At Françesk Patton, Rojtar i Tokës Shenjte At Françesk Patton, Rojtar i Tokës Shenjte

Papa: Rojtaria e Tokës Shenjte, mision paqeje dhe dialogu në mes të konflikteve

Papa Françesku shkruan parathënien e librit-intervistë "Si në shtegtim - Ditët e mia në Tokën Shenjte" (Ts Edizioni) shkruar nga Rojtari i Tokës Shenjte, Át Françesk Patton, me gazetarin e së përditshmes vatikanase “L'Osservatore Romano”, Roberto Cetera. Vëllimi u paraqit në Bolonjë, të dielën, 29 shtator, në kuadrin e Festivalit Françeskan

R.SH. – Vatikan

Përkujdesja – shkruan Papa në parathënie - është detyra e parë, që Zoti i beson njeriut të sapokrijuar. E, në Tokën Shenjte, toka e Jezusit, ekziston prej shekujsh Rojtaria e Tokës Shenjte, kreu i së cilës nuk ka detyra dhe aq të thjeshta: të administrojë shumë shenjtërore, që përshkojnë jetën e Jezu Krishtit dhe presin çdo vit mbi gjysmë milioni shtegtarë. Të koordinojë punën e fretërve të shumtë në tetë vende të ndryshme (Izrael, Palestinë, Jordani, Siri, Liban, Egjipt, Qipro dhe ishulli i Rodit), fretër të cilët, të ardhur nga kombe të ndryshme, garantojnë karakteristikën kryesore të Rojtarisë: ndërkombëtaritetin e saj. Pasuri e çmuar, mikrokozmos përfaqësues i katolicitetit të Kishës, por që kërkon një përpjekje të vazhdueshme për të harmonizuar kulturat dhe traditat e ndryshme.

Ky aspekt ndërkombëtar mund të jetë laborator për të ardhmen e Kishave perëndimore, që do të pasqyrojnë pasojat e lëvizjeve të mëdha migratore. Pastaj, fretërit kujdesen jo vetëm për praktikën shpirtërore intensive në vendet e shenjta, por edhe për veprimtarinë e gjallë baritore: mjafton të mendohet – vëren Papa - se katër famullitë më të mëdha të Patriarkatit të Jeruzalemit - Nazareti, Betlehemi, Jaffa dhe Jerusalemi - udhëhiqen nga fretërit e Rojtarisë. E, edhe 16 shkollat, ​​që janë kaq të rëndësishme për formimin e kulturës së paqes dhe për takimin ndërmjet etnive e feve të ndryshme. Fretërit – vijon Françesku – merren me dialogun ekumenik dhe ndërfetar, i cili në Tokën Shenjte shkon përtej polemikave teologjike dhe hyn në jetën e përditshme të shumë njerëzve, kërkon hapje, mikpritje dhe delikatesë të jashtëzakonshme. Pastaj, administrimi i ndërlikuar i asaj ore zvicerane, që është Status Quo-ja, thelbësore për praninë e traditave të ndryshme fetare. Por më shumë se çdo gjë tjetër, përballja me konfliktin tragjik, që ka prekur Tokën e Shenjtë prej 76 vitesh.

Me pak fjalë, vëren Ati i Shenjtë, kjo punë dhe përgjegjësi e madhe rëndon mbi supet e fretërve françeskanë dhe të Rojtarisë së tyre. Një përgjegjësi, të cilën, siç tregohet në fillim të këtij libri, Át Françeskut Patton i ra mbi kokë krejt papritur dhe pa kujtuar, por mundi ta kryente si duhet. E, mund t’i jemi vetëm mirënjohës për këtë, sepse, siç thuhet, Jeruzalemi nuk i përket askujt, por është i të gjithëve.

Át Françesku – tregon më tej Papa - i kreu këto detyra të vështira me një stil krejt të tijin, të cilin lexuesi i vëmendshëm do ta kuptojë në këtë libër. Me durim, thjeshtësi dhe aftësi për të dëgjuar, por edhe me vendosmëri, kur e kërkonin ngjarjet dramatike të atij vendi. Mandati i Át Patton u përshkua nga ngjarje të jashtëzakonshme dhe të tmerrshme, të cilat do të mbahen mend në histori. Vitet e rënda të pandemisë e, pastaj, nga 7 tetori, ajo luftë e tmerrshme, që Patriarku i Jeruzalemit, kardinali Pierbattista Pizzaballa, e përcaktoi saktë si një nga 'më të gjatat dhe më të rëndat' prej shumë, tepër konflikteve, që kanë goditur Tokën Shenjte dhe Lindjen e Mesme. Në këto rrethana dramatike, Át Françesku mundi ta mbante drejt timonin e anijes, që iu besua, duke i shtuar përpjekjet për të qenë pranë njerëzve të prekur nga këto tragjedi. Kam parasysh nismën më të bukur që realizoi, së bashku me famullitarin, Át Ibrahim Faltas, në këto muaj të luftës mizore në Gazë: transferimin në Itali të 150 fëmijëve të plagosur dhe të sëmurë.

Ky libër, - kam kënaqësinë të nënvizoj, thekson Ati i Shenjtë – që ka lindur nga bashkëpunimi i dy strukturave kishtare, të cilat shprehin mirë, nëpërmjet ndërkombëtaritetit, katolicitetin e Kishës: Rojtaria dhe L'Osservatore Romano, do të na ndihmojë ta njohim Át Patton më mirë. E mbaj mend stilin e tij që në takimin tonë të parë, kur i thashë duke qeshur: "Nga mbiemri yt mendova se ishe ndonjë frat yankee... ndërsa qenke nga Triveneto!" Këtij frati yankee nga Trentino, urimi im, ashtu siç thonë  françeskanët, që "Zoti t’i japë paqe" atij dhe mbi të gjitha Tokës Shenjte dhe të gjithë atyre, që kujdesen për të.

04 tetor 2024, 12:09