Kufiri Liban-Izrael Kufiri Liban-Izrael

Papa: lufta është iluzion, mos besoni se jeni të pathyeshëm. Të respektohen forcat e OKB-së

Në përshëndetjet e tij pas Engjëllit të Tënzot, Françesku flet për konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë, duke kërkuar që t'i jepet hapësirë diplomacisë dhe dialogut. “Lutem për të gjitha viktimat, për të zhvendosurit, për pengjet që shpresojnë të lirohen menjëherë dhe uroj që kjo vuajtje e madhe, e kotë, e krijuar nga urrejtja dhe hakmarrja, të marrë fund së shpejti”

R.SH. – Vatikan

         Armëpushim i menjëhershëm në të gjitha frontet, për t'i dhënë hapësirë ​​diplomacisë dhe dialogut. Françesku, në ditën që përkujton dukjen e fundit të Zojës në Fatima, ngre zërin edhe një herë për të theksuar se lufta është gjithmonë disfatë dhe për të kërkuar të bëhet gjithçka për arritjen e paqes në Lindjen e Mesme.

“Jam pranë të gjitha popullsive në Palestinë, Izrael dhe Liban, ku kërkoj të respektohen forcat paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara. Lutem për të gjitha viktimat, për të shpërngulurit, për pengjet, që uroj të lirohen menjëherë dhe, shpresoj që kjo vuajtje e madhe, e kotë, e krijuar nga urrejtja dhe hakmarrja, të marrë fund së shpejti. Vëllezër dhe motra, lufta është iluzion, është disfatë, nuk do të sjellë kurrë paqe, nuk do të sjellë kurrë siguri, është disfatë për të gjithë, veçanërisht për ata, që besojnë se janë të pathyeshëm. Ndaloni, ju lutem”.

Ndalojeni vrasjen e të pafajshmëve

Françesku përsëriti thirrjen për të ndalur çdo lloj dhune, duke përmendur Ukrainën. Iu drejtua bashkësisë ndërkombëtare që të mos i lërë ukrainasit të "vdesin nga i ftohti" dhe t’u japë fund "sulmeve ajrore kundër popullsisë civile, e cila është gjithmonë më e prekura”. “Mjaft, me vrasjen e të pafajshmëve”, ngriti zërin Ati i Shenjtë.

13 tetor 2024, 13:41