Kërko

Papa: të lutemi për Haitin, të mbrohen dinjiteti dhe të drejtat e popullsisë

Papa kujton dhunën dramatike, që ka përfshirë vendin e Karaibeve dhe po detyron mijëra njerëz të ikin. Thirrja për bashkësinë ndërkombëtare që "të punojë për të arritur paqen dhe pajtimin"

R.SH. – Vatikan

         Lutuni për njerëzit, që në Haiti përjetojnë dhunë dhe detyrohen të ikin. Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku foli për vendin e Karaibeve, pre e brutalitetit dhe e egërsisë së grupeve të armatosura, që kanë vënë në shënjestër popullsinë e pafajshme.

“Ndjek situatën dramatike në Haiti, ku vazhdon dhuna kundër popullsisë së detyruar të largohet nga shtëpitë në kërkim të sigurisë diku tjetër, brenda dhe jashtë vendit. Të mos i harrojmë kurrë vëllezërit dhe motrat tona haitiane. U kërkoj të gjithëve të luten që të ndalen të gjitha format e dhunës dhe, me impenjimin e bashkësisë ndërkombëtare, të vazhdohet puna për arritjen e paqes e të pajtimit në vend, duke mbrojtur gjithmonë dinjitetin dhe të drejtat e të gjithëve”.

Gjendja në Haiti

Vetëm pak ditë më parë, Human Rights Watch denoncoi përfshirjen e "qindra, nëse jo mijëra" fëmijëve në të ashtuquajturat “baby gang”, ku hyjnë të shtyrë nga varfëria dhe uria e shfrytëzohen për trafikim të paligjshëm dhe bëhen viktima abuzimesh të të gjitha llojeve nga grupe kriminelësh të paskrupullt. Prandaj, organizata e nxiti qeverinë e tranzicionit t’u sigurojë atyre mbrojtje.

Fëmijët rekrutohen nga grupe kriminale, të cilat tani kontrollojnë pothuajse 80 për qind të kryeqytetit Port-au-Prince, pas intensifikimit të operacioneve policore nga ana e forcave shumëkombëshe dhe lokale. Sipas Unicef-it, rreth 2,7 milionë njerëz, ndër të cilët edhe gjysmë milioni fëmijë, detyrohen të jetojnë nën kontrollin e bandave, që vazhdojnë të shkaktojnë qindra vdekje.

13 tetor 2024, 14:58