Papa shpalli 21 kardinaj të rinj: fytyrë e "universalitetit të Kishës"
R.SH. – Vatikan
Nga Irani në Indonezi, nga Japonia në Filipine, nga Bregu i Fildishtë në Algjeri, deri në Itali, me vikarin e ri të dioqezës së Romës. Pa dhënë ndonjë njoftim më parë, siç e ka bërë zakon tashmë gjatë këtyre 12 viteve të papnisë, Papa Françesku, pas Engjëllit të Tënzot nga dritarja e Pallatit Apostolik, lexoi listën e kardinajve të rinj, të cilët do t’i krijojë në Koncistorin e 8 dhjetorit, solemnitet i Zojës së Papërlyer.
Në listën e Atit të Shenjtë ndërthuren periferitë e botës me kryedioqezat e mëdha e me personalitetet e Kuries romake, në përpjekjen e qartë për t’i dhënë Kishës një fytyrë vërtet universale në këtë koncistor, i dhjeti i papnisë së Françeskut.
“Origjina e tyre – tha Papa gjatë Engjëllit të Tënzot - shpreh universalitetin e Kishës, e cila vazhdon të shpallë dashurinë e mëshirshme të Hyjit për të gjithë njerëzit e tokës. Përfshirja në dioqezën e Romës tregon edhe lidhjen e pandashme ndërmjet selisë së Shën Pjetrit dhe Kishave të veçanta të përhapura në botë”.
Në listë figuron emri i imzot Baldassarre Reina, për të cilin Papa njoftoi se do të bëhet vikari i ri i Romës, duke pasuar kështu kardinalin Angelo De Donatis, i cili u emërua në krye të Pendestarisë Apostolike, prillin e kaluar. Deri tani, imzot Reina ka kryer detyrën e mëkëmbësit.
Ndër kardinajtë e ardhshëm, edhe nunci Angelo Acerbi, 99 vjeç, ndoshta kardinali më i vjetër i krijuar deri më sot. Acerbi do të jetë ndër kardinajtë që, për arsye moshe, nuk do të votojnë në një Konklav të ardhshëm. Tre emra nga Kuria Romake. Para së gjithash, Át Fabio Baggio, skalabrinian, zv.sekretar i Dikasterit për Nxitjen e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor dhe drejtues i Seksionit të Migrantëve dhe Refugjatëve. Át Baggio është edhe drejtor i përgjithshëm e pikë referimi e drejtpërdrejtë e Papës Françesku për Borgo Laudato Si' dhe Qendrën e Formimit të Lartë Laudato Si'. Pastaj, kryeipeshkvi lituanez, imzot Rolandas Makrickas, 51 vjeç, emëruar komisar i jashtëzakonshëm për Bazilikën Papnore të Zojës së Madhe, më 2021, si edhe Imzot George Kovakaad, indian, figurë e njohur për publikun e gjerë si organizator i udhëtimeve papnore.
Ja lista e kardinajve të ardhshëm:
1. SH.T. Imzot Angelo Acerbi, Nunc Apostolik
2. SH.T. Imzot Carlos Gustavo CASTILLO MATTASOGLIO, kryeipeshkëv i Limës (Peru).
3. SH.T. Imzot Vicente BOKALIC IGLIC C.M., kryeipeshkëv i Santiago del Estero (Primat i Argjentinës).
4. SH.T. Imzot Luis Gerardo CABRERA HERRERA, O.F.M., kryeipeshkëv i Guayaquil (Ekuador).
5. SH.T. Imzot Fernando Natalio CHOMALÍ GARIB, kryeipeshkëv i Santiago de Cile (Kili).
6. SH.T. Imzot Tarcisio Isao KIKUCHI, S.V.D., kryeipeshkëv i Tokios (Japoni).
7. SH.T. Imzot Pablo Virgilio SIONGCO DAVID, ipeshkëv i Kalookanit (Filipine).
8. SH.T. Imzot Ladislav NEMET, S.V.D., kryeipeshkëv i Beogradit -Smederevo, (Serbi).
9. SH.T. Imzot Jaime SPENGLER, O.F.M., kryeipeshkëv i Porto Alegre (Brazil).
10. SH.T. Imzot Ignace BESSI DOGBO, kryeipeshkëv i Abidjanit (Bregu i Fildishtë).
11. SH.T. Imzot Jean-Paul VESCO, O.P., kryeipeshkëv i Algjerit (Algjeri).
12. SH.T. Imzot Paskalis Bruno SYUKUR, O.F.M., ipeshkëv i Bogorit (Indonezi).
13. H. E. Imzot Dominique Joseph MATHIEU, O.F.M. Konv., kryeipeshkëv i Teheranit Ispahan (Iran).
14. SH.T. Imzot Roberto REPOLE, kryeipeshkëv i Torinos (Itali).
15. SH.T. Imzot Baldassare REINA, ipeshkëv ndihmës i Romës, ish-zv.gjerent e, që sot, Vikar i Përgjithshëm për dioqezën e Romës.
16. SH.T. Imzot Francis LEO, kryeipeshkëv i Torontos (Kanada).
17. SH.T. Imzot Rolandas MAKRICKAS, Kryeprift koadiutor i Bazilikës Papnore të Zojës së Madhe.
18. SH.T. Imzot Mykola BYCHOK, C.Ss.R., ipeshkëv i eparkisë Shenjtorët Pjetër dhe Pal të Melburnit të ukrainasve
19. Át Timothy Peter Joseph RADCLIFFE, OP, teolog
20. Át Fabio BAGGIO, C.S., zv.sekretar i Seksionit të Migrantëve dhe Refugjatëve të Dikasterit për Nxitjen e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor.
21. Imzot George Jacob KOOVAKAD, funksionar i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, përgjegjës për udhëtimet papnore.