Papa, Scalabrianëve: kujdes për emigrantët, viktima të padrejtësive çnjerëzore
R.SH. / Vatikan
T'i kapërcejmë “stereotipet”, për të njohur tek tjetri, kushdo qoftë dhe prej nga vjen, një dhuratë nga Zoti, unike, të shenjtë, të pacenueshme, të çmuar për të mirën e të gjithëve”. Është ftesa drejtuar nga Papa Françesku mëngjesin e sotëm, 28 tetor, misionarëve të Shën Karlit Borromeu, të njohur më shumë me emrin Skalabrinianë, pret në audiencë në Sallën e Koncistorit, në Vatikan, me rastin e Kapitullit XVI të Përgjithshëm. Duke u frymëzuar nga tema e jubileut "Shtegtarët e Shpresës" që frymëzon Kapitullin, Papa e përqëndroi reflektimin e tij mbi tre aspekte të veçanta të misionit: migrantët, "mjeshtrat e shpresës"; nevoja për kujdesin ad hoc baritor; bamirësi konkrete "që i kthen në qendër njeriun, të drejtat dhe dinjitetin e tij".
Në kërkim të bukës së përditshme
“Është bukur që në planifikimin e ardhshëm të kujdesit baritor misionar dhe bamirës në favor të migrantëve, keni zgjedhur të merrni frymëzim nga tema e Jubileut”, vërejti Papa duke u nisur, në arsyetimin e tij, nga tema e parë e trajtuar, emigrantët, në favor të të cilëve urdhri i themeluar nga Shën Gjon Pagëzues Scalabrini kryen apostullimin e tyre. “Unë jam bir emigrantësh dhe në shtëpi kemi jetuar gjithmonë me mendimin se shkojmë atje për të bërë Amerikën, për të përparuar, për të shkuar më tej”- kujtoi Papa. Populli largohet me shpresën “se do të gjejë bukën e përditshme diku tjetër”, shton, duke cituar Shën Gjon Batista Skalbarinin, “e nuk dorëzohet edhe kur duket sikur gjithçka “remon kundra”, edhe kur dyertë gjinden të mbylluara e rrugët, të ndaluara:
“Këmbëngulja e tyre, e mbështetur shpeshherë nga dashuria për familjet e lëna pas në vendlindje, na mëson shumë, veçanërisht për ju që, ‘emigrantë mes mërgimtarëve’ - siç ka dashur themeluesi juaj – rrugëtoni me ta”.
Historia e shpëtimit, histori emigrantësh
Nëpërmjet “dinamikës së takimit, të dialogut, të pritjes së Krishtit të pranishëm në të huajin”, vazhdon Papa, “ju rriteni së bashku me ta, në solidaritet me njëri-tjetrin, të braktisur “në Zotin dhe vetëm në Zotin”. Dhe i nxit: “Mos e harroni Dhiatën e Vjetër: vejushën, jetimin dhe të huajin. Ata janë popull i privilegjuar i Zotit”. Kërkimi i një të ardhmeje që gjallëron mërgimtarin, për më tepër, shpreh nevojën për shpëtimin, që i bashkon të gjithë, pavarësisht nga raca dhe kushtet. Në të vërtetë, “endja”, nënvizon Françesku “e kuptuar dhe e jetuar drejt”, mund të bëhet, “edhe me dhimbje, shkollë e çmuar feje dhe njerëzimi si për ata që ndihmojnë, ashtu edhe për ata që ndihmohen. Të mos harrojmë - paralajmëron - se vetë historia e shëlbimit është histori emigrantësh, popujsh në lëvizje”.
Të rritemi, së bashku me emigrantët
Më pas Papa Françesku prek pikën e dytë të reflektimit, nevojën për kujdesin baritor të shpresës. Nëse nga njëra anë migrimi, "me mbështetjen e duhur", mund të bëhet çast "rritjeje për të gjithë", nga ana tjetër, nëse jetohet në vetmi dhe braktisje, "mund të degjenerojë në drama çrrënjosjeje ekzistenciale, kriza vlerash dhe perspektivash, deri në atë pikë, sa të çojnë në “humbje besimi dhe dëshpërim”:
“Padrejtësitë dhe dhuna nëpër të cilat kalojnë kaq shumë nga vëllezërit dhe motrat tona, të shkëputur nga shtëpitë e tyre, shpesh janë aq çnjerëzore saqë mund të tërheqin edhe më të fortët në errësirën e dëshpërimit apo të dorëheqjes së errët”.
Nuk duhet harruar, kujton Papa Françesku, se çdo migrant "duhet të mirëpritet, të shoqërohet, të promovohet dhe të integrohet". Në dritën e kësaj, kemi nevojë për dikë që përkulet mbi plagët e emigrantëve, "duke u kujdesur për ligështinë e tyre ekstreme fizike, shpirtërore dhe psikologjike", nëse nuk duan t'u mungojnë forca dhe qëndrueshmëria e nevojshme për të vazhduar udhëtimet e nisura:
“Duhen ndërhyrje të forta baritore afërsie, në nivel material, fetar dhe njerëzor, për të mbështetur ndër to shpresën e, bashkë me të, edhe rrugët e brendshme që të çojnë te Zoti, shoqërues besnik i shtegtimit, gjithmonë i pranishëm përkrah atij që vuan”.
Fatkeqësitë e mëdha rëndojnë ende mbi botë
Papa Françesku nuk e harroi as rënien e natalitetit, parë si prirje e trishtuar, e përhapur: “Sot shumë vende kanë nevojë për migrantë. Italia nuk ka fëmijë, nuk ka fëmijë. Mosha mesatare është 46 vjeç. Italia ka nevojë për emigrantë dhe duhet t'i pranojë, t'i shoqërojë, t'i promovojë dhe t'i integrojë. Ne duhet ta themi këtë të vërtetë”. Situata nuk ka ndryshuar shumë në krahasim me atë kur, në portat e Jubileut të vitit 1900, Shën Gjon Pagëzues Scalabrini pati kujtuar se "bota rënkon nën peshën e fatkeqësive të mëdha": "Edhe në ditët tona, ata që largohen e bëjnë shpesh këtë për shkak të pabarazive tragjike dhe të padrejta të mundësive, të demokracisë, të së ardhmes ose të skenarëve shkatërrues të luftës që godasin planetin”, theksoi Papa.
Ndërmjet indiferencës dhe spekulimeve
Këtyre elementëve i shtohet edhe “mbyllja dhe armiqësia” e vendeve të pasura, të cilët këdo që troket në derë e shohin “si kërcënim për mirëqenien e tyre”. Prandaj Papa jep një shembull praktik, duke iu referuar “skandalit” që ndodh gjatë vjeljes së mollëve në veri: “Ata sjellin emigrantë nga Evropa Qendrore, por më pas i largojnë. I përdorin për të mbledhur mollën dhe më pas i dëbojnë”:
“Kështu, në ballafaqimin dramatik ndërmjet interesave të atyre që mbrojnë prosperitetin e tyre dhe luftës së atyre që përpiqen të mbijetojnë, duke ikur nga uria dhe persekutimi, humbin shumë jetë njerëzore, nën sytë indiferentë të atyre që kufizohen vetëm me shikimin e shfaqjes. ose më keq, spekullojnë mbi lëkurën e atyre që vuajnë”.
Nëse në Bibël, "një nga ligjet e Jubileut ishte kthimi i tokës atyre që e kishin humbur, sot - shpjegon Papa duke arritur në aspektin e tretë dhe të fundit të trajtuar në fjalën e tij - ky akt drejtësie mund të materializohet në një kontekst tjetër, në një bamirësi që i kthen në qendër personin, të drejtat dhe dinjitetin e tij”.
Së fundi, nxitja që Kapitulli i misionarëve të Shën Karlit të mund të përbëjë "mundësi për thellimin dhe ripërtëritjen e jetës dhe misionit" duke filluar nga një kohë falënderimi të përvuajtur dhe gazmor, përpara Eukaristisë, të Jezusit të kryqëzuar dhe të Marisë, Nënës së mërgimtarëve.
“Vetëm prej andej – përfundon Papa – mund të nisemi për të ecur së bashku, me shpresë e bamirësi”.