Kërko

Papa, rrëfyesve të Vatikanit: mos u bëni psikiatër, falni pa bërë pyetje

“Përvujtëria, dëgjimi dhe mëshira” janë tre aspektet që kanë të bëjnë me shërbesën e Pajtimit, mbi të cilat reflekton Papa Françesku në fjalën e tij para rrëfyesve, që shërbejnë në Bazilikën e Shën Pjetrit. “Të kuptoj”: kjo është siguria, që i duhet dhënë pendestarëve, të cilëve u vjen turp për mëkatet e tyre

R.SH. - Vatikan

"Dëgjo, mos bëj shumë pyetje; mos u bëj psikiatër, të lutem: dëgjo, dëgjo gjithmonë, me butësi" dhe "fal gjithçka, gjithçka, gjithçka. Bëjeni gjithmonë: falni gjithçka". Këto janë dy nxitjet e Papës Françesku në fjalimin e tij drejtuar bashkësisë së Kolegjit të rrëfyesve të Vatikanit, shqiptuar në audiencën e sotme, 24 tetor. Papa reflekton mbi tri fjalët, që mishërojnë sakramentin e Pajtimit, "përvujtëri, dëgjim dhe mëshirë". Gjithashtu Papa u kujton të pranishmëve se duke dëgjuar “vëllanë tonë në bisedën sakramentale, ne dëgjojmë vetë Jezusin, të varfër dhe të përvuajtur”.

Rasti i takimit ishte 250-vjetori i lënies së Rrëfimeve në Bazilikën e Shën Pjetrit në duart e Fretërve të vegjël Konventualë nga Papa Klementi XIV. Bazilika e Shën Pjetrit, vërejti Françesku, vizitohet çdo ditë nga më se 40 mijë shtegtarë. Shumë vijnë nga larg për të konfirmuar "fenë e bashkimin me Kishën dhe për t'ia besuar Zotit ndjetet e tyre më të dashura", ose për të plotësuar një premtim, që i kanë bërë Hyjit. Shumë të tjerë, “shumica”, hyjnë “si turistë”, “të tërhequr nga bukuria, historia, arti”.

“Por tek të gjithë, me vetëdije a jo, ka një nxitje të vetme e të madhe: kërkimi i Zotit, bukuri e mirësi e përjetshme, dëshira për të cilin jeton dhe pulson në çdo zemër burri e gruaje të kësaj bote… ajo dëshirë për Hyjin”.

Të dëshmojmë faljen

Prania e rrëfyesve u jep mundësi besimtarëve "të takojnë Zotin e mëshirës" dhe "gjithë të tjerëve" të mirëpriten në Kishë. Duke shpjeguar tri fjalët, që zgjodhi për reflektim - përvujtëri, dëgjim dhe mëshirë – Ati i Shenjtë u kërkoi rrëfyesve të jenë ata vetë pendestarë, siç mëson Shën Pjetri, të ushtrohen në artin e të dëgjuarit dhe të jenë njerëz të qeshur, plot diell për të tjerët, t’i kuptojnë e t’i ngushëllojnë, me fjalë e gjeste.

“Rrëfyesi - enë prej argjile - ka një ilaç të vetëm për ta derdhur mbi plagët e vëllezërve të tij: mëshirën e Zotit. Ato tre aspekte të Zotit: afërsinë, mëshirën dhe dhembshurinë. Rrëfyesi duhet të jetë i afërt, i mëshirshëm dhe i dhembshur… Gjithmonë falni, gjithçka dhe pa bërë shumë pyetje. Po sikur të mos kuptoj gjë? Zoti e kupton, ti vazhdo! Njerëzit duhet ta ndjejnë mëshirën”, nënvizoi Ati i Shenjtë, i cili kujtoi shenjtin e Sakramentit të Pajtimit, Leopold Mandiç.

Fjalët e shën Leopold Mandiç

Pikërisht ky shenjtor thoshte: "Pse duhet t'i poshtërojmë më tej shpirtrat, që vijnë të gjunjëzohen para këmbëve tona? A nuk janë poshtëruar mjaftueshëm tashmë? Mos vallë Jezusi e poshtëroi tagrambledhësin, gruan kurorëthyese, Magdalenën?'", duke shtuar "nëse Zoti do të më qortonte se jam tepër bujar, unë do t’i thosha: 'Zot i bekuar, ti ma ke dhënë këtë shembull të keq, duke vdekur në kryq për shpirtrat, për shkak të dashurisë tënde hyjnore". Papa kujtoi edhe një frat kapuçin në Buenos Ajres, që i falte të gjithë, sipas shembullit të shën Leopoldit Mandiç. Ky ishte rrëfyesi i tij, që ndërroi jetë disa muaj më parë e, së fundi, Ati i Shenjtë i ftoi të gjithë të luten për të.

24 tetor 2024, 12:18