Kërko

Takimi i Papës me presidentin ukrainas Zelensky Takimi i Papës me presidentin ukrainas Zelensky

Papa takohet me Zelensky-n më 11 tetor

Kreu ukrainas në audiencë në Vatikan, pas dy ditësh, në orën 9.30. Është hera e tretë, që presidenti pritet nga Françesku, herën e fundit në maj 2023. Pastaj, takimi dypalësh i rezervuar në G7, në Pulia. Ndërmjet tyre, kontakte publike dhe private, thirrje dhe misioni i kardinalit Zuppi me etapë në Kiev, si edhe takimi i kreut të shtetit ukrainas me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Parolin

R.SH. – Vatikan

         Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kthehet në Vatikan për herë të tretë, në një audiencë me Papën Françesku. Kështu bëhet e ditur nga Salla e shtypit e Selisë së Shenjtë, që njofton se takimi është caktuar për këtë të premte, më 11 tetor, në orën 9.30. Audienca e Papës me liderin e vendit të “martirizuar” nga një konflikt, që zgjat prej më se dy vjetësh e gjysmë zhvillohet shtatëmbëdhjetë muaj pas takimit të fundit në dhomën anësore të Sallës Pali VI, më 13 maj 2023. Dyzet minuta bisedë, gjatë së cilës Papa pati siguruar lutjen e tij të vazhdueshme për vendin, që s’e harron kurrë në thirrjet e tij publike për paqe.

Takimi me imzot Paul Richard Gallagher
Takimi me imzot Paul Richard Gallagher

Audienca e fundit në Vatikan në maj 2023

Të dy, siç thuhej në një notë të Vatikanit në atë kohë, "ranë dakord për nevojën e vazhdimit të përpjekjeve humanitare në mbështetje të popullsisë" dhe "Papa nënvizoi, në veçanti, nevojën urgjente për "gjeste humanizmi" ndaj njerëzve më të brishtë, viktimave të pafajshme të konfliktit”. Zelensky - i cili atë ditë pati edhe një bisedë me imzot Paul Richard Gallagher, sekretar i Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet dhe organizatat ndërkombëtare - përmes një postimi në platformën X, konfirmoi se kishte folur me Françeskun për "dhjetëra mijëra fëmijët ukrainas të marrë me forcë" në Rusi, që duhej të ktheheshin me çdo kusht në shtëpi. Ai shtonte se kishte kërkuar që të "dënohen krimet ruse në Ukrainë" dhe nënvizonte se e ashtuquajtura "Formulë e Paqes" ishte "i vetmi algoritëm efektiv për arritjen e një paqeje të drejtë". Pati premtuar "t'i përmbahej zbatimit të saj".

Takimi me kardinalin Pietro Parolin
Takimi me kardinalin Pietro Parolin

Presidenti ukrainas e ka takuar Papën edhe në fillim të luftës në Ukrainë, më 8 shkurt 2020, në Vatikan, por edhe këtë vit (2024), në qershor në mbledhjen e G7-ës në Pulje, ku pati një takim privat dypalësh me Atin e Shenjtë. Për t’u përmendur, misioni i kardinalit italian Matteo Zuppi si i dërguar i Papës për çështjen ukrainase, si edhe takimi i presidentit Zelensky me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin.

09 tetor 2024, 15:57