Shën Françesku i Asizit Shën Françesku i Asizit

Papa: Kënga e Krijesave, mësim i madh për kujdesin ndaj gjithësisë

Ka një mësim të madh në lutjen e shkruar nga Shën Françesku, në perëndim të jetës. Këtë nënvizon Papa Françesku në mesazhin për 800-vjetorin e Këngës së Krijesave

R.SH. – Vatikan

Duhet të vazhdojmë “punën e ndërgjegjësimit për kujdesin ndaj krijimit”, “ka një mësim të madh në atë lutje, e cila nuk resht së pulsuari që prej tetë shekujsh dhe që Shën Françesku e kompozoi në fund të jetës së tij”. Kështu Papa Françesku, përmes mesazhit të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, shpreh inkurajimin e tij për nismën e paradites së sotme në ambasadën italiane në Selinë e Shenjtë, 800 vjet pas shkrimit të Këngës së Krijesave nga i Vobekti i Asizit. Veprimtaria ishte pjesë e Javës XXIV të gjuhës italiane në botë, pasi Kënga e Krijesave përbën themelin e zhvillimit të gjuhës italiane, përveçse është simbol i mbrojtjes së krijimit të Zotit. Nisma u krye në bashkëpunim me Oborrin e Jobesimtarëve, nën patronazhin e Komitetit italian për kremtimin e tetëqindvjetorit të vdekjes së Shën Françeskut të Asizit.

Kardinali Gianfranco Ravasi
Kardinali Gianfranco Ravasi

Një vizion pozitiv i natyrës

Ndër relatorët, ish-kreu i Këshillit Papnor të Kulturës, kardinali Gianfranco Ravasi, përmendi Psalmet, që frymëzojnë Këngën, si edhe një sërë pikash referimi e kuriozitetesh, duke i dhënë kuptim atij horizonti kozmik, në të cilin krijesat janë "shkronjat e krijimit", këtij libri të hapur. Kënga e Krijesave, nënvizoi ai, është lavd lartuar Hyjit për gjithçka ka krijuar, himn, që shpaloset me intensitet dhe vrull përmes veprave të tij e bëhet edhe himn i jetës.

Kardinali Ravasi nënvizoi se lutja e Shën Françeskut përshkohet nga një vizion pozitiv i natyrës, pasi në gjithë krijimin pasqyrohet fytyra e Krijuesit. Nga kjo buron ndjenja e vëllazërimit ndërmjet njeriut dhe gjithë krijimit, e cila distancohet qartë nga përçmimi dhe përbuzja e kësaj bote, karakterizuar nga mëkati dhe vuajtja, tipike për prirjet e tjera fetare mesjetare. Krijimi bëhet kështu një mjet madhështor lavdi për Krijuesin. Edhe sot, duhet ta ruajmë këtë ndjenjë mahnitjeje para natyrës, këshilloi kardinali. Teksti i Këngës së Krijesave, u tha në konferencë, ishte i pajisur me shoqërim muzikor, kompozuar nga vetë shën Françesku. Muzika ka humbur, por teksti e ruan vlerën e tij poetike, duke e bërë të ndihet ritmi muzikor.

15 tetor 2024, 16:31