Kërko

Takimi i Papës me jezuitët në Belgjikë Takimi i Papës me jezuitët në Belgjikë

Papa, jezuitëve: roli i grave në Vatikan po ndryshon

Papa Françesku nuk dëshiron ta kufizojë debatin për rolin e gruas në Kishën Katolike në çështjen e shugurimit meshtarak. Ai vetë i sheh gratë "në rrugën e karizmave", siç u tha jezuitëve në Belgjikë, në udhëtimin e tij më të fundit. Njëkohësisht, Ati i Shenjtë lavdëroi nismën e murgeshave të një bashkësie peruviane, që shkojnë në bashkësitë pa meshtarë për të plotësuar detyrën kishtare, në mungesë të tyre

R.SH. – Vatikan

         Revista jezuite “La Civiltà Cattolica” publikoi sot, 8 tetor, transkriptimin e gjithë bisedës së Papës Françesku me jezuitët në Belgjikë, gjatë udhëtimit të tij, në fund të shtatorit. Një prej sivëllezërve e pyeti Papën për "vështirësitë që t’u jepet grave një vend më i drejtë dhe më i përshtatshëm në Kishë". Françesku shprehu keqardhjen e tij për faktin se çështja ngushtohet vetëm në debatin për shugurimin e grave dhe shpjegoi se maskilizmi, ashtu si feminizmi, është "përgjithësisht logjikë e tregut".

Gjatë bisedës, Papa lavdëroi punën, që bëjnë gratë, në vend të meshtarëve. "Në anë të ndryshme të botës", vërejti ai, ka bashkësi katolike pa meshtarë, që kërkojnë laikë të përshtatshëm në radhët e tyre, për të marrë në dorë udhëheqjen e grigjës së Krishtit. “Por ka edhe gra rregulltare, për shembull, që e marrin përsipër këtë detyrë”, vuri në dukje Papa, duke pasur në mendje, “një kongregatë grash peruviane, që e ka këtë si mision: shkojnë atje ku nuk ka prift. Bëjnë gjithçka: predikojnë, pagëzojnë... Kur më në fund dërgohet një meshtar, zhvendosen diku tjetër”. Bashkësia është “më e rëndësishme se prifti”.

Dhuratat e shkëmbyera
Dhuratat e shkëmbyera

Gratë në Vatikan

Papa shpjegoi se ai posaçërisht mbështet gratë në shtetin e tij. “Gjatë kësaj kohe po përpiqem gjithnjë e më shumë të sjell gra në Vatikan, me detyra gjithnjë e më të rëndësishme. E, gjërat po ndryshojnë” për mirë. Françesku iu referua me emër tri grave, anëtare të “ekipit për zgjedhjen e ipeshkvijve”. Ati i Shenjtë nënvizoi se me hyrjen e tyre në ekip, punët kanë shkuar më mirë, sepse pikërisht gratë “janë më të mprehta në gjykime”.

Pastaj, kujtoi se Sekretarja e Përgjithshme e Guvernatoratit është grua (Motër Raffaella Petrini). Në Dikasteret për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor dhe për Jetën Rregulltare ka një grua si “Zëvendëse” (Motër Alessandra Smerilli dhe Motër Simona Brambilla), si edhe në Këshillin Papnor Ekonomik zv.koordinatore është gjithashtu një grua, gjermanja Charlotte Kreuter-Kirchhoff. Françesku njoftoi se do të vazhdojë në këtë rrugë: “Gjërat po funksionojnë më mirë se më parë”, siguron Papa. Në këtë kuadër, ai kujtoi edhe një episod me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen: “Po flisnim për një problem të caktuar dhe e pyeta: ‘Si i përballoni probleme të tilla?’. Ajo m'u përgjigj: 'Ashtu si të gjitha ne nënat'. Përgjigja e saj më bëri të mendoj”.

Papa me jezuitët e Beneluksit
Papa me jezuitët e Beneluksit

Emigrantët për t'u integruar

Në bisedë me jezuitët, Papa trajtoi më pas çështjen e emigracionit, e cila duhet studiuar me kujdes. Edhe një herë ai renditi katër fjalët për fenomenin: mikpritje, shoqërim, promovim, integrim. Edhe njëra të mungojë, shkakton “problem serioz”. “Një emigrant i paintegruar përfundon keq, por ashtu i ndodh edhe shoqërsë në të cilën ai gjendet”, paralajmëroi Papa, duke kujtuar atentatin e dy terroristëve të lidhur me Isisin, në vitin 2016 në Belgjikë, në aeroportin Zaventem, i cili u kushtoi jetën 16 vetëve. "Kjo tragjedi është edhe rezultat i mungesës së integrimit" dhe "Kisha duhet ta marrë seriozisht punën me emigrantët".

Evropa në plakje

Në vazhdimësi me këtë, Papa Françesku theksoi diçka “që e ka shumë për zemër”: “Evropa nuk ka më fëmijë, po plaket. Ka nevojë për emigrantë për ta ripërtërirë jetën. Tani është bërë çështje mbijetese”.

"Jezuitët nuk duhet të kenë frikë nga asgjë"

Lidhur me misionin, Françesku i inkurajoi sivëllezërit e tij në tre shtetet shumë të shekullarizuara të Beneluksit të mos kenë frikë: “Jezuiti nuk duhet të ketë frikë nga asgjë. Ai është njeri në tension ndërmjet dy formave të guximit: guximit për të kërkuar Zotin në lutje dhe guximit për të shkuar deri në kufij.” Lutja e jezuitit bëhet në periferi, aty ku mund të marrë përsipër rreziqe, kjo është bukuria e përshpirtërisë së jezuitëve, nënvizoi Papa, i cili e përshkroi shekullarizimin si "fenomen të ndërlikuar". Në shoqëritë ku Zoti nuk perceptohet më, jezuitët duhet të "predikojnë me dëshmi, shërbim dhe fe", të ushqyer nga lutja, në dialog me njerëzit, duke ndihmuar me thjeshtësi.

Jezuitët konsiderohen intelektualët e Kishës Katolike - ata studiojnë dhe botojnë shumë. “Apostullati intelektual – u tha Papa - është pjesë e thirrjes sonë si jezuitë” e ata duhet të jenë "të pranishëm në botën akademike, në punën kërkimore dhe në komunikim". Françesku është veçanërisht i interesuar në punën kërkimore morale teologjike. “Në këtë fushë, sot, ka shumë jezuitë që studiojnë, hapin rrugë interpretimi dhe parashtrojnë sfida të reja. Nuk është e lehtë, e di. Por unë u bëj thirrje jezuitëve që të ecin përpara”. Së fundi, ai konfirmoi hapjen e çështjes së lumnimit për jezuitin Pedro Arrupe, spanjoll, epror i përgjithshëm nga viti 1965 deri më 1983. Problemi i vetëm është shqyrtimi i shkrimeve të shumta të tij, analizë, që “do të kërkojë kohë”, vërejti Papa Françesku.

08 tetor 2024, 14:33