Françesku: jemi shtegtarë, ecja na afron me Zotin dhe jetën e të tjerëve
R.SH. - Vatikan
Papa Françesku
Kur isha prift në Buenos Ájres, e këtë zakon e mbajta edhe si ipeshkëv në qytetin tim të origjinës, më pëlqente të ecja nëpër lagje të ndryshme për t’u takuar me kolegët priftërinj, për të vizituar ndonjë bashkësi fetare ose për të biseduar me miqtë. Ecja është e mirë: na vë në kontakt me atë që ndodh rreth nesh, na ndihmon të zbulojmë tingujt, aromat dhe zhurmat e realitetit që na rrethon… Me pak fjalë, na afron me jetën e të tjerëve.
Të ecësh do të thotë të mos rrish në vend: të besosh, do të thotë të kesh brenda një shqetësim që na çon drejt një "më shumë", drejt një hapi më tej përpara, drejt një lartësie për të arritur sot, duke ditur se nesër rruga do të na çojë më lart - ose më thellë, në jetën tonë, në marrëdhënien me Zotin, tamam si marrëdhënia me njeriun e dashur, ose ndërmjet miqve: asnjëherë e përfunduar, asnjëherë e përkryer, kurrë e kënaqur, gjithmonë në kërkim, ende jo të kënaqshëm. E pamundur të thuash me Zotin: "U krye, gjithçka në rregull, mjafton".
Për këtë arsye, Jubileu i vitit 2025, së bashku me përmasën themelore të shpresës, duhet të na shtyjë drejt ndërgjegjësimi gjithnjë e më të madh të faktit se feja është shtegtim dhe se ne jemi shtegtarë mbi këtë dhé. Jo turistë apo endacakë: ne nuk lëvizim rastësisht, duke folur ekzistencialisht. Jemi shtegtarë! Shtegtari e jeton ecjen e tij nën shenjën e tri fjalëve kyçe: rrezik, lodhje, cak!
Rreziku
Sot ne përpiqemi të kuptojmë se çfarë do të thoshte për të krishterët e së kaluarës të bënin një shtegtim, të mësuar siç jemi me shpejtësinë dhe komoditetin e udhëtimeve tona me avion ose tren. Por të niseshe për rrugë një mijë vjet më parë, do të thoshte edhe të mos ktheheshe më në shtëpi për shkak të rreziqeve të shumta që mund të haseshin në rrugët e ndryshme. Besimi i atyre që vendosën të niseshin në udhëtim, ishte më i fortë se çdo frikë: shtegtarët e së shkuarës na mësojnë këtë besim te Zoti, që i thirri të niseshin drejt varrit të Apostujve, Tokës Shenjte ose një shenjtëroreje tjetër. Edhe ne i kërkojmë Zotit të kemi një pjesë të vogël të asaj feje, të pranojmë rrezikun e lëshimit të plotë në vullnetin e tij, duke e ditur se është ai i një Ati të mirë, që dëshiron t'u japë fëmijëve të tij vetëm çka është e përshtatshme për ta.
Lodhja
Të ecësh do të thotë të bësh përpjekje. Shtegtarët e shumtë që sot u kthyen për të mbushur rrugët e lashta të shtegtimit, e dinë mirë këtë: po mendoj për rrugën në Santiago de Compostela, Via Francigena, shtigjet e ndryshme që janë hapur në Itali, të cilat të kujtojnë disa nga shenjtorët më të njohur, ose dëshmitarë (Shën Françesku, Shën Toma, por edhe Don Tonino Bello) falë bashkëpunimit pozitiv të institucioneve publike me organet fetare.
Ecja përfshin përpjekjen për t'u ngritur heret, për të përgatitur një çantë shpine me gjërat kryesore, për të ngrënë diçka ngutshëm. Dhe pastaj, këmbët dhembin, etja bëhet e fortë, veçanërisht në ditët me diell të verës. Por kjo përpjekje shpërblehet nga dhuratat e shumta që ndesh shtegtari në rrugë: bukuria e krijimit, ëmbëlsia e artit, mikpritja e njerëzve. Ata që shtegtojnë në këmbë - shumë mund ta dëshmojnë këtë - pa pyetur fare për lodhjen që bënë, krijojnë lidhje të bukura me njerëzit që takuan gjatë udhës, jetojnë çaste heshtjeje të thellë dhe të frytshme, që shpeshherë jeta e furishme e kohës sonë e bën të pamundur, kuptojnë vlerën e themelores, në krahasim me vezullimin e pasurive, të gjitha të tepërta, në ato vise ku mungon kryesorja: bukuria e krijimit!
Qëllimi
Të ecësh si shtegtar do të thotë se e kemi një vend ku të ulemi, se lëvizja jonë ka një drejtim, një qëllim. Të ecësh do të thotë të kesh një destinacion, të mos jesh në mëshirën e rastit: ata që ecin kanë një drejtim, nuk bëjnë rrathë, dinë ku të shkojnë, nuk humbin kohë duke bërë zigzage nga njëra anë në tjetrën. Për këtë arsye kam kujtuar vazhdimisht se sa të ngjashëm janë akti i ecjes dhe i besimit: ata që kanë Zotin në zemrat e tyre kanë marrë dhuratën e një ylli polar drejt të cilit synojnë. Dashuria që morëm nga Zoti është arsye për dashurinë, që duhet t'ua ofrojmë njerëzve të tjerë.
Zoti është caku ynë…
…por ne nuk mund ta arrijmë atë, si arrijmë në një vend të shenjtë apo një bazilikë. Si e di mirë kushdo që ka bërë shtegtime në këmbë, duke mbërritur më në fund në cakun e shumëpritur - po mendoj për Katedralen Chartres, prej kohësh subjekt i rilindjes për shtegtimet, falë nismës që daton një shekull më parë, të poetit Charles Péguy – nuk do të thotë të ndihesh i kënaqur: ose më mirë, nëse nga jashtë e di mirë që ke mbërritur, nga brenda je i vetëdijshëm se udhëtimi nuk ka përfunduar. Sepse Zoti është pikërisht kështu: një cak, që na shtyn më tej; një synim, që të thërret vazhdimisht të vazhdosh, sepse është gjithmonë më i madh se ideja që ke për të.
Vetë Zoti na e shpjegoi nëpërmjet Izaisë Profet:
"Sa janë qiejt mbi dhe, aq janë rrugët e mia mbi rrugët tuaja dhe mendimet e mia mbi mendimet tuaja" (Is 55,9).
Me Zotin nuk kemi mbërritur kurrë, e kurrë nuk kemi arritur te Zoti: jemi gjithmonë në lëvizje, mbetemi gjithmonë në kërkim të Tij. Por pikërisht ky shtegtim drejt Zotit na krijon sigurinë marramendëse se Ai na pret, për të na dhënë ngushëllimin dhe hirin e vet.
Qyteti i Vatikanit, 2 tetor 2024