Sinodi: Papa, nuk do të ketë Nxitje pas-sinodale, mjafton ky dokument

Françesku ka vendosur të mos botojë një nga nxitjet e tij Apostolike në fund të Sinodit. Në këtë kohë luftërash ne duhet të jemi edhe dëshmitarë të paqes duke mësuar t'i japim formë reale bashkëjetesës së dallimeve. Ajo që kemi miratuar është e mjaftueshme. Në Dokumentin e Sinodit ka tashmë tregues shumë konkretë që mund të jenë një udhërrëfyes për misionin e Kishave, në kontinente të ndryshme, në kontekste të ndryshme.

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku ka vendosur të mos botojë një nxitje të re Apostolike në fund të Sinodi. “Në dritën e asaj që doli nga procesi i Sinodit, ka dhe do të ketë vendime për të marrë”, tha Papa në përfundim të punimeve të Kuvendit. “Me dokumentin përfundimtar kemi mbledhur frytin e viteve, të paktën tre, në të cilat kemi dëgjuar Popullin e Zotit për të kuptuar më mirë se si të jemi një Kishë sinodale në këtë kohë”. Kështu tha, dje pasdite vonë, Papa në fjalimin e tij para Etërve sinodal në sallën Pali VI, në Vatikan, në përfundim të Sinodit të Ipeshkvijve për sinodalitetin, pas miratimit të dokumentit përfundimtar.

"Dhe tani - tha Papa -, në dritën e asaj që doli nga procesi sinodal, ka dhe do të ketë vendime për t'u marrë". Tani "në këtë kohë luftërash ne duhet të jemi edhe dëshmitarë të paqes duke mësuar t'i japim formë reale bashkëjetesës së dallimeve. Për këtë arsye - tha Ati i Shenjtë - nuk kam ndërmend të botoj një nxitje të re Apostolike. Ajo që kemi miratuar është e mjaftueshme. Në Dokumentin e Sinodit ka tashmë tregues shumë konkretë që mund të jenë një udhërrëfyes për misionin e Kishave, në kontinente të ndryshme, në kontekste të ndryshme. Unë e vë dokumentin e Sinodit menjëherë në dispozicion të të gjithëve, prandaj desha që të publikohej e nëpërmjet këtij dokumenti, t’i dorëzoj popullit të shenjtë besnik të Zotit”.

Papa Françesku e përkufizoi dokumentin përfundimtar të Sinodit si "një dhuratë", ashtu si "ajo që kemi përjetuar gjatë punimeve është një dhuratë". “Për disa aspekte të jetës së Kishës të sinjalizuara në dokument, si dhe mbi temat që u janë besuar 10 grupeve studimore, të cilat duhet të punojnë me liri për të më ofruar propozime, nevojitet kohë – nënvizoi Papa – për të arritur në zgjedhje që përfshijnë të gjithë Kishën. Atëherë do të vazhdoj t'i dëgjoj ipeshkvijtë dhe Kishat që u janë besuar. Po kjo nuk është mënyra klasike për të shtyrë pafundësisht vendimet. Kjo është ajo që korrespondon me stilin sinodal me të cilin duhet të ushtrohet edhe shërbesa Pjetrine: të dëgjosh, të mblidhesh, të shqyrtosh, të dallosh, të vendosësh dhe të vlerësosh".

Dokumenti, vazhdoi Papa, "është një dhuratë për të gjithë Popullin e Zotit, në shumëllojshmërinë e shprehjeve të tij". "Ajo që kemi përjetuar është një dhuratë - nënvizoi Ati i Shenjtë - që nuk mund ta mbajmë për vete. Shtysa që vjen nga kjo përvojë, pasqyrë e së cilës është dokumenti, na jep guximin të dëshmojmë se është e mundur të ecim së bashku në diversitet pa dënuar njëri-tjetrin”.

“Ne vijmë nga të gjitha anët e botës, të karakterizuar nga dhuna, varfëria, indiferenca – përfundoi Papa –. Së bashku, me shpresën që nuk zhgënjen, të bashkuar në dashurinë e Zotit të përhapur në zemrat tona, ne jo vetëm mund të ëndërrojmë paqen, por edhe të angazhohemi me të gjitha forcat, në mënyrë që, ndoshta pa folur shumë për sinodalitetin, të arrihet paqja përmes procesit të dëgjimit, dialogut dhe pajtimit. Kisha Sinodale për misionin tani ka nevojë që fjalët e bashkëndara të shoqërohen me fakte”, për këtë thashë që duhet të publikohet dokumenti përfundimtar i Sinodit.

27 tetor 2024, 09:19