Papa kujton kardinalin Martino, shërbëtor i Ungjillit dhe nxitës i dialogut
R.SH. – Vatikan
Në një telegram dërguar të vëllait, Marcello, Papa Françesku kujton kardinalin Renato Raffaele Martino, i cili u nda nga jeta në Romë në moshën 91-vjeçare, si një “bari të zellshëm, që i shërbeu Ungjillit dhe Kishës”. Duke shprehur ngushëllimet e tij për gjithë anëtarët e familjes dhe për kryedioqezën e Salerno-Campagna-Acerno - ku kardinali, me origjinë nga Salerno, ka shërbyer si meshtar para se të hynte në diplomacinë e Vatikanit - Papa përmend "me mirënjohje", "bashkëpunimin e gjatë dhe të zellshëm të tij me paraardhësit, si nunc apostolik në disa vende aziatike dhe veçanërisht, në organizatën e Kombeve të Bashkuara”. Në këtë shërbim, nënvizon Ati i Shenjtë, kryeipeshkvi i atëhershëm Martino “nuk i kurseu energjitë për të dëshmuar shqetësimin atëror të Papës për fatin e njerëzimit”.
Kryetar nderi i Këshillit Papnor për Baritorinë e Emigrantëve dhe të Itinerantëve, si edhe i atij për Drejtësi e Paqe, kardinali hyri në diplomacinë e Selisë së Shenjtë në vitet 1960. Në këtë të fundit që nga viti 2002, vëren Papa, “në rolet e ndryshme që i janë besuar, ka punuar me shumë dinamizëm në favor të së mirës së popullsive, duke promovuar vazhdimisht dialogun dhe harmoninë”.
Më pas, Françesku i lutet Zotit "ta mirëpresë këtë shërbëtor të tij besnik në Jerusalemin qiellor" dhe u jep bekimin e tij atyre që vajtojnë për vdekjen e kardinalit, "me mirënjohje edhe për ata, që u kujdesën për të". Funerali i kardinalit Martino do të kremtohet të mërkurën, më 30 tetor, në orën 15, në Altarin e Katedrës së Bazilikës së Shën Pjetrit, nga kardinali Giovanni Battista Re, dekan i Kolegjit të Kardinajve, së bashku me kardinaj, kryeipeshkvij e ipeshkvij. Në fund të kremtimit, Papa Françesku do të kryesojë ritin e Ultima Commendatio dhe të Valedictio.