Papa rinjve: jo "yje për një ditë" por dëshmitarë të dashurisë së Zotit
R.SH. / Vatikan
Papa Françesku, pak para kalimit të Kryqit, simbol i Ditës Botërore të Rinisë nga delegacioni portugez në atë të Koresë së Jugut, u drejtoi fjalën të rinjve, që do të vijojnë shtegtimin rinor nëpër botë. Po kujtojmë fjalët, që i shqiptoi Papa përpara se të kalonte Kryqi.
“Dua t'ju përshëndes të gjithëve, të rinjtë e pranishëm dhe të rinjtë nga mbarë bota, në veçanti, delegacionin nga Portugalia, ku vitin e kaluar u kremtua Dita Botërore e Rinisë, si dhe delegacionin nga Koreja e Jugut, i cili do të organizojë takimin e radhës në Seul, në vitin 2027. Pas pak minutash i riu portugez do t'ua dorëzojë të rinjve koreanë simbolet e DBR-së: Kryqin dhe ikonën e Marisë Salus Populi Romani. Këto simbole iu besuan të rinjve nga Shën Gjon Pali II, për t'i çuar në mbarë botën.
E ju, të dashur të rinj koreanë, tani ju takon juve! Duke mbartur Kryqin në Azi, ju do t'i shpallni të gjithëve dashurinë e Krishtit.
Guxim, pra! Kini guximin ta dëshmoni shpresën, për të cilën sot kemi më shumë nevojë se kurrë.
Atje, ku do të kalojnë këto simbole, mund të rritet siguria e dashurisë dhe e vëllazërisë së pamposhtur të Zotit ndërmjet popujve.
E për të gjithë të rinjtë, viktima të konflikteve dhe të luftës, Kryqi i Zotit dhe ikona e Shën Mërisë janë mbështetje e ngushëllim.