Papa: Sinodi është rrugëtim. Çdo kontribut është dhuratë, jo imponim

Në Sheshin e Shën Pjetrit mbushur plot me besimtarë, Françesku kryeson meshën, që hapi Asamblenë XVI të Përgjithshme e të zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve mbi sinodalitetin dhe fton anëtarët e mbledhur deri më 27 tetor, të dëgjojnë njëri-tjetrin, të mos mbyllen në bindjet e tyre dhe të dinë të sakrifikojnë, nëse është e nevojshme, për të mirën e përbashkët. Duke pasur parasysh ngjarjet e fundit dramatike botërore, e shpall 7 tetorin, ditë agjërimi dhe lutjeje

R.SH. – Vatikan

 Dëgjimi, dallimi i zërit të Zotit, lirimi nga gjithçka që pengon "harmoninë në ndryshime", hapja e zemrës dhe e mendjes, trajtimi i tjetrit me përvujtëri: këto janë qëndrimet, që vuri në dukje Papa Françesku gjatë meshës për hapjen e sesionit të dytë të Asamblesë XVI të Përgjithshme e të zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve mbi sinodalitetin. Qëndrime të nevojshme, nënvizoi Ati i Shenjtë para më se 20 mijë besimtarëve, për një “rrugëtim”, që filloi tri vjet më parë. Sinodi është, pa dyshim, udhë për të kuptuar si duhet ecur së bashku në Kishë, në situatën aktuale, që përjeton bota, në këto “orë dramatike të historisë", siç tha Papa, ndërsa lufta dhe dhuna "vazhdojnë të përfshijnë popuj dhe kombe të tëra". Në këtë kuadër, bashkësia e krishterë është e thirrur të shpallë Ungjillin e të lutet për paqen. Pikërisht për këtë arsye, Françesku njoftoi se të dielën e ardhshme do të shkojë në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe në Romë, ku do të thotë Rruzaren e do t’i drejtojë “Virgjërës Shenjte një lutje të zjarrtë”. Ati i Shenjtë i ftoi anëtarët e Sinodit të bashkohen me të e, përveç kësaj, e shpalli të nesërmen, 7 tetor, një Ditë lutjeje e agjërimi për paqen botërore.

Dëgjimi në bashkim

Duke reflektuar mbi punimet e Sinodit, Papa nënvizoi se për të kuptuar vullnetin e Hyjit për udhën e Kishës në të ardhmen, duhen marrë parasysh, në dritën e Shkrimit Shenjt, "të gjitha kontributet e mbledhura gjatë këtyre tre viteve me punë intensive, shkëmbime, diskutime dhe përpjekje plot durim për të purifikuar mendjen e zemrën”. Me ndihmën e Shpirtit Shenjt, duhet të dëgjojmë zërin e Zotit, që i flet Kishës, duke kujtuar se Sinodi "nuk është asamble parlamentare, por vend dëgjimi në bashkim”.

“Nuk është në gjendje ta dëgjojë zërin e Zotit ai që, me arrogancë, supozon e pretendon se ka ekskluzivitetin. Por, çdo fjalë duhet të mirëpritet me mirënjohje dhe thjeshtësi, për t'i bërë jehonë asaj, që Hyji e ka dhuruar për të mirën e vëllezërve. Konkretisht, të kemi kujdes që kontributet tona të mos i shndërrojmë në istikame për t'u mbrojtur, ose në axhenda për t'u imponuar, por t'i ofrojmë si dhurata për t'u ndarë, gati për të sakrifikuar edhe gjithçka të veçantë, nëse kjo mund të shërbejë për të krijuar diçka të re së bashku, sipas planit të Zotit”.

Zgjidhjen e problemeve e di Zoti

Nëse qëndrojmë të mbyllur në këndvështrimet dhe në idetë tona, vërejti më tej Papa Bergoglio, “çojmë ujë në mullirin personal, pa i dëgjuar të tjerët e, sidomos, pa e dëgjuar zërin e Zotit", Atij që ka në dorë “zgjidhjen e problemeve me të cilat përballemi”.

T’ua hapim zemrën të tjerëve

Në asamblenë sinodale, vuri në dukje Papa, do të ketë njerëz të përgatitur, me intuitë brilante - pasuri për reflektimin e përbashkët. Por të gjithë duhet të "ndihen të lirë të shprehen spontanisht dhe lirshëm”, prandaj Françesku këshilloi të hapet zemra për të gjithë, duke respektuar, duke vlerësuar e duke dëgjuar këdo. Kjo nuk është “teknikë”, nënvizoi Ati i Shenjtë, është në natyrën e Kishës të hapë krahët për të përqafuar gjithkënd. Kjo çon në themeloren, në harmoninë, që mund të krijohet vetëm nga Shpirti Shenjt, i cili merr nga shumë reflektime për t’i harmonizuar në një zë të vetëm, pavarësisht nga ndryshimet.

“Kisha ka nevojë për “vende paqësore dhe të hapura”, që duhen krijuar para së gjithash në zemra, ku secili të ndihet i mirëpritur si fëmija në krahët e nënës dhe si një bir i marrë hopa nga i ati”.

Zgjerojini horizontet

Papa vijoi duke u kërkuar pjesëmarrësve në Sinod të jenë mendjehapur dhe t’i zgjerojnë horizontet.

“Sinodi, po të kemi parasysh rëndësinë e tij, në njëfarë kuptimi, na kërkon të jemi "të mëdhenj" - në mendje, në zemër, në këndvështrime - sepse çështjet që duhen trajtuar janë "të mëdha" dhe delikate, ndërsa skenarët brenda të cilëve vendosen ato, janë të gjerë e universalë”.

Duhet të kujtojmë se "e vetmja rrugë për të qenë ‘në lartësinë’ e detyrës, që na është besuar, është ta ulim vetveten - përfundoi Papa - të bëhemi të vegjël dhe ta mirëpresim njëri-tjetrin si të tillë, me përvujtëri", sepse " më i larti në Kishë është ai që përvuhet më shumë”.

02 tetor 2024, 12:33