Papa: Zoti u ktheftë zemrat atyre, që nisin dhe zgjasin luftën

Ftesë e re e Papës Françesku për t'u lutur dhe për të punuar për paqen në botë. Në dy postime në platformën X, Ati i Shenjtë kërkon lutje për ata, që “përfitojnë në mënyrë cinike" nga konfliktet e armiqësitë dhe, i shqetësuar për bombardimet dhe përleshjet e vazhdueshme në Lindjen e Mesme, i bën thirrje "bashkësisë ndërkombëtare për t'i dhënë fund spirales së hakmarrjes"

R.SH. – Vatikan

         Papa Françesku u drejtohet sërish besimtarëve përmes rrjeteve sociale, që të luten për paqen në botë. Që dje, në një postim në X, pati kërkuar "armëpushimin e menjëhershëm në të gjitha frontet e luftës në Lindjen e Mesme, përfshirë Libanin". Sot, nga faqja e tij në nëntë gjuhë @Pontifex, ndërsa vijojnë sulmet izraelite kundër Gazës dhe Libanit, ftesa, e botuar në orën 13.00, për lutje që “njerëzit, të cilët duan luftëra, i nisin, i nxisin, i zgjasin pa nevojë, ose përfitojnë në mënyrë cinike prej tyre", të shndriten prej Zotit, duke u “vënë para syve aradhen e fatkeqësive, që shkaktojnë".

Thirrja për bashkësinë ndërkombëtare

I bindur se për të arritur bashkëjetesën paqësore ndërmjet popujve nevojiten dialogu dhe diplomacia, Papa, në një postim të mëpasëm gjithnjë në platformën X, i drejtohet bashkësisë ndërkombëtare “që t’i jepet fund spirale së hakmarrjes në Lindjen e Mesme”. Gjithashtu, i shqetësuar për shkallëzimin e bombardimeve dhe të përleshjeve, Françesku kërkon që " të mos përsëriten më raprezaljet, të cilat mund ta zhysin atë rajon në një luftë edhe më të madhe".

12 tetor 2024, 15:50