Papa: nëse bashkëshortët i luten Shpirtit Shenjt, u risjell unitet e gëzim

Në katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme, Françesku foli për mënyrën sesi Shpirti Shenjt e ndriçon sakramentin e martesës, duke ringjallur "aftësinë për t’u dhuruar" e gëzimin e ri për të qenë së bashku" dhe duke e frymëzuar çiftin për të jetuar si të ishin një qenie e vetme, domethënë, si "ne”. Diçka, për të cilën fëmijët kanë shumë nevojë.

R.SH. - Vatikan

Shpirti Shenjt vijon të bëjë mrekullinë e Dasmës së Kanës për shumë bashkëshortë "që nuk kanë verë" në dasmën e tyre, duke e shndërruar "ujin e zakonshëm, në gëzim të ri për të qenë bashkë". Kjo ndodhi kur "bashkëshortët vendosën ta thërrisnin", dhe Shpirti Shenjt vuri "gishtin e Zotit" ndërmjet gruas dhe burrit, duke modifikuar proverbin e mirënjohur italian. Papa Françesku e nënvizoi këtë në katekizmin e audiencës së përgjithshme të kësaj të mërkure, e dhjeta kushtuar Shpirtit, dhuratës së Zotit, dhe analizës së thellë të mënyrës sesi kjo ndriçon "në veçanti sakramentin e martesës". Në mënyrë që çifti ta ruajë unitetin, edhe për të mirën e fëmijëve, sepse dihet - kujtoi Papa - “sa vuajnë, kur mungon”.

Shpirti i dashurisë bashkon Atin e Birin

Reflektimi i Françeskut drejtuar njëzet mijë besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit dhe miliona të tjerëve, që e ndiqnin përmes mjeteve të komunikimit masiv, pasi përfundoi shëtitjen me papamobil ndërmjet shtegtarëve, shoqëruar nga dy vajza të vogla, nisi nga doktrina e Shpirtit Shenjt e Shën Agustinit. Ai niset nga zbulesa se “Zoti është dashuri” (1 Gjn 4,8). Tani dashuria hamendëson njeriun që do e edhe vetë dashurinë, që i bashkon:

“Ati është, në Trini, ai që do, gurra dhe parimi i të gjithave; Biri është ai që duhet e Shpirti Shenjt, ai që i bashkon. Prej këndej, Perëndia i të krishterëve është një Zot "i vetëm", ​​por jo i vetmuar; i tij është një unitet bashkimi dhe dashurie.

Çifti njerëzor, realizim i parë i bashkimit të dashurisë

Për këtë arsye ndokush ka propozuar që Shpirti Shenjt  të mos quhet "Vetja e tretë" njëjës e Trinisë, por "Vetja e parë shumës". Sepse - shpjegoi Papa - "ai është Ne hyjnor i Atit dhe i Birit", lidhja e unitetit ndërmjet tyre "vetë parimi i unitetit të Kishës, që është pikërisht një "trup i vetëm" i cili rrjedh nga disa njerëz". Për këtë arsye – vijoi Papa - Shpirti mund të bëjë shumë, "ndoshta themeloren" me martesën:

“Martesa e krishterë është sakramenti i burrit dhe gruas që i dhurohen njëri-tjetrit. Kështu mendoi Krijuesi kur ‘krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së tij [...]: mashkullin dhe femrën i krijoi’. Çifti njerëzor është, pra, realizimi i parë dhe më elementar i bashkimit të dashurisë, që është Trinia”.

Bashkëshortët të formojnë një “ne” përpara botës

Duke ndjekur këtë shembull, “edhe bashkëshortët duhet të formojnë një vetë të parë shumës, një “ne” - sqaron Papa Françesku - të qëndrojnë njëri para tjetrit si një “unë” dhe një “ti”, ndërsa përballë pjesës tjetër të botës, duke përfshirë edhe fëmijët, si një 'ne'”:

“Sa bukur është të dëgjosh një nënë që u thotë fëmijëve të saj: "Babai yt dhe unë...", siç i tha Maria Jezusit kur e gjetën në tempull dymbëdhjetëvjeçar, dhe të dëgjosh një atë duke thënë: “Nëna jote e unë”, si të ishin një gjë e vetme. Sa shumë kanë nevojë fëmijët për këtë unitet prindëror, por sa shumë vuajnë kur ai dështon!”.

Shpirti Shenjt e ringjall aftësinë për të dhuruar vetveten

Për të përkuar me këtë thirrjeje, megjithatë, për Papën, "martesa ka nevojë për mbështetjen e Atij, që është "dhurata e vetvetes, Shpirtit Shenjt, i cili rilind "aftësinë për t’u dhuruar". Për disa Etër të Kishës Latine, Shpirti Shenjt, dhuratë e anasjelltë e Atit dhe e Birit, "është edhe arsyeja e gëzimit që mbretëron ndërmjet tyre" dhe ata folën për të duke përdorur "figuren e gjesteve tipike për jetën martesore, si puthja dhe përqafimi”. Unitet, ky, ndërmjet bashkëshortëve, që nuk është një synim i lehtë - kujton Papa Françesku - "aq më pak në botën e sotme". Por është e vërteta e gjërave, sipas Krijuesit, "dhe prandaj është në natyrën e tyre". Edhe nëse "mund të duket më e lehtë dhe më e shpejtë të ndërtosh martesën tënde në rërë, sesa në shkëmb", pasojat "e martesave të ndërtuara mbi rërë, për fat të keq, janë aty për t'i parë të gjithë dhe, mbi të gjitha, janë fëmijët ata që paguajnë haraç".

“Bashkëshortëve të shumtë u duhet përsëritur Ajo, që Maria ia tha Jezusit në Kanë të Galilesë për: ‘Nuk kanë më verë". Por Shpirti Shenjt megjithatë vazhdon të kryejë, në nivel shpirtëror, mrekullinë që bëri Jezusi në atë rast, domethënë, ta shndërrojë ujin e zakonit në një gëzim të ri për të qenë së bashku. Nuk është iluzion i përshpirtshëm: është ajo që bëri Shpirti Shenjt në shumë dasma, kur bashkëshortët vendosën ta thërrasin”.

Vëre “gishtin e Zotit, Shpirtin, ndërmjet çiftit

Papa përfundon duke komentuar se do të ishte mirë që në përgatitjen e çifteve të fejuara për martesë, “krahas informacionit të natyrës ligjore, psikologjike dhe morale”, të thellohej edhe kjo përgatitje “shpirtërore”:

"Asnji gisht nuk duhet ta vini ndërmjet burrit dhe gruas” thotë një proverb italian. Por është një “gisht” që mund të vihet ndërmjet gruas dhe burrit: pikërisht “gishti i Zotit”. Domethënë Shpirti Shenjt!”.

23 tetor 2024, 12:20

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >