SPAIN-FLOOD SPAIN-FLOOD

Afërsia e Françeskut me njerëzit e Valencias, të mbytur nga Dana

Pas Engjëllit, Papa ftoi të lutemi për të vdekurit, më se 202, në përmbytjen tragjike që përshkoi Spanjën më 29 tetor, për të dashurit e humbur dhe familjet e dëmtuara. “Zoti - shtoi - i përkrahtë ata që vuajnë e edhe ata, që sjellin ndihma”. Kryeipeshkvi i Valencias, Imzot Benavent, flet për telefonatën që mori nga Papa.

R.SH. / Vatikan

Mendimet e Françeskut duke u endur nëpër botë, u ndalën edhe në situatën tragjike të "popullit të Valencias" si dhe në atë të gadishullit Iberik, tek "të mbyturit nga stuhia ‘Dana’, më 29 tetor”. Papa, pas Engjëllit, në Solemnitetin e të Gjithë Shenjtorëve, kujtoi përmbytjet e ditëve të fundit në pjesë të ndryshme të botës, të cilat i quajti "katastrofa mjedisore", për të kërkuar më pas,  lutje për dramën që goditi Spanjën:

“Lutje për të vdekurit dhe të dashurit e tyre si dhe për të gjitha familjet e dëmtuara. Zoti i ndihmoftë ata që vuajnë dhe ata që sjellin ndihmë. Të jemi pranë me njerëzit e Valencias”.

Që dje, në një video-mesazh drejtuar imzot Luis Javier Argüello García, kryeipeshkëv metropolit i Valladolidit dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Spanjolle, Papa shprehu "afërsi" dhe "lutje" për të gjithë popullsinë e Valencias "në këtë çast katastrofik".

Telefonata e Papës me Kryeipeshkvin e Valencias

Edhe Kryeipeshkvi i Valencias, Imzot Enrique Benavent, duke folur për Agjencinë SIR, kujtoi se Papa Françesku e thirri "që të interesohej për situatën tragjike të krijuar në ato vise". “I përshkrova - shpjegon - disa hollësi që i mësova e Papa më gjegji se sa më shumë i ndjek lajmet dhe pamjet, aq më shumë i bën përshtypje”. Kryeipeshkvi i Valencias nënvizon se Ati i Shenjtë "i kërkoi t’u shprehë afërsinë e tij të gjithëve, veçanërisht viktimave, familjeve të tyre,  atyre që ndjejnë po aq dhimbje, sa ne".

Më pas, imzot Benavent vijoi t’i kujtojë Papës se "do të takoheshin në lutje në Bazilikën e Zojës, të cilën ai e kishte vizituar si kryeipeshkëv i Buenos Ájres me rastin e Mbledhjes Botërore të Familjeve. E Papa e siguroi se shpirtërisht është i bashkuar që tani në lutje!”.

Bilanci vazhdon të keqësohet: 202 viktima

Ndërkohë, ndërsa vazhdojnë gërmimet në baltë dhe sigurohet ushqim e ujë për të mbijetuarit që nuk kanë më asgjë, numri i të vdekurve, pak pas orës 13:00, arriti në 202. Ndërkaq në rrugët e Picanyas, një nga më të prekurat nga përmbytjet, dhjetëra emigrantë nisën të gatuajnë për popullsinë vendase, për ata që nuk kanë më bukë as shtëpi. Në mes të rrënojave, baltës dhe makinave të shkatërruara nga përmbytja, janë ndezur zjarre të improvizuara dhe po përgatiten pjata tipike nga kuzhinat e të gjithë botës. Emigrantët, që jetonin në një hotel të përmbytur nga ujërat, edhe ata të zhvendosur, vijnë nga vende të ndryshme, përfshirë Afganistanin, Sirinë, Gjeorgjinë dhe Venezuelën.  

 

01 nëntor 2024, 15:05