Kërko

Papa, shenjtorët janë në bashkësi me ne

“Tashmë jemi afër solemnitetit të të gjithë Shenjtorëve. Ju ftoj të përjetoni këtë të kremte të përvitshme të vitit liturgjik, në të cilën Kisha dëshiron të na kujtojë një aspekt thelbësor të realitetit të saj”, tha Françesku: “Lavdia qiellore e vëllezërve që na kanë paraprirë në rrugën e jetën e tanishme dhe të cilët tani, në vizionin e Atit, duan të jenë në bashkësi me ne për të na ndihmuar të arrijmë edhe ne qëllimin që na pret."

R.SH. / Vatikan

“Tashmë jemi afër solemnitetit të të gjithë Shenjtorëve: ju ftoj të përjetoni këtë të kremte të përvitshme të vitit liturgjik, në të cilën Kisha dëshiron të na kujtojë një aspekt thelbësor të realitetit të saj: lavdinë qiellore të vëllezërve që na paraprinë më rrugën e jetës së tanishme dhe që tani, në vizionin e Atit tonë në Qiell, duan të jenë në bashkësi me ne për të na ndihmuar të arrijmë qëllimin që na pret". Kështu tha Papa Françesku, në përfundim të audiencës së sotme të përgjithshme mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në lidhje me festën e të gjithë Shenjtorëve që bie të premten më 1 nëntor.

Shenjtorët na ftojnë ta ndjekim Jezusin me gëzim

Solemniteti i të Gjithë Shenjtorëve na fton t’i ndjekim me gëzim gjurmët e Jezusit, pa ndërlikime e pa mediokritete, duke ecur me përvujtëri e qëndrueshmëri në udhën e përsosjes së dashurisë e duke përjashtuar çdo gjë, që nuk është e denjë për jetën tonë si të krishterë: këtë na thërret të jetojmë, festa liturgjike e 1 nëntorit, që njihet me emrin e të Gjithë Shenjtërve, duke na kujtuar një tjetër përmasë tërë jetës sonë, përmasën Hyjnore. Ne jemi pjesë e një shoqërie dhe bashkësie shpirtërore në të cilën mbretëron solidariteti i thellë: e mira e secilit në dobi të të gjithëve e, anasjelltas, lumturia e përbashkët rrezatohen në çdonjërin personalisht.

Në shenjtorët shohim fitoren e dashurisë mbi egoizmin e mbi vdekjen: shohim faktin që të ndjekësh Krishtin të çon në jetë, në jetën e amshuar, e të shkosh pas Krishtit i jep kuptim të sotmes dhe çdo çasti që kalon, sepse e përmbush me dashuri e shpresë. Prandaj tha Papa Françesku më 31 tetor 2018: “Uroj që dëshmia e fesë  e atyre që na paraprinë, të forcojë në shpirtin tonë sigurinë se Zoti e shoqëron secilin nesh në rrugën e jetës, nuk e braktis askënd e dëshiron që të gjithë të jemi shenjtorë, ashtu si edhe Ai është shenjt”.

30 tetor 2024, 11:11