Papa: jeta që na jep Shpirti Shenjt është e pamort
R.SH. / Vatikan
Papa Françesku, në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, duke rifilluar ciklin e katekizmit kushtuar Shpirtit Shenjt, i cili "i prin popullit të Zotit drejt Jezusit, shpresës sonë", e përqendroi meditimin mbi temën: "Besoj në Shpirtin Shenjt". Leximi i zgjedhur për këtë katekizëm, është fragment nga Ungjilli sipas Gjonit, kapitulli 14:
“Në tre shekujt e parë - kujtoi Papa - Kisha nuk e ndjeu nevojën për formulimin e qartë të besimit në Shpirtin Shenjt”.
Në Besojmën më të lashtë të Kishës, e ashtuquajtur Besojma Apostolike, pas shpalljes: "Besoj në Zotin Atë, Krijuesin e qiellit dhe të tokës, e në Jezu Krishtin, që lindi, vdiq, zbriti në ferr, u ringjall dhe u ngjit në qiell", shtohet: "[Unë besoj] në Shpirtin Shenjt, pa asnjë specifikim".
Papa e quan të arsyeshme, atëhere, të kujtojë se ishte "herezia ajo, që e shtyu Kishën ta qartësonte fenë e saj. Kur filloi ky proces - me Shën Athanasin në shekullin IV - ishte pikërisht përvoja që kishte nga veprimi shenjtërues dhe hyjnor i Shpirtit Shenjt, i cili i priu Kishës në sigurinë e hyjnisë së Tij të plotë".
Koncili Ekumenik i Kostantinopojës dhe hyjnia e Shpirtit Shenjt
Papa citoi, në vijim, Koncilin Ekumenik të Kostandinopojës, mbledhur në vitin 381: ishte ky Koncil i Kishës, ai që e përcaktoi "hyjninë e Shpirtit Shenjt me fjalët e mirënjohura, të cilat vijojmë t’i përsërisim edhe sot: “Besoj në Shpirtin Shenjt".
Por çfarë do të thotë të shqiptosh formulën "Shpirti Shenjt është Zot"? Përgjigjet Papa Françesku:
“Është si të thuash se Ai mbështet ‘sundimin’ e Zotit, që i përket botës së Krijuesit, jo asaj të krijesave. Deklarata më e fortë është se ne duhet ta lavdojmë dhe ta adhurojmë njëlloj si Atin, ashtu edhe Birin”.
Më pas Papa hyn në aspektin historiko-teologjik: “Përkufizimi konciliar nuk ishte pikë mbërritjeje, por nisjeje! Pasi të kapërcehen arsyet historike që penguan një pohim më të qartë të hyjnisë së Shpirtit Shenjt, kjo do të shpallet me qetësi në adhurimin e Kishës dhe në teologjinë e saj".
Nga lashtësia, në botën tonë
Vështrimi i Papës pastaj rikthehet në botën tonë bashkëkohore, me një pyetje: “Çfarë na thotë neve, besimtarëve sot, neni i fesë që shpallim çdo të diel në Meshë?”. Për të vijuar, më pas:
“Në të kaluarën, trajtuam kryesisht pohimin se Shpirti Shenjt ‘rrjedh prej Atit’. Kisha Latine e përfshiu shpejt këtë deklaratë, duke shtuar, në Besojmën e Meshës, se Shpirti Shenjt rrjedh ‘edhe prej Birit”.
Shkak për keqkuptime e përçarje: etimologjia e fjalës
Për të dhënë një shpjegim më të mirë, Ati i Shenjtë Françesku kujton etimologjinë e fjalës:
"Meqenëse në latinisht shprehja ‘dhe nga i Biri’ shkruhet ‘Filioque’, lindi mosmarrëveshja e njohur për këtë emër, pretekst për shumë mosmarrëveshje dhe ndarje të tjera ndërmjet Kishës Lindore dhe Kishës Perëndimore. Për këtë arsye u krijuan keqkuptime dhe përçarje”.
Por, pasi të kapërcehen, "sot mund të vlerësojmë privilegjin më të rëndësishëm për ne, që shpallet në nenin e Besojmës, domethënë që Shpirti Shenjt "gjallëron", pra jep jetë".
Disa pyetje jetike
Papa e përfundoi katekizmin e sotëm të audiencës së përgjithshme me disa pyetje-përgjigje:
“E pyesim veten: çfarë jete jep Shpirti Shenjt? Në fillim, në krijim, fryma e Zotit i jep Adamit jetë natyrore; nga një shtatore balte, e bën ‘qenie të gjallë’. Tani, në krijimin e ri, Shpirti Shenjt është Ai, që u jep besimtarëve jetë të re, jetën e Krishtit, jetë të mbinatyrshme, si bij të Hyjit".
Një pyetje tjetër: “E ku është lajmi i madh dhe ngushëllues për ne, në gjithë këtë histori hyjnore e njerëzore?”:
“Jeta, që na u dhurua nga Shpirti Shenjt Zot, është e amshuar! Feja na çliron nga tmerri i detyrimit për të pranuar se gjithçka përfundon këtu mbi tokë, se nuk ka shpërblim për vuajtjet dhe padrejtësitë, që mbretërojnë përjetësisht mbi tokë".
Jo gjithçka mbaron me vdekjen, tha Papa duke nënvizuar se Shpirti Shenjt jep jetë, e një jetë të pamort.