Kërko

Papa Françesku në Sinod, 2024.10.02 XVI Papa Françesku në Sinod, 2024.10.02 XVI

Papa, në hapjen e Sinodit: të pasqyrojmë dritën e Diellit tonë, që është Krishti

Dëgjimi i zërit të Shpirtit Shenjt për të kuptuar në ç’drejtim duhet t’i bëjë hapat Kisha e së ardhmes, si edhe kolegjialiteti që u kërkohet ipeshkvijve në ushtrimin e detyrës së tyre, në qendër të fjalës së Atit të Shenjtë në hapjen e sesionit të dytë të Asamblesë XVI të Sinodit të Ipeshkvijve

R.SH. – Vatikan

U mblodh sot pasdite kongregacioni (mbledhja) i parë i përgjithshëm i Sinodit mbi sinodalitetin, në praninë e Papës Françesku, i cili mbajti fjalën hyrëse. Që në fillim, Ati i Shenjtë vuri në dukje qartësisht qëllimin e sesionit të dytë të Asamblesë XVI të Përgjithshme e të zakonshme të Ipeshkvijve, e cila “duhet të japë kontributin e saj që të realizohet një Kishë vërtet sinodale në mision, që të dijë si të dalë nga vetvetja dhe të banojë në periferitë gjeografike dhe ekzistenciale, duke u kujdesur për të krijuar lidhje me të gjithë, në Krishtin, Vëllain dhe Zotin tonë”.

Ta lëmë Shpirtin Shenjt të veprojë në procesin sinodal

Papa përmendi tekstin e një autori shpirtëror të shekullit IV për të përshkruar ç’do të thotë ta lësh Shpirtin Shenjt të veprojë në procesin sinodal, filluar 3 vjet më parë. Së pari, ta dallojmë zërin e tij, theksoi Françesku. “Shpirti Shenjt na shoqëron gjithmonë. Është ngushëllim në trishtime e lot, sidomos kur – pikërisht, për shkak të dashurisë, që kemi për njerëzimin, - përballë gjërave që nuk shkojnë si duhet, përballë padrejtësive mbizotëruese, përballë kokëfortësisë me të cilën rezistojmë duke iu përgjigjur me të mirë së keqes, përballë vështirësisë për të falur, përballë mungesës së guximit për të kërkuar paqen, na pushton shkurajimi, na duket se nuk mund të bëjmë më asgjë dhe dorëzohemi para dëshpërimit”.

Kisha nuk mund të ecë e të përtërihet pa Shpirtin Shenjt

Shpirti Shenjt na komunikon shpresën e Zotit, vijoi Papa, si edhe na bën të mos i gjykojmë të tjerët, por t’i falim të gjithë, gjithmonë. Edhe përvujtëria është dhuratë e Tij, ajo “përvujtëri solidare e plot dhembshuri e atyre, që e ndiejnë se janë vëllezër e motra me të gjithë, duke vuajtur të njëjtën dhimbje dhe duke parë në plagët dhe varrët e secilit, plagët dhe varrët e Zotit tonë”. Kisha, vërejti Françesku, nuk mund të ecë e të përtërihet pa Shpirtin Shenjt e të papriturat e tij; pa u modeluar nga duart e Zotit krijues, Birit të tij, Jezu Krishtit dhe, Shpirtit Shenjt”. Jemi për udhë si “të mëshiruar” nga Hyji, drejt plotësimit të planit të dashurisë së Atit Qiellor, duke e ditur se udha është e bukur, por edhe e lodhshme, nënvizoi Papa.

“Ecim në këtë rrugë, duke e ditur se jemi të thirrur për të pasqyruar dritën e diellit tonë, që është Krishti, si një hënë e zbehtë, e cila merr përsipër me besnikëri dhe gëzim misionin për të qenë për botën sakrament i asaj drite, shkëlqimi i së cilës nuk vjen prej nesh”.

Sinodi si proces e jo vetëm si ngjarje unike

Françesku kujtoi Papën shenjt Pali VI, i cili themeloi Sinodin e Ipeshkvijve në vitin 1965 e përmendi si e ka ndryshuar kushtetuta apostolike “Episcopalis communio”, sot, pas gati 60 vitesh, asamblenë sinodale, duke e konceptuar si proces e jo vetëm si ngjarje unike. Gjatë këtij procesi, Kisha mëson ta njohë më mirë vetveten dhe të përcaktojë forma veprimi më të përshtatshme për misionin, që i ka besuar Zoti. Në këtë proces, ka rëndësi të madhe mënyra e ushtrimit të shërbesës ipeshkvnore, gjë që është theksuar që me Koncilin II të Vatikanit. Siç ka thënë shpesh Papa Françesku, ipeshkvi, i cili shpreh unitetin në Kishë, e kryen misionin e tij duke ecur para, në mes e pas grigjës së vet e duke pasur kujdes të shmangë dy rreziqe: atë të abstraksionit, që e largon nga njerëzit dhe, atë të ushtrimit të hierarkisë kundër besimtarëve laikë.

“Na kërkohet – vuri në dukje Papa - të ushtrojmë së bashku një art simfonik, një kompozim, që na bashkon të gjithëve në shërbim të mëshirës së Zotit, sipas shërbesave dhe karizmave të ndryshme, që ipeshkvi e ka për detyrë t’i njohë dhe t’i promovojë”.

Forma të ndryshme të ushtrimit “kolegjial” e “sinodal” të shërbesës ipeshkvnore

Për këtë arsye, shpjegoi Ati i Shenjtë, fakti që në asamble, përveç ipeshkvijve, bëjnë pjesë edhe besimtarë laikë, anëtarë të tjerë të Kishës e, edhe sivëllezër të traditave të tjera të krishtera, nuk është rastësi. “Ai shpreh një mënyrë të ushtrimit të shërbesës ipeshkvnore në përputhje me Traditën e gjallë të Kishës dhe me mësimet e Koncilit II të Vatikanit: ipeshkvi, si çdo i krishterë tjetër, nuk mund ta mendojë kurrë veten "pa tjetrin". Ashtu si askush nuk shpëtohet vetëm, kumtimi i shpëtimit ka nevojë për të gjithë dhe të gjithë duhet të dëgjohen”.

Në të ardhmen, përfundoi Françesku, duhet të gjenden forma të ndryshme të ushtrimit “kolegjial” e “sinodal” të shërbesës ipeshkvnore. Kjo është shenjë e gatishmërisë së Kishës për të dëgjuar zërin e Shpirtit Shenjt, i cili “po na udhëzon edhe ne, të mbledhur në Shpirtin Shenjt në këtë Asamble, për t'i dhënë përgjigje, pas tre vitesh rrugëtim, pyetjes "si të jemi Kishë sinodale misionare". Unë do të shtoja edhe 'e mëshirshme'".

02 tetor 2024, 17:09