Publikohet një botim i ri i librit liturgjik për funeralin e Papës
R.SH. – Vatikan
U bë i njohur sot (20 nëntor) botimi i dytë tipik i “Ordo Exsequiarum Romani Pontificis” (Rendi i funeralit të Papëve të Romës), për të cilin u kujdes Zyra e Kremtimeve Liturgjike Papnore. Libri liturgjik u miratua më 29 prill 2024 nga Papa Françesku, i cili mori kopjen e parë të vëllimit më 4 nëntor. Ndër risitë, konstatimi i vdekjes jo më në dhomën e të ndjerit, por në kapelë; vendosja e menjëhershme e trupit brenda arkivolit; ekspozimi i trupit të Papës për nderimin e besimtarëve brenda arkivolit të hapur; eliminimi i tre arkivoleve tradicionale prej druri selvie, plumbi dhe lisi.
Libri liturgjik paraqitet si një botim i ri i të mëparshmit, që quhet “edicioni tipik (editio typica)” i “Ordo Exsequiarum Romani Pontificis”, miratuar më 1998 nga Shën Gjon Pali II dhe botuar në vitin 2000, përdorur në funeralin e Papës polak në vitin 2005 dhe, me disa përshtatje, edhe në atë të Papës së nderit Benedikti XVI, në vitin 2023.
“Ishte i nevojshëm një botim i dytë – shpjegon kryeipeshkvi Diego Ravelli, Mjeshtër i Kremtimeve Liturgjike të Papëve – para së gjithash, sepse Papa Françesku kërkoi, siç deklaroi ai vetë në disa raste, thjeshtimin dhe përshtatjen e disa riteve, në mënyrë që kremtimi i varrimit të Ipeshkvit të Romës të shprehte më mirë fenë e Kishës në Krishtin e Ringjallur... Përveç kësaj, riti i rinovuar duhej të vinte në pah edhe më tepër se funerali i Papës romak është ai i një bariu dhe i një dishepulli të Krishtit dhe jo i një njeriu të pushtetshëm të kësaj bote”.