Papa: prindërit, që kanë humbur fëmijë, të gjejnë mbështetje dhe ngushëllim

Videomesazhi i Françeskut me ndjetin e lutjes për muajin nëntor u drejtohet atyre, që vajtojnë vdekjen e një djali apo një vajze: është dhimbje kaq e madhe sa nuk ka as fjalë për ta shprehur. Familjet t'i dëgjojnë ata, që kanë këto plagë dhe bashkësia e krishterë të kujdeset për ta

R.SH. – Vatikan

Për Papën Françesku, humbja e një fëmije është torturë pa shpjegim, aq sa fjalët e thëna në këto raste janë të kota nëse nuk shoqërohen me afërsinë plot dashuri, delikatesë e lutje. Për këtë temë, Ati i Shenjtë është shprehur në disa raste, por gjatë muajit nëntor, të cilin Kisha ia kushton të afërmve, që janë ndarë nga kjo botë, ai e vë në qendër të ndjetit të lutjes, njoftuar përmes videomesazhit të realizuar nga Rrjeti Botëror i Lutjeve të Papës. "Çfarë mund t'u thuhet prindërve, që kanë humbur një fëmijë? Si t’i ngushëllojmë?", pyet Françesku.

Nuk ka fjalë

Të mos dish as si ta quash veten pas humbjes së një fëmije është diçka, që nuk mund të anashkalohet dhe e rëndon akoma më shumë dramën. "Mendoni: kur një nga bashkëshortët e humbet tjetrin, ai ose ajo është vejan, ose vejushë. Fëmija, që humbet prindin, është jetim. Ka një fjalë për të. Por për prindin, që humbet fëmijën, nuk ka fjalë”, vë në dukje Papa, duke shtuar se nuk është e natyrshme që prindi të jetojë më gjatë se fëmija.

“Fjalët ngushëlluese, nganjëherë, janë banale, ose sentimentale dhe nuk sjellin asnjë dobi. Edhe kur thuhen natyrshëm, me qëllimet më të mira, ato mund ta lëndojnë më shumë plagën”, vëren Françesku.

Dëgjoni, qëndroni afër me dashuri

"Për t'i ngushëlluar këta prindër, që kanë humbur një fëmijë, duhet t'i dëgjojmë - pohon Papa – t’u qëndrojmë pranë me dashuri, duke u kujdesur për dhimbjen e tyre me përgjegjësi, duke imituar mënyrën e Jezu Krishtit për ngushëllimin e të munduarve”. Ati i Shenjtë fton të krijohet një rrjet afërsie dhe butësie rreth këtyre prindërve. Feja e shoqëruar me ngushëllimin, që vjen nga familjet e tjera, mund të jetë thelbësore për ta ripërtërirë shpresën pas "një tragjedie kaq të tmerrshme".

“Të lutemi që të gjithë prindërit, të cilët vajtojnë vdekjen e një djali apo vajze të gjejnë mbështetje në bashkësi dhe të marrin nga Shpirti Shenjt ngushëllues paqen e zemrës”.

Historitë e shpresës së rilindur

Në video shihet dhimbja e Serenës, e cila hidhet në krahët e Papës Françesku në Poliklinikën Gemelli, për të vajtuar Anxhelikën e saj të vogël, e cila sapo ka vdekur nga një sëmundje gjenetike. Është edhe dhimbja e Lukës dhe e Paolës, prindër të Françeskut, vrarë në një aksident me makinë në moshën 18-vjeçare, në vitin 2022: që atëherë nuk ka mbetur ditë pa u kthyer në vendin e aksidentit, apo pa i sjellë një lule në varr. Është ajo e Yanet, nëna e William, vrarë në moshën 21-vjeçare nga bandat, për impenjimin e tij kundër dhunës.

Por nuk mungojnë imazhet që tregojnë për kapërcimin e traumave: ato të grupit Naìn, lindur në bashkësinë e Romenës, ku takohen një herë në muaj familjet që kanë humbur një fëmijë. Naìn merr emrin e vendit jo shumë larg Nazaretit ku Jezusi takon vejushën, së cilës i ka vdekur djali i vetëm dhe pa fjalë, prek arkivolin e fëmijës së vdekur: janë gjeste, që kanë më tepër rëndësi se sa fjalët, përballë një dhimbjeje kaq të madhe.

Përvojë, që hedh poshtë sentimentalizmin banal

Pikërisht grupit Naìn, pritur në nëntor 2023 në sallën Pali VI, Papa Françesku i pati kujtuar se "të jesh i krishterë do të thotë të kujdesesh për të plagosurit në shpirt e për të vuajturit, të ndezësh një dritë të vogël aty ku gjithçka duket e humbur". Dhe kur përballemi me vdekjen e një fëmije ("Një dhimbje e madhe, e pangushëllueshme, e cila nuk duhet të banalizohet kurrë me fjalë boshe dhe përgjigje sipërfaqësore"), të kujdesesh për plagët do të thotë para së gjithash "të dish të derdhësh lot së bashku" dhe "të çosh së bashku britmën e dhimbjes para Jezu Krishtit”. Edhe gjatë një takimi me prindërit e shoqatës Talità Kum të Viçencës, Papa pati thënë se humbja e një fëmije është "përvojë, që nuk pranon përshkrime teorike dhe hedh poshtë kotësinë e fjalëve fetare ose sentimentale, inkurajimin e shterpët e frazat e rastit, të cilat ndonëse synojnë të ngushëllojnë, përfundojnë duke i lënduar edhe më shumë ata që, si ju, përballen çdo ditë me një betejë të ashpër shpirtërore”.

31 tetor 2024, 16:03