Tek Papa, kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Spiropali
R.SH. – Vatikan
Salla e Shtypit e Vatikanit njofton se Papa Françesku ka pritur sot në audiencë kryetaren e Parlamentit të Shqipërisë, zonjën Elisa Spiropali.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Spiropali pohon se i shprehu Shenjtërisë së Tij “ një falënderim të thellë për kontributin e paçmuar që ka dhënë në mbrojtjen dhe lartësimin e vlerave të humanizmit solidaritetit, drejtësisë shoqërore e paqes, për dashurinë e Tij për Shqipërinë’.
“Sot pata nderin e rrallë dhe kënaqësinë e jashtëzakonshme të pritem në audiencë të veçantë nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku. Krahas mirënjohjes për këtë takim të paharruar, i shpreha Shenjtërisë së Tij falënderim të thellë për kontributin e paçmuar që ka dhënë në mbrojtjen dhe lartësimin e vlerave të humanizmit, solidaritetit, drejtësisë shoqërore e paqes, për dashurinë e Tij për Shqipërinë, e cila i ka dhënë botës Shën Terezën, për Lumnimin e 38 martirëve të Kishës Katolike shqiptare, për kujdesin e veçantë për besimtarët dhe bashkëjetesën e tolerancën fetare në vendin tonë, të cilën Ati i Shenjtë e ka vlerësuar “Një trashëgimi historike e njerëzimit”.’- shkruan Spiropali.
Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë merr pjesë pasdite, në orën 16.00, në veprimtarinë e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, me rastin e 10-vjetorit të vizitës së Papës Françesku në Tiranë, në Filmotekën e Vatikanit.
Me rastin e përkujtimit të kësaj vizite historike të Atit të Shenjtë, në pasditen kulturore pranë selisë së Filmotekës së Vatikanit do të flasin zonja Majlinda Frangaj, Ambasadore e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, vetë zonja Spiropali, kardinali shqiptar Ernest Simoni, ish-drejtori i përgjithshëm i Radio Vatikanit, atë Federico Lombardi, gazetari i “Avvenire”-s Mimmo Muolo. Së fundi, paraqitet filmi “Pritja” me regjisor Roland Sejkon.