Papa para fugures së Zojës Salus Populi Romani Papa para fugures së Zojës Salus Populi Romani

Papa Françesku kryeson lutjen e Rruzares për paqen në këtë 'botë në rrezik'

Papa Françesku, së bashku me anëtarët e Sinodit mbi sinodalitetin, tha sot pasdite, në bazilikën e Zojës së Madhe, në Romë, lutjen e Rruzares Shenjte për paqen në botë, që dhuna dhe urrejtja të fshihen nga zemrat njerëzore

R.SH. – Vatikan

         “O Mbretëreshë e Paqes… shndërroji zemrat e atyre që nxisin urrejtjen, heshtoje zhurmën e armëve që sjellin vdekjen, shuaje dhunën që e bren zemrën e njerëzimit dhe frymëzo projekte për paqe në veprimet e atyre, që qeverisin kombet".

Dalë nga shpirti i munduar i një Pape, që lutet çdo ditë për paqen në botë e çdo të mërkurë e të dielë e bën edhe publikisht, pa pushim, kjo ishte një nga pjesët e lutjes, që Papa Françesku i drejtoi sot pasdite, 6 tetor, Zojës së Bekuar në Bazilikën romake të Shën Marisë së Madhe, ku tha Rruzaren Shenjte bashkë me pjesëmarrësit në Sinodin mbi sinodalitetin, që zhvillohet këtë muaj në Vatikan. I pati thirrur për këtë lutje në Bazilikën e Shën Pjetrit edhe vitin e kaluar, edhe atëherë, kur mbahej Sinodi në Vatikan, por kur, në ndryshim nga gjendja aktuale, lufta në Lindjen e Mesme sapo kishte filluar. Skenari aktual mund ta çojë botën në humnerë, me përhapjen e dhunës e të tensionit në Palestinë, Izrael, Iran e Liban.

"Fshiji lotët e atyre që vajtojnë"

Në bazilikën e Zojës së Madhe, Papa mbërriti para orës 17, nga një hyrje anësore, pasi përshëndeti një vajzë të vogël dhe të tjerë të pranishëm. Shumë njerëz u mblodhën jashtë, në tremen e kishës, duke e ndjekur kremtimin nga ekranet e mëdha e duke i thënë misteret e Rruzares bashkë me ata, që ishin ulur brenda. Papa Françesku, që tashmë e ka kaluar numrin 150 të vizitave të tij në këtë bazilikë, u ul, pasi vendosi një qiri dhe lule nën fuguren e Zojës, duke u lutur në heshtje për disa çaste.

Pastaj, leximet e lutja e tij për paqen, me të cilën Papa solli para Virgjërës Shenjte pikëllimet dhe shpresat e popujve në luftë, ndërsa u ul nën ikonën e lashtë të Shën Marisë Salus Populi Romani (Shpëtim i Popullit të Romës).

“E lartojmë vështrimin drejt teje, zhytemi në sytë e tu dhe i besohemi zemrës sate”, u lut Ati i Shenjtë, duke vënë në dukje se në jetën e saj tokësore, Maria iu afrua njerëzve në nevojë.

Papa nënvizoi se aktualisht, njerëzimi e ka të domosdoshëm vështrimin e saj plot dashuri, që na fton të besojmë te Biri i saj, Jezu Krishti.

"Eja e na ndihmo në këto kohë të zymta nga padrejtësitë dhe të përshkuara nga luftërat shkatërrimtare" u lut Françesku. “Fshiji lotët nga fytyrat e vuajtura të atyre, që vajtojnë humbjen e të afërmve, na zgjo nga përhumbja, që na e ka errësuar rrugën dhe çarmatosi zemrat nga armët e dhunës”.

Të çmojmë jetën dhe të refuzojmë luftën

Ati i Shenjtë shprehu shqetësimin e tij për faktin se bota është në rrezik, pasi njerëzimi e ka humbur “gëzimin e paqes dhe ndjenjën e vëllazërimit”. U lut që çdo njeri të mësojë si "ta çmojë jetën dhe të refuzojë luftën, të kujdeset për ata që vuajnë, të varfërit, të pambrojturit, të sëmurët dhe të shtypurit, si edhe të mbrojë Shtëpinë tonë të Përbashkët".

Në përfundim, Papa Françesku i kërkoi Marisë, Mbretëreshës së Rruzares, të zgjidhë “nyjet e egoizmit dhe të shpërndajë retë e errëta të së keqes”, duke na mbushur me butësinë e saj.

Ja lutja e plotë e Papës për paqen:

         O Mari, Nëna jonë, jemi përsëri këtu para teje. Ti i di dhimbjet dhe vështirësitë, që këto orë na e rëndojnë zemrën. E lartojmë vështrimin drejt teje, zhytemi në sytë e tu dhe i besohemi zemrës tënde.

Edhe ty, o Nënë, jeta të ka rezervuar sprova të vështira dhe shqetësime njerëzore, por ti ishe guximtare dhe sypatrembur: ia besove gjithçka Zotit, iu përgjigje me dashuri, u ofrove pa u kursyer. Si Grua e guximshme e bamirësisë, shkove shpejt për të ndihmuar Elizabetën, e kuptove menjëherë nevojën e bashkëshortëve gjatë dasmës së Kanës; me qëndresë, në Kalvar, natën e dhimbjes e ndriçove me shpresën e Pashkëve. Së fundi, me butësinë e nënës, u dhe guxim dishepujve të frikësuar në Çenakull dhe, me ta, prite dhuratën e Shpirtit Shenjt.

E tani po të lutemi: dëgjoje britmën tonë! Kemi nevojë për vështrimin tënd plot dashuri, i cili na fton t’i besojmë Birit tënd Jezus. Ti që je gati t’i bësh tuat dhimbjet tona, eja e na ndihmo në këto kohë të zymta nga padrejtësitë dhe të përshkuara nga luftërat shkatërrimtare, fshiji lotët nga fytyrat e vuajtura të atyre, që vajtojnë humbjen e të afërmve, të bijve, na zgjo nga përhumbja, që na e ka errësuar rrugën dhe çarmatosi zemrat nga armët e dhunës, që të realizohet menjëherë profecia e Isaisë: «Shpatat e veta do t’i kthejnë në plorë e heshtat në drapërinj. Një popull nuk do ta ngrejë shpatën kundër një populli tjetër dhe më s’do të ushtrohen për luftë” (Is 2,4).

O Nënë, ktheje vështrimin tënd amnor drejt familjes njerëzore, e cila e ka humbur gëzimin e paqes dhe ndjenjën e vëllazërimit. O Nënë, ndërmjetëso për botën tonë në rrezik, që ajo ta ruajë jetën dhe të refuzojë luftën, të kujdeset për ata që vuajnë, për të varfërit, të pambrojturit, të sëmurët dhe të shtypurit, si edhe të mbrojë Shtëpinë tonë të Përbashkët.

Kërkojmë prej Teje, o Nënë, mëshirën e Zotit, ti që je Mbretëresha e Paqes! Shndërroji zemrat e atyre që nxisin urrejtjen, heshtoje zhurmën e armëve që sjellin vdekjen, shuaje dhunën që e bren zemrën e njerëzimit dhe frymëzo projekte për paqe në veprimet e atyre, që qeverisin kombet.

O Nënë, Mbretëresha e Rruzares Shenjte, zgjidhi nyjet e egoizmit dhe shpërndaji retë e errëta të së keqes. Na mbush me butësinë tënde, na mbaj me dorën tënde të kujdesshme dhe na jep, ne bijve të tu, përkëdheljen tënde prej Nëne, e cila na bën të shpresojmë për ardhjen e një njerëzimi të ri ku “...shkretëtira në kopsht do të shndërrohet, edhe kopshti si pyll do të vlerësohet, në shkretëtirë do të banojë e drejta, në kopsht drejtësia do të ketë selinë. Fryti i drejtësisë - paqja do të jetë…” (Is 32,15-17).

O Nënë, Salus Populi Romani, lutu për ne!

06 tetor 2024, 18:28