Ndërtesa dhe shtëpi të shkatërruara në kampin e refugjatëve Al Maghazi, në jug të Rripit të Gazës (Ansa) Ndërtesa dhe shtëpi të shkatërruara në kampin e refugjatëve Al Maghazi, në jug të Rripit të Gazës (Ansa)  (ANSA)

Papa: lufta nuk fal, sulme çnjerëzore në Palestinë

Para përfundimit të audiencës së përgjithshme, Françesku kujtoi statistikat e vdekjeve në Ukrainë dhe përsëriti thirrjen e lutjes për paqe në "të gjitha kombet që janë në luftë". Në përshëndetje për besimtarët polakë, kujtimi i Gjon Palit II, "Papës së familjeve"

R. SH. - Vatikan

“Sot, heret në mëngjes, mora statistikat e vdekjeve në Ukrainë: është e tmerrshme! Lufta nuk fal; lufta është që në fillim disfatë. T'i lutemi Zotit për paqe, që ai t'u japë paqe të gjithëve, ne të gjithëve”.

Një thirrje e re nga Papa Françesku në përfundim të audiencës së përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, për të kujtuar "të gjitha kombet që janë në luftë". Jo vetëm Ukrainën, “të mos harrojmë Mianmarin; të mos harrojmë Palestinën që po vuan sulme çnjerëzore, të mos harrojmë Izraelin”, shton Françesku, i cili nënvizon një fakt, “një shifër”, “që duhet të na trembë”: “investimet, që sot japin më shumë fitime në fabrikat e armëve. Duke fituar me vdekjen! Të lutemi për paqen. Të gjithë së bashku!”.

T’ia çojmë Ungjillin atyre që nuk e njohin

Pak më parë, Papa kishte përshëndetur shtegtarët italisht-folës të pranishëm në audiencën e përgjithshme, shoqatat dhe famullitë, anëtarët e të cilave u ftuan të jenë "dëshmitarë të guximshëm dhe të lumtur të Jezusit", "në çdo mjedis" dhe përmes "forcës së Shpirtit të Shenjtë".

Më pas e kujtoi muajin tetor si mundësi për të "ripërtërirë bashkëpunimin tonë aktiv në misionin e Kishës":

“Duhet të dini të jeni misionarë të Ungjillit kudo, duke ofruar mbështetjen shpirtërore të lutjes dhe ndihmën tuaj konkrete atyre që luftojnë, për t'ua çuar edhe atyre që nuk e njohin ende”.

Gjon Pali II, “Papa i familjeve"

Në përshëndetjet drejtuar besimtarëve polakë, Papa theksoi kujtimin e Shën Gjon Palit II në liturgjinë e djeshme, më 22 tetor. E quajti, ashtu si me rastin e kanonizimit të tij, “Papa i familjeve". Që "u kujtonte vazhdimisht polakëve se forca e familjes duhet të vijë nga Zoti", shtoi Papa.

“Të kërkojmë forcën e Shpirtit Shenjt për të gjitha familjet, që të ringjallë ndër to aftësinë për t’u dhuruar dhe gëzimin që buron kur rrinë bashkë”.

23 tetor 2024, 13:04