Shën Gjoni në Lateran Shën Gjoni në Lateran

Papa në Shën Gjonin në Lateran për mbylljen e rrugëtimit "(Pa)barazitë"

Më 25 tetor, Françesku do të flasë në takimin e organizuar nga dioqeza e Romës në përfundim të nismave me rastin e 50-vjetorit të konferencës mbi "Të këqijat e Romës", mbajtur nga 12 deri më 15 shkurt 1974. Marrin pjesë përfaqësues të institucioneve dhe të shoqërisë civile, të cilëve do t'u jepet një doracak, që përmbledh punën e bërë gjatë vitit

R.SH. – Vatikan

Papa Françesku do të marrë pjesë të premten, më 25 tetor, në orën 17.30, në bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, në asamblenë e dioqezës së Romës, e cila mbyll rrugëtimin “(Pa)barazitë”, nisur që në shkurt, me rastin e 50-vjetorit të konferencës “Përgjegjësia e të krishterëve përballë pritshmërive të bamirësisë dhe drejtësisë në qytetin e Romës”. Ajo u mbajt nga 12 deri më 15 shkurt 1974 dhe njihet si konferenca mbi “të këqijat e Romës”.

Në një deklaratë të Vikariatit të kryeqytetit italian, ku ftohen të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve dhe të shoqërisë civile, informohet se vikari, imzot Baldo Reina, do të paraqesë mbrëmjen e lutjes dhe të reflektimit, ndërsa gazetari Marco Damilano do t'u ofrojë pjesëmarrësve një përmbledhje të rrugëtimit të ndërmarrë në muajt e fundit me “(pa)barazitë”, me ndihmën e dy dëshmitarëve. Do të vijohet me fjalimin e Papës. Gjatë takimit, krerëve të administratave vendore do t'u jepet një doracak, që pasqyron punën e bërë nga dioqeza përmes "(Pa)barazive".

Në kujtim të konferencës për "Të këqijat e Romës"

Pasi filloi më 19 shkurt, me një kongres në Sallën e Pajtimit, në përkujtim të konferencës së shkurtit 1974, rrugëtimi vazhdoi me një sërë takimesh kushtuar fushave të ndryshme, sidomos dinamikave të përjashtimit dhe të pabarazive në qytetin e Romës: shkolla, shëndetësia, jetesa, puna. Gjatë çdo veprimtarie folën protagonistë të fushave të ndryshme, nga studentët te punonjësit e shëndetësisë, nga shoqatat lokale te ekonomistët dhe ekspertët.

Reina: "Të reflektojmë mbi përgjegjësitë e të krishterëve sot"

“Pesëdhjetë vjet më vonë ndjemë nevojën për të reflektuar mbi të këqijat e Romës së sotme dhe mbi përgjegjësitë e të krishterëve para këtyre pabarazive”, shpjegon imzot Reina, duke shtuar se takimet e organizuara forcuan bindjen për “praninë e nevojshme të Kishës në debatin publik”. “Shën Pali e thotë edhe në letrën drejtuar Filipianëve: Të krishterët duhet të sillen si 'qytetarë të denjë për Ungjillin' - kujton prelati. - Nuk pretendojmë të zgjidhim gjithçka, por mund të ofrojmë kontributin tonë, vështrimin tonë profetik dhe propozimet tona të shpresës – përfundon ai – me synimin që të bashkëpunojmë me institucionet civile e, në veçanti, me botën e vullnetarëve”.

03 tetor 2024, 10:39