Papa katolikëve të Lindjes së Mesme: të martirizuar nga luftërat e të pushtetshmëve, jam me ju
R.SH. – Vatikan
“Jam pranë jush”: kështu i shkruan Papa grigjës martire të besimtarëve në Tokën Shenjte, një vit pas sulmit të Hamasit kundër Izraelit, më 7 tetor 2023, që e zhyti Lindjen e Mesme në një luftë të re. Françesku u dërgoi sot një letër katolikëve të rajonit duke denoncuar “paaftësinë e turpshme të bashkësisë ndërkombëtare dhe vendeve të fuqishme për t'i dhënë fund luftës ” e duke shprehur afërsinë e tij me ata që “pësojnë shkatërrimin e imponuar nga të pushtetshmit” e kësaj bote
Në letrën e tij, në përvjetorin e ndezjes së “fitilit të urrejtjes ... që bëri të shpërthejë një spirale e re dhune", Papa Françesku u thotë katolikëve të Tokës së Shenjtë, që ende derdhin gjak e lot: "Unë mendoj dhe lutem për ju". Bergoglio vëren se “zemërimi po rritet, bashkë me dëshirën për hakmarrje, ndërsa duket se pak njerëz kujdesen për çka është më e nevojshme dhe më e dëshiruar: dialogu dhe paqja”.
"Lufta është humbje", thekson ai: “Armët nuk e ndërtojnë të ardhmen, por e shkatërrojnë atë, dhuna nuk sjell kurrë paqe. Historia e vërteton këtë, megjithatë vite e vite konflikti duket se nuk na kanë mësuar asgjë”.
Grigjë e pambrojtur, e dashur nga Zoti
Duke falënderuar "grigjën e vogël e të pambrojtur", që banon në Tokën Shenjte, grigjë "e etur për paqe", me dëshirë për të qëndruar në tokat e veta, Papa i përshkruan katolikët e Tokës Shenjte si "farë e dashur nga Zoti". Françesku i inkurajon të gjejnë mënyrën për të dhënë fryte dhe jetë, pa u përfshirë nga errësira, që i rrethon.
“Të rrënjosur në tokat tuaja të shenjta, bëhuni filiza shprese, sepse drita e fesë ju bën të dëshmoni për dashuri mes fjalëve të urrejtjes, të takoheni mes konfliktit në rritje, të bashkoheni mes armiqësisë” shkruan ai.
E duke nënvizuar se u shkruan "me zemrën e babait", që u flet fëmijëve të vet, të cilët "sot po përjetojnë një martirizim të vërtetë”, Papa u kërkon katolikëve të mbjellin "farat e paqes në dimrin e luftës" dhe të jenë "dëshmitarë të fuqisë së një paqeje pa dhunë”.
Dita e lutjes dhe agjërimit
Françesku vëren se sot njerëzit nuk dinë ta gjejnë paqen dhe se “si të krishterë, nuk duhet të lodhemi kurrë duke kërkuar paqe nga Zoti”.
"Prandaj, në këtë ditë, i kam nxitur të gjithë të kremtojnë një ditë lutjeje dhe agjërimi", të cilën Ati i Shenjtë e përshkruan si "armë dashurie që ndryshon historinë, armë që mposhtin armikun tonë të vetëm të vërtetë: shpirtin e së keqes që e nxit luftën”.
"Unë jam pranë jush, unë jam me ju"
Pjesa e dytë e gjithë letrës përbëhet nga sekuenca "Unë jam me ju, jam pranë jush". Kështu u thotë Papa Françesku vëllezërve dhe motrave të Lindjes së Mesme, por edhe burrave dhe grave të çdo besimi dhe feje, që po vuajnë nga çmenduria e luftës: banorëve të Gazës, të cilët janë në mendimet dhe në lutjet e tij çdo ditë; nënave, të cilave u vdesin, ose u plagosen fëmijët; atyre “që kanë frikë të shikojnë lart se mos bie shi zjarri nga qielli”; atyre që “nuk kanë zë, sepse pavarësisht nga të gjitha bisedat për plane dhe strategji, nuk pyet njeri për ata që vuajnë shkatërrimin e luftës, të cilën të pushtetshmit ua imponojnë të tjerëve”.
Papa u drejtohet të eturve për paqe dhe drejtësi, atyre, që “refuzojnë t'i dorëzohen logjikës së të keqes dhe u kërkon që, në emër të Jezusit, "t’i duan armiqtë dhe të luten për ata që i përndjekin". Shpreh mirënjohje për njerëzit, që ndihmojnë të vuajturit e së fundi, ka fjalë falënderimi për “bijtë dhe bijat e paqes”, për ata, “që në mbarë botën, ndihmojnë ata që vuajnë, për ipeshkvijtë e meshtarët “që sjellin ngushëllimin e Zotit për ata, që ndihen të vetmuar dhe të braktisur”.
“Të dashur vëllezër dhe motra në Jezu Krishtin, ju bekoj dhe ju përqafoj me përzemërsi. Ju ruajtë Zoja jonë, Mbretëresha e Paqes. Ju ruajtë Shën Jozefi, Pajtori i Kishës”.