Papa gjatë audiencës së përgjithshme Papa gjatë audiencës së përgjithshme

Papa: Krezmimi nuk është “vajimi i fundmë”, por fillimi i një jete aktive në Kishë

Në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, 30 tetor, duke vazhduar "reflektimin mbi praninë dhe veprimin e Shpirtit Shenjt në jetën e Kishës nëpërmjet sakramenteve", Papa u ndalua te Krezmimi, sakramenti i Shpirtit Shenjt”, dhe ftoi, me rastin e Jubileut, ta ringjallim këtë dhuratë: krezmimi "forcon shkrirjen pagëzimore me Krishtin e Kishën dhe përkushtimin në misionin profetik, mbretëror dhe meshtarak", e për më tepër, "komunikon begatinë e dhuratave të Shpirtit Shenjt".

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku ia kushtoi sot katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur paradite në Vatikan, Sakramentit të Krezmimit duke ftuar për të rizbuluar frytet e para të Shpirtit Shenjt. Me rastin e Jubileut, nxit, duhet “të shkundim hirin e shkëputjes” dhe të jemi “teodoforë”, mbartës të flakës së Shpirtit. Në përgatitjen e kandidatëve për krezmim, është shumë e rëndësishme edhe dëshmia e besimtarëve laikë, që kanë pasur takim vetjak me Krishtin.

Është "cak i bukur" për Vitin Shenjt, tashmë tek porta, të cilin Papa ua propozon besimtarëve: "Ta shkundim hirin e zakonit dhe të çkujdesjes, e të bëhemi, si teodoforët në Olimpiadë, mbartës të flakës së Shpirtit". Në audiencën e fundit të përgjithshme, mbajtur paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, sot, 30 tetor, duke vazhduar "reflektimin mbi praninë dhe veprimin e Shpirtit Shenjt në jetën e Kishës nëpërmjet sakramenteve", Papa Françesku u ndalua te  krezmimi, sakramenti i Shpirtit Shenjt”, dhe ftoi, me rastin e Jubileut, ta ringjallim këtë dhuratë:

Sakramenti i krezmimit nuk reduktohet, në praktikë, në "vajimin e fundmë", domethënë në sakramentin e "nisjes" nga Kisha: por është sakramenti i fillesës së pjesëmarrjes aktive në jetën e saj.

Shpenzoni kaparin e Shpirtit

Të gjithë kemi marrë, "së bashku me krezmimin dhe vojimin", atë që Shën Pali e quan si "garanci e Shpirtit Shenjt " ose "si frytet e Tij të para", të cilat secili duhet t'i bëjë të japin fryte të reja, këshillon Françesku:

Duhet ta “shpenzojmë” këtë kapar, t’i shijojmë këto fryte të para, të mos i varrosim nën tokë karizmat dhe talentet, që morëm.

Kushtimi misionit të Kishës

Në vijim Papa shpjegoi zanafillën e sakramentit të krezmimit dhe vuri në dukje se "në Beslidhjen e Re, përveç pagëzimit me ujë", përmendet edhe riti "i vënies së duarve, i cili ka për qëllim komunikimin e dukshëm dhe në mënyrë karizmatike me Shpirtin Shenjt, me efekte të ngjashme me ato që u dukën mbi Apostujt për Rrëshajë”. E, më pas Papa kujtoi përkufizimin e Katekizmit të të Rriturve të Konferencës Ipeshkvnore Italiane për të kujtuar se krezmimi "forcon shkrirjen pagëzimore me Krishtin e Kishën dhe përkushtimin në misionin profetik, mbretëror dhe meshtarak", e për më tepër, "komunikon begatinë e dhuratave të Shpirtit Shenjt”.

Sakramenti i dëshmisë

Duke kujtuar sërish Katekizmin e CEI, Papa saktëson: nëse "pagëzimi është sakramenti i lindjes, krezmimi është sakramenti i rritjes" e edhe "i dëshmisë", "i lidhur ngushtë me pjekurinë e jetës së krishterë". Ati i Shenjtë Françesku pranon se është "cak, që mund të na duket i pamundur" në Kishën e sotme, në të cilën fëmijët dhe të rriturit largohen pas krezmimit, ndërsa na nxit të mos pushojmë duke e ndjekur Krishtin:

Thuhet se është sakramenti i lamtumirës, ​​pasi të rinjtë sapo të thonë lamtumirë largohen, për t’u kthyer më pas në martesë. Kështu thonë njerëzit... Ndërsa ne duhet të përpiqemi ta bëjmë që të jetë flijim i pjesëmarrjes, pjesëmarrjes aktive në jetën e Kishës.

Laikët në formimin e kandidatëve për krezmim

Së fundi, Papa këshillon që "në përgatitje për sakramentin" e Përforcimit të japin ndihmesën e tyre besimtarët laikë, të cilët patën takimin personal me Krishtin dhe përvojën e vërtetë të Shpirtit, pikërish falë krezmimit.

30 tetor 2024, 11:47

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >