Papa: "jo të gjithë mund të jemi profetë, por të gjithë duhet të jemi bamirës e paqebërës"

Në katekizmin e audiencës së përgjithshme, Papa foli për frytet e Shpirtit Shenjt, duke u ndaluar tek rëndësia e të jetuarit të fesë me gëzim. Citoi, ndërmjet tjerash, Shën Filip Nerin, shembull i ndritshëm i ungjillëzimit të praktikuar me hare dhe vlerës së faljes: "Të gjithë, pa dallim, mund dhe duhet të jenë bamirës, ​​të durueshëm, të përvuajtur, punëtorë të paqes dhe jo të luftës".

R.SH. / Vatikan

Dashuria, gëzimi, paqja, shpirtmadhësia, dashamirësia, mirësia, besnikëria, butësia, vetëkontrolli… Këta, frytet e Shpirtit Shenjt për të cilat foli Papa Françesku në katekizmin e sotëm, 27 nëntor, në audiencën e përgjithshme, mbajtur paradite në Vatikan, në prag të Kohës së Ardhjes. Pasi reflektoi javën e kaluar për dhuratat e Shpirtit Shenjt, sot u përqendrua posaçërisht te gëzimi i cili,  kur është vërtet ungjillor, është edhe ngjitës. Kështu e nisi Papa katekizmin, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan ndriçuar nga dielli dimëror  e përplot me një turmë gazmore, mbi dhjetë mijë besimtarë. Si zakonisht, xhipi i bardhë me Ipeshkvin e Romës dhe disa fëmijë në bord, mbërriti në  Shesh, i shoqëruar nga një grup i madh të rinjsh, rreth njëqind. Ata u ulen tek këmbët e altarit dhe i  sollën një dinamizëm shumë të veçantë atmosferës. Pastaj Papa i përshëndeti lexuesit dhe e nisi katekizmin e audiencës së përgjithshme duke folur jashtë tekstit zyrtar: "Një potere e vogël të bën mirë!".

Hiri dhe liria

Nuk mungon kurrë bashkëpunimi ndërmjet veprimit të Zotit e atij të njeriut, që duhet pasur parasysh kur flasim për frytet e Shpirtit Shenjt - kujtoi Papa, për të sqaruar më pas:

Ndryshe nga karizmat, të cilat Shpirti Shenjt ia jep kujt dëshiron dhe kur dëshiron për të mirën e Kishës, frytet e Shpirtit janë rezultat i bashkëpunimit ndërmjet hirit dhe lirisë. Këto fruta shprehin gjithmonë krijimtarinë e njeriut, në të cilën "feja vepron përmes dashurisë hyjnore" (Gal. 5,6), ndonjëherë në mënyrë të habitshme dhe të gëzueshme. Në Kishë jo kushdo mund të jetë apostull, profet, ungjilltar; por të gjithë, pa dallim, mund dhe duhet të jenë bamirës, ​​të durueshëm, të përvuajtur, punëtorë të paqes dhe jo të luftës, e kështu edhe më tej”.

Gëzimi ungjillor është ngjitës

Papa citoi nxitjen apostolike Evangelii gaudium kur kujtoi gëzimin, përmasë të cilën e thelloi në vijim të katekizmit, sepse e ka veçanërisht për zemër. Kujtoi, se i ngjall një ndjenjë kënaqësie, e cila nuk mund të krahasohet me atë që sot konsumohet shpejt nga mërzitja gjithnjë e më e përhapur dhe nga mënyra e jetesës gjithnjë e më e ngutshme. Gëzimi ungjillor - kujton Papa -  jo vetëm që nuk i nënshtrohet gjobës së pashmangshme të kohës, por shumëfishohet, duke e ndarë me të tjerët. E, ndryshe nga çdo gëzim tjetër,  mund të rinohet çdo ditë dhe të bëhet ngjitës”.

Papa Françesku ngul këmbë në këtë aspekt, duke shtuar:

Nganjëherë mund të ketë edhe çaste të trishtuara, por me Jezusin ka  gëzim dhe paqe. [...] ndërsa rinia, shëndeti, forca, mirëqenia, miqësitë, dashuritë... mund të zgjasin njëqind vjet, por më pas jo më, kalojnë shpejt.

Ungjilli nuk komunikohet me ‘turinj’ varur

Papa, duke lënë mënjanë tekstin e shkruar dhe duke folur lirisht, nënvizoi se “shqetësimi i zemrës” është ai, që na shtyn të kërkojmë paqen, dashurinë, gëzimin. E vijoi duke cituar Shën Filip Nerin, i cili hyri në histori si shenjtori i gëzimit: "Ai kishte një dashuri të tillë për Zotin, sa nganjëherë i dukej se po i shpërthente zemra në kraharor. Gëzimi i tij ishte, në kuptimin më të plotë, fryt i Shpirtit Shenjt”. I këshillonte të rinjtë të mos kenë skrupuj as melankoli. E, rishtas pa ndjekur tekstin e shkruar, Françesku shtoi një tipar dallues të shenjtit, që e përshtat plotësisht me Jezusin: falte gjithkënd e gjithçka.

Lajtmotivi i faljes

Këtu Papa Françesku kujtoi edhe një herë lajtmotivin e magjisterit, që u drejtohet të gjithëve, veçanërisht rrëfyesve: Zoti fal gjithçka, fal gjithmonë dhe ky është gëzim:

Shenjti mori pjesë në jubileun e vitit 1575, të cilin e pasuroi edhe me praktikën e mbajtur më vonë, të vizitës së Shtatë Kishave në Romë. Ai ishte, në kohën e tij, ungjillëzues i vërtetë përmes gëzimit. Fjala "Ungjill" do të thotë lajm i mirë. Prandaj nuk mund të komunikohet me turinj të varur e   me fytyra të zymta, por me gëzimin e atyre që gjetën thesarin e fshehur dhe perlën e çmuar.

 

27 nëntor 2024, 11:39