Dhimbja e Françeskut për tragjedinë e Novi Sadit

Papa i dërgoi një telegram presidentit serb Aleksandar Vuçiq, duke shprehur solidaritet dhe lutje për viktimat e shembjes së një çatie në stacionin e trenit, të premten e kaluar

R.SH. – Vatikan

Udhëtarë, njerëz që presin a thjesht kalojnë aty pari, ulur në stolat plot, të tjerë brenda, duke blerë bileta treni. E rreth mesditës, e papritur dhe e tmerrshme, shembja e çatisë prej betoni mbi derën e hyrjes. Kështu ndodhi tragjedia e stacionit hekurudhor të Novi Sadit të premten e kaluar, ku humbën jetën 14 persona, ndërsa tre të tjerë u plagosën rëndë.

Pranë kombit serb

Papa deshi t’i qëndrojë pranë popullit serb, prandaj, i shkroi një telegram presidentit Aleksandar Vuçiq, ku nënvizon se është pranë atij kombi në "këtë çast të vështirë" dhe se lutet "në veçanti për të vdekurit, për familjet e tyre në zi dhe për të plagosurit”, duke u siguruar të gjithëve afërsinë e tij shpirtërore.

Protesta dhe arrestime

Kohët e fundit, disa pjesë të stacionit hekurudhor i ishin nënshtruar ristrukturimit për linjën e shpejtësisë së lartë, por çatia nuk ishte prekur nga punimet. Në ditët pas tragjedisë, mijëra njerëz protestuan në Novi Sad, ndërsa mbrëmë pati demonstrata dhe trazira pranë stacionit, të cilat shkaktuan reagimin e policisë me gaz lotsjellës dhe arrestime. Shembja e kulmit ka sjellë dorëheqjen e ministrit të Infrastrukturës dhe të Transportit, Goran Vesiq.

06 nëntor 2024, 13:38