Kërko

Shën Bonaventura nga Banjorexhio Shën Bonaventura nga Banjorexhio

Papa për Shën Bonaventurën e shën Tomën: dy “gjigantë” të doktrinës katolike

Mesazh i Atit të Shenjtë drejtuar bibliotekarit dhe arkivistit të Kishës Shenjte Romake, me rastin e hapjes, në Bibliotekën e Vatikanit, të ekspozitës për 750-vjetorin e vdekjes së Shën Bonaventurës nga Banjorexho dhe të Shën Tomës së Akuinit. “Ata janë "njerëz të ndritur" për atë qasje ndaj dijes dhe veçanërisht ndaj teologjisë, në të cilën thellësia intelektuale dhe jeta shpirtërore, shkenca dhe urtia, përvujtëria dhe dashuria ndërveprojnë dhe ushqejnë njëra-tjetrën”, shkruan Papa

R.SH. – Vatikan

         Papa Françesku dërgon një mesazh me rastin e hapjes, në Bibliotekën e Vatikanit, të ekspozitës për 750-vjetorin e vdekjes së Shën Bonaventurës nga Banjorexho dhe të Shën Tomës së Akuinit. Ekspozita titullohet “Libri dhe shpirti” e do të qëndrojë e hapur nga data e sotme, 25 tetor, deri më 14 dhjetor. Në të mund të shihen kodikë dhe dëshmi të dokumentuara për të dy shenjtorët, doktorë të Kishës.

Burime drite dhe frymëzimi për Kishën dhe për kulturën

         Mesazhi i Atit të Shenjtë i drejtohet imzot Vinçenc Xanit, bibliotekar dhe arkivist i Kishës Shenjte Romake. Duke e përgëzuar për nismën, Papa kujton se dhomat e para të Bibliotekës u përuruan nga Papa Siksti IV, në vitin 1475, pikërisht në 200-vjetorin e vdekjes së dy shenjtorëve, që janë parë gjithnjë së bashku. “Në fakt, - shkruan Françesku - ata vazhdojnë të jenë burime drite dhe frymëzimi për Kishën dhe për kulturën, edhe sot. Ata janë "njerëz të ndritur" për atë qasje ndaj dijes dhe veçanërisht ndaj teologjisë, në të cilën thellësia intelektuale dhe jeta shpirtërore, shkenca dhe urtia, përvujtëria dhe dashuria ndërveprojnë dhe ushqejnë njëra-tjetrën”.

“Doctor Communis” dhe “Doctor Seraphicus”

         “Doctor Communis” (siç quhet Shën Bonaventura) dhe “Doctor Seraphicus” (siç quhet Shën Toma) e shoqërojnë çdo shtegtar drejt Krishtit, duke përvijuar një udhë inteligjence, të shndritur nga feja. Papa përmend “vështrimin trinitar” të Shën Bonaventurës për krijesat, në të cilin integron “shenjtërinë e inteligjencës” dhe “inteligjencën e shenjtërisë”.

         Ky element vihet në dukje në ekspozitë, si edhe në ditën e studimeve për të dy Doktorët e Kishës, ku u ftuan të gjitha universitetet papnore të Romës, në bashkëpunim me institucione e universitete ndërkombëtare, ndër të cilat vlen të përmendet ai i Parisit I Sorbonë, ku Shën Toma e Shën Bonaventura u formuan si Mësues të Teologjisë.

Mendimi i dy “gjigantëve” të doktrinës katolike të përhapet më tej

         Ati i Shenjtë përmend në mesazh sa shpesh Papët para tij i kanë përmendur të dy shenjtorët dhe kontributin e tyre për Kishën Katolike. “Ekspozita e tanishme, në këtë vazhdë, synon të kontribuojë në gjetjen e gjuhëve dhe të mjeteve të përshtatshme për kohën e sotme, në mënyrë që mendimi i dy “gjigantëve” të doktrinës katolike të vazhdojë të përhapet, duke arritur tek të gjithë”, shkruan Bergoglio. “Me të vërtetë – përfundon Papa - dy mjeshtrat e shenjtë na mësojnë ta shikojmë lumturinë e amshuar si frytin e epërm të urtisë, shkencës dhe dashurisë, duke na inkurajuar të bëhemi shtegtarë në fe, në mënyrë që "dëshmia e besimtarit të jetë tharm i shpresës së vërtetë në botë", flakë që shndrit, duke i përvijuar shtegun”.

25 tetor 2024, 15:49