Papa takon ministrat e G7-ës së parë për Përfshirjen dhe Aftësinë Ndryshe Papa takon ministrat e G7-ës së parë për Përfshirjen dhe Aftësinë Ndryshe

Papa: të mos flasim për aftësi të kufizuara, por për aftësi ndryshe, bota të jetë më gjithëpërfshirëse

Mirënjohja e Françeskut për pjesëmarrësit e G7-ës mbi “Përfshirjen dhe Aftësitë Ndryshe”, që përfundoi në Umbria të Italisë: "Puna juaj, shenjë shprese në një botë, që i harron njerëzit me aftësi ndryshe"

R.SH. – Vatikan

“Mua nuk më pëlqen shumë kjo fjala ‘aftësi të kufizuara’. Më pëlqen tjetra: ‘aftësi ndryshe’”.

Papa Françesku përmbys perspektivën dhe bën thirrje për një kthesë në mendësi, që bota të jetë më gjithëpërfshirëse dhe t’i lejojë njerëzit me aftësi ndryshe të marrin pjesë plotësisht në jetën shoqërore. Ai e bën këtë gjatë audiencës me përfaqësuesit e G7-ës së parë për Përfshirjen dhe Aftësinë Ndryshe, mbajtur nën presidencën italiane e përfunduar dje në Umbria, pas tre ditësh diskutimi dhe debati. Në fund të Takimit u nënshkrua "Karta Solfagnano", rezultat i punës mbi "tema themelore - shpjegoi Papa - si përfshirja, pjesëmarrja, jeta autonome dhe vlerësimi i njerëzve". Tema, që lidhen me vizionin e Kishës për dinjitetin njerëzor.

“Në fakt, çdo njeri është pjesë e familjes universale dhe askush nuk duhet të jetë viktimë e kulturës së hedhurinave, askush. Kësaj kulture, që bën të lindin paragjykime dhe shkakton dëme në shoqëri…”.

Një botë më e drejtë dhe më gjithëpërfshirëse

Françesku përshëndet samitin e G7-ës, "shenjë konkrete - nënvizoi ai - e dëshirës për të ndërtuar një botë më të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse, ku çdo person, me aftësitë e veta, mund të jetojë në plotësi dhe të kontribuojë në zhvillimin e shoqërisë". Nxiti të flitet për “aftësi ndryshe” jo për paaftësi. Papa nënvizon vështirësitë për ta bërë këtë në disa vende, sidomos me më të moshuarit.

“Nuk ka zhvillim të vërtetë njerëzor pa kontributin e më të pambrojturve. Në këtë kuptim, aksesueshmëria universale bëhet qëllim i madh për t'u ndjekur, në mënyrë që të bjerë çdo barrierë fizike, shoqërore, kulturore dhe fetare, duke u dhënë të gjithëve mundësinë për të përdorur talentet e tyre dhe për të kontribuar në të mirën e përbashkët”, theksoi Ati i Shenjtë.

Puna të jep dinjitet

Përfshirja e njerëzve me aftësi ndryshe në të gjitha shërbimet nuk do të thotë asistencializëm, nënvizoi më pas Françesku, por drejtësi e respekt për dinjitetin e tyre. Papa e ngriti zërin kundër përjashtimit të tyre nga puna, pasi “puna – pohoi ai – është dinjitet”. E njëjta gjë duhet thënë për pjesëmarrjen në jetën kulturore e sportive, për të cilën mund të ndihmojnë teknologjitë e reja, që duhen përdorur me urti. E njerëzit me aftësi ndryshe nuk duhen lënë pas edhe kur përballohen emergjenca, që lidhen me krizën klimatike, ose me konfliktet.

“Duhet krijuar një sistem parandalimi dhe reagimi ndaj emergjencave, që merr parasysh nevojat e tyre të veçanta dhe siguron që askush të mos përjashtohet nga mbrojtja dhe shpëtimi”.

Shpresa për një botë të vëmendshme ndaj të brishtëve

Papa nënvizoi se puna e këtij takimi të parë të G7-ës për njerëzit me aftësi ndryshe është shpresë për kulturën e takimit, frymëzuar nga shën Françesku i Asizit, shenjti i vendit ku u mbajt samiti, në udhën për ndërtimin e një bote "ku dinjiteti i çdo njeriu të njihet dhe të respektohet plotësisht".

17 tetor 2024, 14:55