostolik. Shtrëngim duarsh, disa batuta fillestare, më pas biseda me dyer të mbyllura, që zgjati mbi gjysmë ore, deri në orën 10.20, mbi temat e luftës dhe paqes për Ukrainën, e cila gjithmonë është cilësuar si "e martirizuar” nga Ati i Shenjtë.
Dhuratat
Në kohën e shkëmbimit tradicional të dhuratave, Papa, përveç pllakës së bronzit “Paqja është një lule e brishtë”, i dha të ftuarit Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes 2024, atë kushtuar Inteligjencës Artificiale, që ka rrezik “ta keqësojë çmendurinë e luftës”. Më pas vëllimet e dokumenteve papnore, libri mbi Statio Orbis të 27 marsit 2020, redaktuar nga Libreria Editrice Vaticana, dhe vëllimi, i botuar gjithashtu nga LEV, "Të persekutuar për të vërtetën, greko-katolikët ukrainas pas perdes së hekurt". Ky i fundit është një album fotografik me ngjyra, rezultat i një projekti kërkimor të Institutit të Historisë së Kishës të Universitetit Katolik të Ukrainës mbi jetën klandestine të Kishës Greko-Katolike ukrainase, për të dokumentuar trashëgiminë e martirëve dhe të dëshmitarëve të fesë. Ata që njihen, më pak të njohurit dhe të paemrit.
Bisedat në Sekretarinë e Shtetit
Pasi Papa përshëndeti delegacionin - nëntë anëtarë, përfshirë ambasadorin ukrainas në Selinë e Shenjtë, Andrii Yurash dhe kreun e Kabinetit të presidentit të Ukrainës, Andrij Jermak - Zelensky shkoi në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit për bisedime.