Françesku: jemi para ndryshimeve epokale, me pasoja për të ardhmen e njerëzimit
R.SH. – Vatikan
“Po përballemi me një moment ndryshimi epokal, me pasojat e tij për të ardhmen e familjes njerëzore”.
Këtë vuri në dukje sot paradite, 11 nëntor, Papa Françesku, ndërsa përshëndeti një delegacion të Rrjetit të Filantropisë Katolike (FADICA), me rastin e "shtegtimit, simpoziumit dhe ushtrimeve shpirtërore" të tyre në Romë. Ati i Shenjtë vlerësoi mbështetjen e organizatës amerikane për zyrat e Selisë së Shenjtë, në kuadrin e përkrahjes së tyre për krejt Kishën universale. Një vepër, pohoi, për t'u çuar përpara me atë gëzim e dashuri, që “i transformon gjithmonë, i ndryshon gjërat".
Të përkushtuar në përhapjen e Ungjillit
Françesku i priti anëtarët e FADICA-s, një rrjet filantropik fondacionesh dhe donatorësh, që mbështesin veprimtaritë dhe nismat katolike, në Sallën e Papëve. Uroi që ditët e ardhshme të "reflektimit dhe lutjes" të shtojnë tek ata "dashurinë për Kishën" dhe "përkushtim në përhapjen e Ungjillit".
Reflektime mbi bashkësinë sinodale
Sinodi i përfunduar së fundmi është simbol i impenjimit të Kishës "në një proces reflektimi mbi natyrën e saj si bashkësi sinodale", nënvizoi Papa. Kjo ndodh ndërkohë që njerëzimi është para ndryshimeve të mëdha, me pasoja të paparashikueshme - realitet në të cilin është i thirrut të veprojë FADIC.
“Mbështetja e heshtur” e Kishës amerikane
Në veçanti, Ati i Shenjtë vuri në dukje bashkëpunimin me zyrat e Vatikanit, të impenjuara për të kuptuar "shenjat e kohërave" dhe për të mbështetur bashkësinë kishtare në mbarë botën, në përgjigje të "nevojave dhe sfidave të së tashmes".
“Ju falënderoj për mbështetjen tuaj të heshtur të shumë nismave, që pasurojnë jetën dhe apostullimin e Kishës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Faleminderit, faleminderit shumë”.
Dashuria që "transformon gjithmonë"
Në natyrën e tij si "rrjet", Rrjeti i Filantropisë Katolike mishëron sinodalitetin, duke u mbështetur "në vizionin e përbashkët, përkushtimin dhe bashkëpunimin e shumë njerëzve, shumë familjeve dhe fondacioneve", nënvizoi Papa. “Fryma e tillë e solidaritetit dhe interesi bujar për të tjerët", gjithsesi, duhet "të ushqehet nga ndjenja e mirënjohjes për dhuratat e begata, që na ka dhënë Zoti", si edhe "nga përvoja gjithnjë e më e gjallë e pushtetit shndërrues të dashurisë së Tij".
“Sepse dashuria gjithmonë i transformon, i ndryshon gjërat, shndërron”.
Gëzimi i komunikimit të Krishtit
Një ndjenjë, që Françesku fton të shprehet edhe jashtë, në mënyrë që organizata të vazhdojë ta “përjetojë gëzimin e përpjekjes për të komunikuar dashurinë e Krishtit për të tjerët”. Së fundi, Papa bekoi të pranishmit, duke u thënë: "Lutuni për mua, por lutuni ‘for’, jo ‘against’ (pra, lutuni për mua, jo kundër meje)!"